Inteligjencë Artificiale

Oct 2, 2023 | 9:00
SHPËRNDAJE

NGA DONIKA ÇAPI 

Donika Capi

Tabloja këtu titullohet “Thèatre d’Opera Spatial”. Edhe pse ka zgjedhur ta titullojë në frëngjisht, autori është amerikan. Quhet Jason Allen, me profesion ideues dhe krijues lojërash elektronike.

Kjo vepër u shfaq në Panairin Artistik të Shtetit të Colorado-s (SHBA), në 22 gusht 2022. Juria e vlerësoi me çmimin e parë në kategorinë: “Digital Art”. Që prej atëherë, tabloja dhe autori i saj mbeten objekt diskutimesh të zellshme.

Mund të quhet kjo tablo një vepër arti?! Si është lejuar një tablo e tillë të ekspozohet si punë artistike?! Mbi ç’bazë autori i saj na qenka artist?!! Si mund të vlerësohet ky punim me një çmim?! Dhe aq më tepër me çmim të parë!!! Ku kanë humbur vlerësuesit, interpretuesit, kritikët e artit? Në çfarë bote po jetojmë?

Sinqerisht?!

Mund ta marrim pak më qetë? Estetikisht, tabloja qëndron. Subjekti është i identifikueshëm: skenë operash; dritare rrethore nga ku shihet një peizazh malor; tri figura femërore, në qendër, kompozuar sipas rregullit trekëndor. Veshjet e grave janë po ashtu të identifikueshme: kombinim i balancuar mes periudhës antike Greko-Romake dhe asaj të shekullit XVIII. Harmonia e vendosjes së formave në hapësirë, e ngjyrave dhe e materialeve është korrekte. Formalisht, kjo tablo mund të cilësohet si një punim artistik.

Nëse këtu ka një problem, domosdoshmërisht ai nuk është estetik.

Problemi, le të flasim hapur, është programi “Midjourney”!

“Midjourney” përdor Inteligjencën Artificiale (Open AI) për të dekodifikuar gjuhën njerëzore (të shkruar apo të folur) dhe krijon korrespondencën vizuale për çfarëdolloj teksti të shkruar. Jason Allen e përdori për të vizualizuar një “skript” rreth një skene operash në hapësire. Edhe pse “skripti” kërkoi muaj të tërë pune kërkimore dhe përsosjeje linguistike, gjeneruesi i vërtetë i “Thèatre d’Opera Spatial” është “Midjourney”. Shumë studiues dhe amatorë të arteve pamore janë të bindur se kjo vepër është një mashtrim dhe autori i saj mashtrues. Jason Allen mendon të kundërtën. Këndvështrimi personal, origjinal dhe unik i autorit të “skriptit” mjafton që punimi të klasifikohet si art, edhe pse i gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale. Kjo e fundit ka të bëjë vetëm me teknikën apo mjetet e vëna në përdorim prej krijuesit.

Tashmë, organizatorët dhe kuratorët e ekspozimeve të arteve pamore kujdesen të bëjnë të qartë qëndrimin e tyre: fotografitë apo pikturat e gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale nuk janë pjesë e arteve të bukura dhe nuk mund të ekspozohen si të tilla.

Impakti i Inteligjencës Artificiale nuk shihet vetëm në artet e bukura. Në vetëm një vit kalendarik, 2022-2023, një sërë profesionesh të tjera po vihen në pikëpyetje.

Përkthyesit simultanë apo dubluesit e materialeve audio-vizive u ndeshën me një program të ri përkthimi simultan, hedhur në përdorim kësaj jave. Inteligjenca Artificiale përkthen diskursin e një personi nga një gjuhë në tjetrën duke përshtatur lëvizjen e buzëve të tij me fonetikën e gjuhës së përkthyer. E gjitha kjo në kohë reale. Për shembull, Donald Trump është duke dhënë një konferencë për shtyp në anglisht, transmetuar live nga CNN. Në të njëjtën kohë, në Rai Uno, ai flet po “live” dhe në italisht. Përshtatja e lëvizjes së buzëve të tij përmes Inteligjencës Artificiale me fonetikën e gjuhës italiane, bën të besueshëm perceptimin se Donald Trump po flet live në italisht. E njëjta gjë edhe me Charle de Gaulle. Ai duket se po i adresohej popullit francez në gjermanisht.

Ka një risk real që përkthyesit simultanë dhe dubluesit e filmave apo serive (mbi të gjitha të Netflix-it) të bëhen të panevojshëm në treg. Edhe pse ata besojnë se profesionalizmi i përkthyesve të talentuar nuk mund të barazohet me Inteligjencën Artificale.

Këto shqetësime janë reale, por … Sigurisht që ka një “por”…

Inteligjenca Artificiale që po riskon me shuarje disa prej profesioneve më të vlefshme, realisht është vetëm një prej dimensioneve të automatizimit. Proces ky që zhvillohet prej disa shekujsh, mbase që nga Industrializimi.

Automatizimi ishte dhe mbetet kusht i domosdoshëm për rritjen e produktivitetit, menaxhimin efektiv të kohës, shmangien e rrezikut të uljes së cilësisë nga përsëritja rutinore e proceseve. Ai është parakusht për zhvillimin personal apo social ngaqë zvogëlon kohën e shpenzuar me procese repetitive dhe zmadhon kohën cilësore.

Përse ky dimension i automatizimit shkakton kaq shumë panik? Sikur të ishte i papritur …

Është e dukshme se dija (mbledhja dhe përpunimi i informacioneve teorike dhe praktike rreth një subjekti të caktuar) është “Google”-zuar dhe “Wiki”-zuar. Algoritmizimi i dijes ushtrohet në një rrjet virtual horizontal, dmth pa struktura hierarkike. Të rinjve të gjeneratës Y dhe Z, monopolizimi i dijeve teorike dhe praktike nga autoritete të konfirmuara, u duket diçka totalisht “artificiale” dhe lehtësisht e zëvendësueshme.

Në këto kushte, Inteligjenca Artificiale si automatizim i dijes horizontale, kryen funksionin e saj të shmangies së kohës së shpenzuar me procesin repetitiv të kërkimit të informacionit teorik e praktik në “Google”. Domosdoshmërisht, ajo vetëm se i shërben përftimit të një kohe cilësore që duhet kaluar duke i shërbyer mbase një tjetër lloji dijeje.

Një lloj dijeje të bazuar ndoshta te besimi në vërtetësinë e perceptimit individual, në narrativën personale që ka forca të formalizohet si unike? Me vetëdijen e plotë se nuk i mungon informacioni? Një lloj dije e ngjashme me atë të skriptit unik të Jason Allen?

Aq më tepër nuk ka vend për panik, pasi kjo lloj dijeje nuk është as krejtësisht e re dhe as krejtësisht e panjohur. Në formësimin e saj, nuk dalim nga ndonjë errësirë metafizike.

Henri Bergson i ka dedikuar një korpus gjigant filozofik kësaj lloj dijeje. Ai e quante “intuitë”, “forcë krijuese” ose “mendim që kap lëvizjen” ose “élan vital”. Procesin për të arritur te materializimi i kësaj lloj dijeje, Bergsoni e quante “Evolucion Krijues” në kundërshtim me Darvinizmin dhe Seleksionimin Natyror në shërbim të më të fortit.

Mundet që Inteligjenca Artificiale, më shumë sesa një rrezik, të jetë një mjet që mundëson Evolucionin Krijues.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura