Inter-Juventus, a jeni ende për titull?/ Ekspertët Saki, Xof dhe Ranieri analizojnë krizën e dy gjigantëve

Sep 22, 2022 | 21:06
SHPËRNDAJE

Lamtumirë ëndrrës për titull apo ka ende kohë për të rikuperuar? A është ky momenti për të dorëzuar armët apo pushimi i kombëtareve do të riorganizojë idetë dhe do të mund të na shpalosë një tjetër version të Juventusit dhe Interit?

arigo saki

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, “La Gazzetta dello Sport” ka pyetur tre njerëz me eksperiencë të madhe në botën e futbollit italian (Arrigo Sakin, Dino Xofin dhe Klaudio Ranierin), të cilët kanë përjetuar momente të tilla dhe e dinë se  çfarë do të thotë të ndodhesh në këtë situatë.

Ajo që është e sigurt është se në këtë pikë të sezonit, pas shtatë javësh, bardhezinjtë dhe zikaltrit nuk prisnin të ndodheshin atje ku janë: shtatë dhe pesë pikë larg kryesuesve të Napolit. Por nuk është më shumë një çështje pikësh, sepse Juve dhe Interi e kanë sigurisht të gjithë kohën për të rikuperuar terren. Ajo që lë dyshime është mënyra se si kanë mbërritur deri këtu. Juve dhe Interi në këtë moment janë dy skuadra që luajnë keq, ose nuk luajnë fare.

Dhe që kanë shumë pak dëshirë për t’i bërë pis duart në momentet e vështirësive. Mungesat që peshojnë sigurisht janë një shpjegim vetëm i pjesshëm i nisjes së dobët. Eksperti Saki e përsërit prej kohësh: është një problem mentaliteti dhe dilet vetëm me lojën dhe jo duke pritur goditjet e kampionëve të veçantë.

Xof këshillon të tregohet durim dhe këmbëngul se ndryshimi i trajnerëve në këtë moment nuk shërben shumë, edhe sepse e njeh mirë ambientin. Për Ranierin humbja e një lojtari të rëndësishëm si Perisçi peshoi shumë tek Interi, ndërsa momenti i keq i Bremerit dhe Vlahoviçit është i pashpjegueshëm, por me Botërorin në nëntor gjithçka mund të ndryshojë. Ajo që nuk ndryshon është pyetja themelore: “Juve dhe Inter a janë ende për titull”?

RECETA E SAKIT: “Sot nuk janë ekipe titulli, ndryshimet vetëm po sollën përmirësim”

SAKI

Juventusi dhe Interi a janë jashtë garës për titull?

Nëse nuk ndryshojnë së shpejti do të thosha po. Do të ishte një utopi të thoshim se këto dy skuadra, ashtu si janë sot, janë në garë për titull.

Simone Inzagi dhe Alegri janë në rrezik. Çfarë mendoni?

Inzagi është rritur këto vitet e fundit, por në fund mbeti një takticien i mirë. Parimi është gjithnjë i njëjti: në fillim mos pëso, pastaj të shohim.

Interi praktikon një 5-3-2 me bollëk lojtarësh në mbrojtje, ndërsa sulmuesit dhe mesfushorët janë gjithnjë në inferioritet numerik.

Po për Alegrin çfarë mendoni?

Trajneri i madh, takticien i madh, i cili ka fituar shumë. Tani tifozët që në fillim e lavdëronin, kërkojnë kokën e tij. Nuk po përsërit sukseset e së shkuarës, por Juve po përjeton momente të vështira prej disa vitesh. Alegri bazohet te lojtarë me klas të lartë, që duhet të zëvendësojnë lojën kolektive. Tani kanë ardhur lojtarë me më pak karakter të fortë se sa ishin Kielini dhe është Bonuçi.

Ka zgjidhje për Interin? A peshon mungesa e Lukakut?

E vetmja zgjidhje është të gjendet sa më shpejtë vendosmëria dhe shpirti i sakrificës që ishin në kohën e Kontes. Duhet motivim, duhet një lojë skuadre. Të gjithë kanë dëmtimet e tyre. Ne te Milani fituam titullin në 1988 dhe Van Basten luajti vetëm 3 ndeshje.

Ka shanse që zikaltrit ta rimarrin veten?

Ka, sepse grupi përbëhet nga individë cilësorë dhe eksperiencë të jashtëzakonshme.Por ndonjëherë në fushë nuk shihet personaliteti dhe vullneti fitues. Problemi nuk është te zëvendësimet e një apo dy lojtarëve në mes të pjesës së parë siç ndodhi në Udine, problemi është në bazë, zikaltrit janë të gjithë taktikë dhe jo strategë.

Cili është problemi kryesor i Alegrit?

Atij i pëlqen një lojë shumë e mbuluar dhe pastaj është individi ai që duhet të bëjë diferencën. Unë vazhdoj të mendoj se të kesh dominimin e lojës është e nevojshme për të shtuar vetëvlerësimin e skuadrës. Uinston Çërçill thoshte: “Të ndryshosh nuk do të thotë domosdoshmërish se do përmirësohesh, por për t’u përmirësuar duhet të ndryshosh”.

RECETA E XOFIT: “Kanë kohë për të rikuperuar dhe synuar sërish vendin e parë”

Dino Xof

E prisnit një nisje kaq të ngadaltë të Juventusit dhe Interit?

Sinqerisht jo. Sepse flasim për klube të nivelit të parë që nisen gjithnjë për të fituar titullin. Por diçka nuk ka funksionuar dhe duhet kuptuar shpejt si të sistemosh gjërat dhe rinisur.

Ju mendoni se të dyja skuadrat mund të mbeten ende në garë për titullin?

Po, sepse jemi vetëm në fillim të një kampionati shumë anormal mes ndërprerjeve, një Botërori në mes dhe kalendarit shumë të ngjeshur. Dhe pastaj nuk mungojnë burimet dhe eksperienca për drejtuesit që t’i sistemojnë gjërat.

Flitet edhe për shkarkime, sipas jush, a do të mund t’i jepnin ato një shkundje Juventusit apo Interit?

Në parim mendoj se shkarkimi i një trajneri është i gabuar nëse projektimi i skuadrës është bërë me të. Dhe pastaj Inzagi dhe Alegri e njohin shumë mirë ambientin dhe do kenë aftësinë për t’i ringritur skuadrat.

Zikaltrit kanë humbur 4 ndeshje nga 9 këtë sezon, përse?

Vetëm kush është brenda grupit mund t’i identifikojë arsyet e vërteta. E parë nga jashtë më duket se i kanë humbur ato siguritë në mbrojtje, që ishin për një kohë të gjatë një gur themeli përpara Kontes, por më pas edhe me Inzagin. Ekuilibra që mund të rigjehen. Juve është keq në kampionat, por edhe në Champions. Sigurisht që kanë ndikuar dëmtimet dhe situata të tjera.

Kartoni i kuq i Di Marias duket si simbol i tensionit?

Kur gjërat nuk shkojnë mirë nervozizmi është pasoja. Duhet gjetur menjëherë përqendrimi dhe përmirësimi i lojës. Bardhezinjtë kanë bërë një merkato të rëndësishme.

Rinis sezoni në tetor me plot 12 ndeshje në 44 ditë. Më mirë apo më keq për ata që duhet të rikuperojnë?

Nëse gjen shpejtë formën, më mirë. Sepse kështu djeg etapat dhe me entuziazëm mund të arrish një seri të rëndësishme rezultatesh. Sigurisht që do të jetë një kampionat anormal.

Dhe çfarë ju pëlqen në këtë moment?

Loja dhe shkëlqimi i Napolit. Qëndrueshmëria e Udinezes. Nuk e di deri ku mund të mbërrijnë, por jam i kënaqur sepse janë dy skuadra të miat.

RECETA E RANIERIT: “Bardhezinjve u mungon alegria, zikaltrit kanë humbur pa Perisiçin”

Ranieri

Klaudio Ranieri, çfarë po i ndodh Interit dhe Juves?

Kjo është diçka shumë e vështirë. Askush nga jashtë nuk mund ta dijë me të vërtetë se çfarë po ndodh. Më duket se Juve nuk është ajo që ishte parashikuar dhe Interi ka humbur fillin e diskutimit.

Ta nisim nga Juve?

Mori Di Marian dhe Pogbanë dhe pret Kiezën. Por derisa të mos jenë të gjithë të disponueshëm nuk do të jetë Juve e vërtetë. Ajo që është e çuditshme duke i parë në fushë është se mungon alegria dhe vendosmëria e skuadrave të Alegrit, gjithnjë të forta.

Po Interi?

Nuk është më vetja prej humbjes së derbit vitin e shkuar, kur nisi të humbasë titullin. Mori Lukakun për të rikuperuar grintën e dikurshme, por e humbi menjëherë. Le t’i japim kohë Inzagit, edhe pse ndonjë zëvendësim duket i nxituar. Në të tilla raste do ishte mirë të flitej me lojtarët për të kuptuar se pas kartonit të verdhë, mund të vazhdojë.

Perisiçin?

Po, lojtarin që sulmonte, krijonte superioritet dhe rikthehej në mbrojtje.

Te Juve duket sikur lojtarët po zhvlerësohen. Nga Bremer te Lokateli, nga Vlahoviç te Kostiç dhe Di Maria, asnjëri në lartësinë e klubeve nga erdhën.

Jo gjithnjë kalimi nga një klub i vogël ose mesatar te Juve vjen pa dhimbje. Më kujtohet Fana, xhevahiri i Atalantës pak në vështirësi te Juve. Sigurisht që Bremeri, nga ai i pakalueshmi te Torino është e pashpjegueshme. Dhe nuk kuptoj Vlahoviçin. Një 9 që çdo trajner do donte ta kishte, e megjithatë po shënon pak.

Sinqerisht, do kishte kuptim një ndryshim gjatë kampionatit?

Po, po aq sinqerisht, menjëherë në rast se trajneri nuk e ka më në dorë skuadrën, sepse do të thotë se ka mbaruar. Përndryshe jo.

Klubi nuk duhet të flasë me trajnerin në një moment të tillë?

Nuk mund ta besoj se Nedved nuk po diskuton me Alegrin apo Marota me Inzagin.

Juve dhe Interi, a janë ende për titull?

Përse jo? Është kampionati më i çuditshëm. Pas Botërorit do të rinisë dhe të shohim si do të kthehen lojtarët nga Katari. Mbi të gjitha do të varet nga Napoli dhe Milani, pa harruar Atalantën dhe Udinezen.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura