Interneti dhe rrjetet sociale në Shqipëri, si një instrument i qeverisë

May 29, 2020 | 11:00
SHPËRNDAJE

SAMI NEZA sami_neza1_8326

Përshtypja e parë që krijohet është se interneti dhe rrjetet sociale që përdoren në Shqipëri, ashtu si kudo, janë të barabartë për të gjithë dhe se aksesi në to është pa barriera. Pra, kushdo mund të shkojë në një pikë të furnizimit me internet dhe të marrë sinjalin në shtëpi, në punë, te biznesi, në telefon, pa u diskriminuar në raport me të tjerët, qoftë në çmim apo qoftë në oferta të tjera që lidhen me metodat e marketingut të kompanive që furnizojnë me internet.

Po ashtu, çdo njeri mund të hapë një llogari në internet në çfarëdo motori apo faqe që të pëlqejë, si “Google” ose “Gmail”, “Yahoo”, “Hotmail” e plot të tjera. Ose të frekuentojë apo të jetë protagonist në rrjete sociale si “Facebook”, “Instagram”, “Linkedin”, “Pinterest” etj., si dhe në mikroblogje si “Twitter” apo “WhatsApp”.

Në fakt, kjo përshtypje është e qëndrueshme, është e vërtetë dhe konsumatorët e internetit ngado që vijnë dhe për çfarëdo qëllimi që e përdorin atë, janë të lirë të kenë akses. Askush në Shqipëri nuk mund të thotë sot se është privuar nga e drejta për të pasur një linjë interneti, apo i është ndaluar nga qeveria apo instrumente të saj përdorimi i tij.

Pra, parimi i neutralitetit të teknologjisë është përmbushur, në kuptimin që kushdo mund të ketë këtë lloj shërbimi tashmë vital.

Por megjithëse liria e aksesit në përdorimin e internetit është përmbushur, pra kudo ka dyqane që tregtojnë megabites dhe përdoruesit janë prezentë përmes tij në media, rrjete sociale, motorë kërkimi, faqe të ndryshme informacioni etj., sërish interneti dhe disa produkte të tij janë kthyer në instrumente të qeverisë. Qeveria i menaxhon ato në mënyrë të tillë, që të jenë të dobishme për të llogaritur se kur janë të dobishme për qeverinë mund të mos jenë të dobishme për qytetarët.

Para pak javësh, Shqipëria shënoi një rënie tjetër në lirinë e medias, duke zbritur për të tretin vit rresht në indeksonin e lirisë së “Reporterëve pa Kufij”; nga 75 që ishte në vitin 2017, në 82 në vitin 2018 dhe në 84 në vitin 2019.

Megjithatë, llogaritja e indikatorëve që përcaktojnë këtë koeficient nuk mbështetet edhe te liria e përdorimit të barabartë të internetit nga qytetarët dhe media, sërish tregon qartë sfondin ku po zhvillohet agresioni prej qeverisë ndaj lirisë në internet.

Qeveria dhe disa zyra të saj po bëjnë namin, ndërkohë që ndërhyrja e saj njihet shumë pak ose aspak te qytetarët dhe lë për të dëshiruar edhe në rastin e mediave.

Një prej portaleve të lajmeve me përvojë në Shqipëri evidentoi një ditë përmes një lajmi që mbështetej në të dhënat e rrjeteve sociale, se një kategori lajmesh kishte një shpërndarje normale në rrjetin social “Facebook” dhe një kategori tjetër nuk kishte të njëjtin interes. Behej fjalë për lajme me natyrë burokratike nga qeveria dhe lajme nga opozita me një interes më të gjerë. Lajmet ishin krahasuar në një afat kohor prej disa minutash dhe të dhënat statistikore tregonin për një anomali. Praktikisht, lajmet nga opozita duhej të kishin ecur me shumë se ato nga qeveria, nisur edhe nga subjektet që trajtonin, por nuk kishte ndodhur kështu. Portali kishte mbikëqyrur për një kohë të gjatë këtë anomali që shfaqej vitin e fundit më dendur se kohë më parë.

Bëhet fjalë për aksionin e trolls-ave, një grup personash që raportojnë postime me tematika të caktuara, që janë kritike për qeverinë. Përmes raportimit në rrjetet sociale, një mundësi që rrjeti ta jep lehtësisht, një grup i organizuar personash ia del që të stepë algoritmet e rrjeteve sociale. Bashkia e Tiranës aktivizon në këtë mekanizëm një numër të madh punonjësish të saj. I aktivizon ata qoftë në krahun negativ, atë të raportimit të lajmeve kritike për bashkinë, Veliajn dhe qeverinë, e qoftë për të promovuar me like, share dhe komente lajmet pozitive. Aktivizimi i një lumë njerëzish që sillen si roje në gjirin e audiencave të rrjeteve sociale, ua heq mundësinë qytetarëve që të kenë akses të njëjtë për të gjitha llojet e lajmeve. Lajmet pozitive për qeverinë.

Vetë bashkia flitet se ka një numër të madh specialistësh, që janë të përfshirë ne zyrën e shtypit në një mënyrë ose tjetër, ndërkohë që me dhjetëra zyrtarë vëzhgojnë reagimin e punonjësve të bashkisë. Kur ata nuk përfshihen, telefonohen dhe presionohen që ta bëjnë këtë gjë.

Raportimet e lajmeve, jo vetëm që ndalojnë informacione të caktuara që të shpërndahen njësoj te të gjithë përdoruesit e rrjetit, por ndërkohë ndalojnë ose ngadalësojnë me kalimin e kohës të gjitha lajmet që projektohen nga një domen, për shkak se algoritmet ‘smart’ të “Facebook” apo rrjete të tjera, funksionojnë në bazë të feedback-ut që merr nga audiencat.

Vetëm portalet me shumë ndjekës që arrijnë të tejkalojnë raportimet ia dalin që të mposhtin barrierat e zyrave të pushtetit. Praktikisht portalet e reja, ato me një masë të vogël ndjekësish dhe ato portale të fokusuara mbi lajme kritike për qeverinë mund të mos rriten, mund të zvogëlohen, mund të dënohen dhe një ditë mund të ndalohen të postojnë apo të transmetojnë lajme mbi platformat e rrjeteve sociale.

E njëjta histori ndodh edhe me administratën qendrore, ku një pjesë e saj aktivizohet në aksionet ‘blic’ kundër lajmeve kritike për qeverinë dhe ndërkohë inkurajon lajmet pozitive për të, gjithnjë nga portalet apo faqet e tjera mediatike që janë të afërta në politikat editoriale me qeverisjen.

Faqja e Kryeministrit, sapo transmeton një deklaratë, mbushet nga like dhe share, të cilat bëjnë që postimi i tij të dominojë postime të tjera dhe të zërë një sipërfaqe shumë të madhe të audiencave online. Dhe audienca grumbullohet artificialisht, me të njëjtin mekanizëm sikurse të ishte sponsorizuar. Por nëse postimi ka një akses të madh tek audiencat, algoritmi i jep edhe më shumë akses, duke e bërë këndvështrimin e qeverisë dominues në rrjete sociale. Postimi i Kryeministrit mund të ketë deri në 10 mijë shikues në moment, deri në 30 mijë like në pak minuta pa llogaritur komentet, të vetmet që pjesërisht nuk janë të komanduara. Dhe Edi Rama nuk është Rita Ora.

Të paktën 25-31 persona janë administratorë të faqes së tij, shumë më tepër se edhe faqja më e madhe online në Shqipëri, një investim shumë i madh krahasuar me secilin zyrtar të politikës në vend, që nuk ka as kapacitete financiare, por as strategji të tilla për të aktivizuar kaq shumë njerëz në funksionimin e një faqeje në “Facebook”. Postime të tëra, por edhe faqe lajmesh nuk ia dalin të shkojnë tek audiencat dhe të informojnë këndvështrimin tjetër për ngjarjet, deklaratat, zhvillimet politike apo ekonomike në vend, në të njëjtën masë apo afërsisht me postimet e qeverisë, për shkak të angazhimit të resurseve të tyre. “Facebook” dhe interneti ia japin këtë mundësi qeverisë.

Të gjithë mund të flasin, por jo të gjithë dëgjohen, mund të shtosh sa të duash mikrofona, por jo altoparlantë.

Kjo situatë për mediat online është më e rëndë sesa represioni që vjen përmes ligjeve, rregullave, bile edhe se represioni që vjen përmes shpërndarjes së reklamave dhe monopolizimit të tyre. Ajo është edhe më e rëndë sesa presioni direkt mbi mediat, apo presioni direkt mbi gazetarët. Kjo, për shkak se në kufizimet apo bllokimet online nuk ke mundësi rezistence, je i mundur për shkak të numrave. Mund të jesh gazetar që nuk komprometohesh, gazetar i guximshëm, media që nuk ta ndien për qeverinë dhe presionet e saj. Asnjë prej këtyre vetive nuk funksionon në rrjetet sociale përballë agresionit të trolls-ave. Atje ka ndeshje tjetër dhe të tjera rregulla loje që bëjnë të pavlefshme disa parime të “Facebook” për portalet, të cilat inkurajojnë përmbajtjen origjinale apo me vlerë të shtuar. Në fakt, këto parime të “Facebook” i ka marrë përpara qeveria dhe jo vetëm në Shqipëri.

Një nga mundësitë më të mëdha që realizohet fshehur nga sytë e çdokujt, bile edhe atyre që e vuajnë sulmin, është throtlling (mbytja, bllokimi apo ngadalësimi i rrjetit). Kjo vjen për shkak të bllokimit të sinjalit të internetit, ngadalësimit të sinjalit apo veçimit të disa mediave për të ecur ngadalë apo shpalosur me vështirësi në aparatet marrëse të përmbajtjes si telefoni, por edhe përmes kompjuterëve apo tabletit.

Të gjithë tregtarët e internetit në Shqipëri licencohen nga AKEP-i, një institucion në dukje i pavarur, por i menaxhuar nga qeveria. Nëse AKEP dëshiron të bllokojë media duke mos shkelur në pamje të parë as ligjin dhe as rregulloret e saj, mund ta bëjë. Kjo zyrë mund të inkurajojë furnizuesit me internet që të ngadalësojnë sinjalin në zona të caktuara dhe ta mbyllin atë për një periudhë kohe. Siç ndodh në Tiranë kur ka protesta. Por po ashtu, mund të hartojë ‘white list’ me domene ‘jomiqësore’ me qeverinë, shfaqja e të cilave në kompjuterë apo telefona duhet ngadalësuar. Kështu, një domen që nuk është në white list, mund të hapet në telefonin tuaj për 1 sekondë, ndërsa informacioni që të vjen nga një domen që është në këtë listë hapet shumë avash, ndoshta edhe 9 sekonda. Mund të mos hapet fare. Kjo varet nga disponimi i furnitorit ndaj urdhrit. Ky filtrim i këndvështrimit të informacionit përmes internetit, ndërkohë që mbi 60 për qind e informacionit merret përmes tij dhe vetëm përmes tij, cenon rëndë demokracinë. Qeveria mund të mbjellë drogë në gjithë Shqipërinë, siç ndodhi në vitin 2016 dhe vetëm një grup njerëzish të kufizuar mund të marrin informacionin që e vërteton këtë. Qeveria mund të japë PPP me dhjetëfishin e kostove reale të projekteve, por një grup i ngushtë audiencash mund ta marrin këtë lajm. Qytetarët mbesin të painformuar ose informohen përmes filtrave, ku lajmet rozë për qeverinë qarkullojnë lirshëm, ndërsa ato të tjerat me vështirësi ose nuk qarkullojnë fare.

Ende nuk ka të dhëna konkrete nëse qeveria e ka përdorur Throtlling për të zbehur alternativën tjetër të informacionit. Por i njëjti portal që citova më sipër (emri i portalit mund të bëhet i ditur për këdo që ka interes për t’u marrë me këtë çështje) thotë se ka marrë shpesh telefonata dy vitet e fundit prej lexuesve apo ndjekësve, ku i thuhet se domeni nuk hapet apo nuk shfaqet. Larg qoftë nëse qeveria ka urdhëruar përpilimin e listave të tilla. Megjithatë, nuk është kaq i nevojshëm një aksion i tillë. Rrjeti 4G që mundëson shpërndarjen e informacionit të shpejtë dhe në formate të ndryshme është i aplikueshëm vetëm në Tiranë, në fakt në qendër të Tiranës. Po u largove pak nga Tirana, transmetimi në 4G shfaqet rrallë edhe pse licencat parashikojnë mbulim kombëtar me sinjal.

Sa më në periferi të shkosh, aq më i pandjeshëm është interneti valor, ndërkohë që janë më të privilegjuar ata që përdorin apo furnizohen nga operatorë me kabull. Por kryesisht përmes internetit valor merret sinjali në telefona dhe shqiptarët informohen deri në 80% përmes internetit në telefon.

Furnizuesit e vegjël shesin kryesisht internet në paketa të vogla, që nuk mundësojnë transmetime të lehta në media. Varfëria e qytetarëve e bën Throtlling një fenomen natyral, pa nevojën për t’u inkurajuar nga qeveria dhe rregullatori. Megjithatë, sinjale të Throtlling ka. Nëse këto sinjale shtohen, atëherë ka edhe projekt për përdorimin e tij për të censuruar median online.

Nuk ka asnjë ligj që u siguron shqiptarëve pavarësinë dhe barazinë në marrjen e informacionit përmes internetit apo rrjeteve. Qeveria iu siguron akses të barabartë nga këndvështrimi i tregut, por jo shërbim të njëjtë.

Vendi është vetëm me tri-katër ligje që lidhen me përmbajtjen elektronike dhe ligji i fundit është miratuar në vitin 2015. Ai është më shumë amendim sesa ligj i ri dhe që përfaqëson problematikat. Qeveria nuk ka krijuar marrëveshje ligjore si vendet e tjera europiane me motorët e kërkimit dhe rrjetet dominuese sociale. Në këtë situatë ‘në natyrë’ të përdorimit të internetit në vend, qeveria ia del që të minimizojë efektet e lirisë që vjen nga interneti dhe rrjetet sociale, ndërkohë që nuk afishohet se po.

Ndërkaq, qeveria ka koncentruar dy vjet më parë të gjitha zyrat e IT-së së institucioneve në një zyrë të madhe, që administrohet nga AKSHI. Janë mbi 300 specialistë, që me një vullnet të qeverisë mund të përdoren për të krijuar dhe agresuar media, faqe, profile përmes softwareve të ndryshme (bots). Edhe pse kjo përbën një shkelje të madhe ligjore dhe shkelje të të paktën 3 neneve të Kushtetutës, shumë zyrtarë nuk janë të vetëdijshëm se po bëjnë një krim.

Ndërkohë, me paratë e qytetarëve shqiptarë, qeveria kontrakton kompani që qytetarët të mos mësojnë mbi qeverinë e tyre asgjë më shumë, sesa qeveria kërkon të dinë për të. Tipike është kontraktimi i “Akromax”, një kompani që drejtohet nga qytetarë shqiptarë, qartazi të lidhur fort me qeverinë që mbrojnë profilin e kësaj të fundit në rrjetet sociale. Pa respektuar asnjë princip të medias së lirë, por edhe të ligjeve në vendin ku operojnë, ata kufizojnë, raportojnë dhe bllokojnë shkrime, lajme dhe transmetime që prishin komoditetin e qeverisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura