Akoma tri ndeshje përpara sfidës së 1 marsit në “Allianz Stadium”: dy në Ligën e Europës kundër Ludogoretsit “të ndërprera” nga përballja në kampionat kundër Sampdorias. Më pas Interin e pret Juventusi, përballje kyçe për të matur ambiciet për titull të zikaltërve të prishura vetëm minimalisht nga humbja kundër Lacios.
Nëse përfshijmë edhe kthimin në Kupën e Italisë kundër Napolit, në kalendar pak ditë pas ndeshjes kundër bardhezinjve, ja ku shpjegohet përse për Antonio Konten bëhet tani më shumë se kurrë thelbësor kursimi i energjive, rikuperimi i të dëmtuarave dhe rikthimi në formë optimale i “qershisë mbi tortë” të merkatos: Kristian Eriksenin.
FORMACION DHE DILEMA – Nëse për danezin është më shumë se gjithçka një çështje përshtatjeje fiziko-taktike, dy sfidat e Ligës së Europës përfaqësojnë një test të rëndësishëm dhe, mbi të gjitha, të dobishëm. Ndaj, të gjithë treguesit shtyjnë të mendohet se mes titullarëve të ditës së nesërme, në Bullgari, do të përfshihet edhe Eriksen. Pritet të mungojë megjithatë Alesandro Bastoni, i shqetësuar nga një gjendje gripale. Sërish jashtë Stefano Sensi: dëmtimi në këmbë i kuptuar pas ndeshjes kundër Napolit do ta mbajë jashtë fushave edhe të dielën kundër Sampdorias dhe nuk ka siguri as rikthimi në kohë për kthimin në “San Siro” ndaj Ludogoretsit.
Prania e tij është më e mundshme, së paku në stol, kundër Juves. Për sa i përket kapitullit “Samir Handanoviç”, objektivi mbetet gjithmonë sfida e kampionatit. Portieri slloven nuk është sforcuar ende në stërvitje, as me protezën mbrojtëse për gishtin e thyer tashmë thuajse tri javë më parë. Ndien ende njëfarë dhimbjeje dhe me siguri do të mungojë nesër në Europë, vetëm përpara ndeshjes kundër skuadrës së Ranierit do të merret vendimi përfundimtar. Për momentin konsiderohet më i mundshëm angazhimi i tij javën e ardhshme në kthim kundër bullgarëve, edhe për të testuar kushtet në prag të Juventusit. Duke u rikthyer tek ata që do të zbresin në fushë nesër: në sulm parashikohet përdorimi i dyshes Lautaro-Sançez, edhe për t’i lejuar një pushim të merituar Lukakut. Pushim që mund t’i akordohet edhe Shkriniarit, i cili mund të zëvendësohet nga Ranokia.
Përgatiti: LEDIO NASE
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al