Internimi i Gambetës, pas pushkatimit të Koço Theodhosit

Jun 20, 2016 | 19:11
SHPËRNDAJE

Duket se komunizmi ka lënë pas plagë ende të pashëruara, të cilat fillojnë e dhembin, nëse i prek, qoftë edhe pa dashje. Duket se e tillë ka qenë edhe për Mit’hat Fagun e Artan Gambetën, të birin e gazetarit të njohur, Vangjush Gambeta, sot i ndarë nga jeta. Intervista e dhënë për gazetën “Panorama”, nga regjisori Fagu, do t’i hapte rrugë një seri replikash e kundërreplikash.

Gambeta1Gjatë intervistës, regjisori Fagu do të tregonte ndër të tjera dhe për dokumentarin e ndaluar “Në shtigjet e revolucionit tekniko-shkencor”, i cili do të dënohej rëndë në mbledhjet e Kinostudios e të Partisë, çka do të çonte në largimin nga Kinostudioja të Fagut.

Ai shprehet se në këtë histori ishte Vangjush Gambeta, bashkëskenarist i dokumentarit, i cili “e futi në grackë”, duke e ftuar të realizonin këtë film dhe e “la në baltë”, duke mos marrë mbi vete përgjegjësitë, që kishte premtuar se do t’i mbante, në lidhje me vijën ideologjike të dokumentarit. Kjo shprehje e Fagut do të lëndonte të birin e gazetarit, Artan Gambetën, i cili do të reagonte përmes një shkrimi, po në gazetën “Panorama”, ku e “akuzon” për “dyfytyrësi” regjisorin, i cili “kishte pritur vdekjen e babit, që të thoshte të gjitha këto”.

Paskëtaj vjen replika e regjisorit Fagu, në të cilën ai shprehet se nuk ishte e vërtetë që ai kishte pritur vdekjen e Vangjush Gambetës, por ia kishte thënë ato në sy, vite më vonë. Madje, ai tregon edhe për faktin se, kur Gambeta vinte gjatë internimit të shihte familjen, ai flinte në shtëpinë e tij, edhe pse përgjohej nga Sigurimi.

Nuk do të kalonin shumë ditë, që të vinte një tjetër replikë e Artan Gambetës, ku sqaron se çfarë ndodhi gjatë atij një viti e gjysmë, që nga dëbimi i Mit’hatit nga Kinostudioja, deri në internimin e të atit, pas dënimit dhe pushkatimit të kunatit të tij, Koço Theodhosi.

ARTAN GAMBETA

Është ironik fakti që sa më shumë të përpiqesh të lësh pas të shkuarën e dhimbshme, aq më tepër arsye të dalin për t’iu futur edhe më thellë asaj. Kjo ndodhi edhe me mua këto ditë, kur Mit’hat Fagu papritmas më detyroi të rilexoj materiale që flasin për një kohë së cilës mendoja se i kisha vënë kapak prej vitesh. U futa në këtë replikë jo për protagonizëm, sepse s’e kam në tip, por s’kisha si të shmangesha.

Për më tepër s’kam as më të voglën dëshirë për të publikuar të shkuarën e familjes sime, sepse jam plotësisht i ndërgjegjshëm se ka mijëra të tjerë që e kanë pësuar shumë më keq, dhe kanë ç’të tregojnë.

Por, le të hyjmë në temë. Fillimisht u botua një intervistë e Mit’hatit, pastaj një replikë e imja, dhe më pas një reagim i tij ndaj meje. Nuk dua t’i kthehem historisë nga e para, por konstatoj se në reagimin e tij, Mit’hati kapet fort pas një periudhe njëvjeçare, që fillon rreth mesit ose fundit të vitit 1973, kur pasi Vangjushi e kishte “futur në grackë”

duke e ftuar të realizojnë së bashku një film, më pas e kishte lënë në baltë, ndërkohë që Vangjushi i kishte krahët e ngrohtë politikisht, ishte edhe zv.kryeredaktor i “Zërit të Popullit”, pra atë nuk e paska gjetur gjë, ndërsa Mit’hatin, po. Dhe po sipas Mit’hatit, Vangjushi e ka pësuar një vit e ca më vonë, kur u arrestua dhe u pushkatua kunati i tij. Mendoj se ky është argumenti më kryesor në këtë debat. Pasi filmi u pa “me syrin e Partisë”, u zhvillua një mbledhje, në të cilën të dy u sulmuan, njëri për anën ideologjike dhe tjetri për atë të realizimit.

Për të dy u morën masa, siç vërteton edhe procesverbali i mbledhjes, që, me sa kuptoj, e paska edhe Mit’hati. Menjëherë më pas, Vangjushi paralajmërohet për përjashtim nga Partia, shkarkohet si zëvendëskryeredaktor dhe shef i sektorit ekonomik të gazetës, dhe lihet të vazhdojë punën “në provë”, si redaktor i thjeshtë, dhe që prej asaj kohe, nuk i doli më emri në gazetë. Siç kuptohet natyrshëm, në atë kohë ai nuk mund të mbronte dot as veten, ndërsa Mit’hati thotë “më la në baltë”.

Pas një viti ndodhi një ngjarje tjetër, arrestimi dhe pushkatimi i kunatit të Vangjushit, Koço Theodhosit, gjë e cila i kushtoi internimin Vangjushit. Pra, në atë vit për të cilin flet Mit’hati, Vangjushi ka qenë “në fije të perit”, dhe jo zëvendëskryeredaktor, ndërsa “krahët e ngrohtë politikisht” nuk funksionuan, sepse kunati i tij nuk mund ta mbronte, pasi në lojë kishin hyrë të tjerë, më të fuqishëm se ai. Pra, përfundimisht, rrëpira për Vangjush Gambetën filloi pikërisht me atë film.

Në mbledhjen pas një viti, ku u përjashtua nga Partia e nga puna dhe iu komunikua internimi, kjo akuzë u artikulua e para, dhe jo “ndër të tjera”. Meqë titulli i reagimit të Mit’hatit është “Duhen thënë faktet, e vërteta”, po ia plotë- soj dëshirën duke sjellë një fakt, jo të asaj kohe, por të jav- ës së fundit. Në intervistë, Mit’hati thotë: (citoj fjalë për fjalë) “Vangjush Gambeta më solli një artikull gazete mbi të cilin unë bëra një skenar, e më pas filmin”. Ndërsa në reagimin e pak ditëve më vonë, Mit’hati shkruan: “Edhe sot e kësaj dite nuk e kuptoj këmbënguljen e Vangjush Gambetës për të më marrë skenarin origjinal, të shkruar me dorën e tij”.

Kush e ka bërë skenarin? S’kam ndër mend të merrem me të drejta autori, por kam përshtypjen se ky fakt tregon karakter. Veç kësaj, Mit’hati nuk e kupton këmbënguljen e Vangjushit për të marrë dorëshkrimin e tij. Çfarë ka këtu për të mos kuptuar? Diçka që e kam shkruar unë, është e imja. Jam unë ai që nuk kuptoj përse Mit’hati nuk donte t’ia kthente. Më pas deklamon: “E kam të pastër ndërgjegjen dhe s’kam bërë denoncim kundër askujt”. Nuk e di pse ma thotë mua?!

Aludon se mos ka bërë Vangjushi ndonjë denoncim? Apo unë? Mit’hati thotë se ka plot dokumente. Le t’i botojë. Dhe, sa për aludimin që bën, po i citoj një tjetër fragment nga intervista e tij, kur flet për mënyrën sesi zgjidheshin problemet në komunizëm: Atëherë mund t’i bije tavolinës me grusht e të thoshe: “Shok, nëse nuk ma zgjidh ti problemin, unë shkoj në Komitetin Qendror”.

Një tjetër fakt, që unë e konsideroj domethënës, është rikthimi triumfal i Mit’hatit në Kinostudio në vitin 1985. Me sa duket, për Mit’hatin, demokracia paska ardhur pesë vjet më shpejt sesa për ne të tjerët. Më tej në reagim, Mith’hati thotë se këto të vërteta ia paska thënë Vangjushit në sy, dhe nuk ka pritur derisa të vdiste. Pse ia tha në sy e jo në gazetë atëherë kur ishte gjallë? A flasim për fakte? Fakt është ajo që mbetet e shkruar, jo llafet. Në sy ia tha atëherë, në gazetë ia thotë sot! Mit’hat! Në atë kohë kam qenë vërtet kalama siç thua ti, 13 vjeç, por një 13-vjeçar i viteve ‘70 mund të bëhej edhe plak brenda natës, për shkak të situatës në të cilën jetonim.

I mbaj mend të gjitha, sikur të kishin ndodhur dje, dhe nuk i harroj sa të jem gjallë. Në reagimin tënd ti futesh edhe në pjesën time familjare, dhe thua se kur im atë vinte me leje nga internimi, ti i paske hapur derën ndërkohë që unë ia kisha mbyllur. Më e lehta që mund të them: bën sikur harron. Sepse unë jam plotë- sisht i bindur që nga amnezia, ti Mit’hat gëzon imunitet absolut. Për “harresa” të tilla kam përdorur termin dyfytyrësi, dhe jo siç e paske kuptuar ti, për ndonjë komplot.

Të gjithë e dinë që prindërit e mi bënë një divorc fiktiv sapo u komunikua internimi, në mënyrë që të mos na merrnin shtëpinë në Tiranë, dhe në gjyq Vangjushi u urdhërua që të mos shkelte më në atë shtëpi. Në pjesën dërrmuese të rasteve kur vinte me leje, flinte në hotel, sepse kur kthehej, duhej të raportonte se ku kishte fjetur. Kur nuk gjente vende në hotel (4-5 hotele kishte Tirana në atë kohë), ka shkuar fshehurazi dhe ka fjetur në shtëpitë e shokëve, por jo vetëm tek ti.

Ka fjetur edhe tek Niko Tanini, Nazif Saraçi, Adem Dedej dhe të tjerë që ti i njeh. I falënderoj të gjithë ata që e strehuan, sigurisht edhe ty. Por mendoj se je në një kontradiktë të thellë me veten: Përderisa reagimin e mbyll me fjalët më të mira për Vangjush Gambetën, ç’ishin gjithë ato që the më parë për të? Për ato që kemi kaluar në komunizëm, ti Mit’hat akuzon njerëz, që s’të kanë asnjë faj, ndërsa unë akuzoj sistemin. Ka një ndryshim shumë të madh ndërmjet këtyre dy koncepteve. Këtu ndahemi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura