“Intelektualët shqiptarë, Faustë të zhgënjyer”

Sep 18, 2013 | 21:10
SHPËRNDAJE

Alfred Trebicka
Kështu do të thoshte në një moment të përpjekjes së tij Fausti. Jo ai i Gëtes, ai i Stefan Çapalikut. Një Faust shqiptar që, në momentin e rënies së diktaturës, kishte kaq shumë ëndrra e s’do ta besonte kurrë se pas 23 vjetësh Shqipëria ende do të diskutonte anëtarësimin në Europë. Një Faust i zhgënjyer, i ndodhur mes Mefistofelit dhe Margaritës, mes sistemit ndrydhës politik dhe ëndrrave. “Fausti prej Tirane”, kështu titullohet monodrama e shkruar nga Stefan Çapaliku, me regji të tij, në bashkëpunim me Alfred Trebickën, që do të shfaqet premierë më datë 21 shtator në ambientet e “Tirana Ekspres” pranë ish-magazinave te stacioni i trenit. Në një ambient jokonvencional, për të treguar se teatër bëhet kudo. Rolin e Faustit e interpreton Alfred Trebicka, me mbështetjen e aktorëve Besmir Haliti dhe Julinda Emiri. Skenografia dhe kostumet janë realizuar nga artisti Ardian Isufi, ndërsa muzika nga Agron Shala. Pas shfaqjes në ambientet e Tirana Ekspres, pritet që vepra të zhvendoset në një tjetër skenë të Tiranës.

Ç’bën një Faust në Tiranë?
Citimi i kryeveprave të mëdha të letërsisë, artit botëror dhe kontekstualizimi i tyre është tashmë një mjet estetik relativisht i njohur. Është pjesë e frymës dhe shpirtit postmodern. Në reflektimet e mia, momenti i rrëzimit të sistemit komunist, që brezi im e ka përjetuar në një moshë madhore, në kulmin e rinisë, më ka kujtuar gjithnjë Faustin, shkencëtarin, intelektualin që është i mbushur me projekte për të ardhmen, për të shndërruar botën. Në të vërtetë, kështu kemi qenë dhe ne në vitin 1991, në moshën 25-26 vjeçare. Pra kjo është pika e nisjes, vetidentifikimi me figurën e Faustit. Ajo ku konsiston rikontekstualizimi, është rimarrja e këtij personazhi pas 23 vjetësh tranzicion. Pra çka ndodhur me Faustin pas 23 vjetësh. Këtu duhet kërkuar edhe thelbi dramatik i veprës. Pra, Fausti në refleksionet e tij, pas 23 vitesh tranzicion, kupton shumë gjëra dhe është në gjendje t’i artikulojë ato në publik..

Besoj se për Faustin ende nuk ka ardhur ai moment kur thotë: “Ndalu çast, se jam i lumtur!”, apo jo?
Fausti ynë do jetë një figurë tipike postkomuniste dhe veçanërisht shqiptare, sepse dozat e zhgënjimit pas kësaj epoke shumë të gjatë që ne kaluam, një epoke e cila po t’i referoheshim ’91-shit ishte e pabesueshme për ne, janë shumë të mëdha. Nëse atëherë do të na thoshte dikush se në 2013-n, Shqipëria do jetë prapë jashtë Europës, do ta konsideronim si mashtrimin më të madh të botës, sepse shpresonim se do të ecnim më shpejt. Pra, zhgënjimin e intelektualit shqiptar, që u përpoq me çdo mjet që ta ruajë pavarësinë e vet, të mos komprometohet në politikë, bëhet lënda e personazhit.

Stefan Çapaliku
Ku ka Faust, ka edhe Mefistofel, ka edhe Margaritë, si janë shkrirë këto dy personazhe në monodramë?
Vepra, edhe pse është monodramë, ka edhe dy personazhe të tjera, që janë Mefisto dhe Margarita. Mefisto identifikohet si sistemi politik, me faktin që intelektuali ka qenë gjithmonë një gjah për të. Politika gjithnjë ka dashur ta integrojë në radhët e veta, ta përdorë, ta komprometojë, t’ia cenojë pavarësinë dhe, në të shumtën e rasteve, ia ka dalë. Ata që ia kanë dalë të rezistojnë si Fausti, e kanë vuajtur këtë rezistencë. Ata kanë humbur shumë gjatë saj. Kanë humbur mundësinë për të realizuar projektet e veta. Janë gjetur gjithnjë në kurthin e së pamundurës. Figura tjetër është Margarita, e cila është heroina e vërtetë e veprës gëtiane. Ajo është e pranishme në shfaqje, herë si imazh, herë si frymë, herë si ëndërr, herë si zë. Dhe ne e shohim Faustin të përpëlitet mes Mefistos dhe Margaritës, mes të shkuarës dhe të sotmes.

A e bën paktin me djallin Fausti juaj?
Fausti ynë nuk e ka bërë këtë pakt dhe pikërisht për këtë është në këtë rrethanë. Po të kishte bërë paktin me djallin, maksimumi do shkruanim një komedi…

Pse keni zgjedhur ta shfaqni për së pari monodramën tuaj te kompleksi i magazinave?
E kemi zgjedhur me shumë ndërgjegje këtë vend, sepse është një hapësirë postindustriale, që na kujton me të gjitha dimensionet e veta të shkuarën dhe, në fund të fundit, për të rivitalizuar këtë hapësirë, duke iu afruar përpjekjes së Faustit për të rivitalizuar çdo gjë të mirë. Por është edhe arsye estetike. Ne duam të bëjmë një teatër jozyrtar, jokonvencional, jomediokër, që nis si eksperiment dhe alternativë dhe ka për finale po eksperimentin dhe alternativën, me shpresën se do t’i mësojmë njerëzit ta kërkojnë teatrin jashtë skenave konvencionale. Veçanërisht brezin e ri, ta mësojmë me sa të mundim, jashtë dyerve të Akademisë ku japim mësim, se teatri gjendet kudo. Teatër mund të bësh në rrugë, në një garazh makine, në një magazinë, siç është rasti ynë dhe kurrkush që tani e tutje nuk ka gojë të ankohet se “unë nuk kam një skenë ku të bëj teatër”. Ne po japim një shembull për këtë.

Alfred Trebicka: Një Faust me ngjyra kombëtare
Kur mori në dorë tekstin e monodramës, aktori dhe regjisori Alfred Trebicka nuk mund të mos tundohej ta bënte për vete rolin e Faustit, të një figure tashmë të kthyer në një simbol universal. Por kësaj here bëhet fjalë për një Faust shqiptar, që paktin me djallin e ka bërë i detyruar, si pjesë e mekanizmit të së tërës. “Jam shumë entuziast, qoftë me materialin dramaturgjik, qoftë me konceptin që ne do të servirim, sepse ne e kemi nacionalizuar në masën e duhur këtë figurë. Pra, nuk bëhet fjalë për Faustin klasik të Gëtes. Thelbi është ai, por karakteri i tij, te kjo vepër, është plotësisht shqiptar. Është ai intelektuali që e priti me një ngazëllim të jashtëzakonshëm momentin e ndërrimit të sistemeve. Një ëndërr gati-gati e frikshme. Por vepra fokusohet tek ajo çfarë ka ndodhur pas 22 vjetësh nga ndryshimi i madh. Personalisht e kam perceptuar në inversin e vet, si në epokën para Krishtit, kur vitet numëroheshin së prapthi drejt zeros. 2013 që shkon drejt 1991- shit. Këtu qëndron edhe drama e madhe e këtij karakteri dhe simbolikës së tij”, thotë Trebicka. Ndërsa prej ambienteve të Tirana Ekspres vjen zhurma e goditjes së çekiçit, të montimit të shkallëve, ku do të rrinë spektatorët, Trebicka thotë se nga letra deri te spektatori, veprës i është dashur të kalojë një kalvar, gati të pabesueshëm. “Nga ana skenike, është një sfidë shumë e madhe për një aktor të vërë në skenë një monodramë, aq më tepër vendosja në këtë vend këtu, që është brenda frymës, brenda konceptit. Jo si qëllim në vetvete, por e mirëmenduar, brenda mesazheve që përcjell vepra. Shpresoj të ketë një impakt shumë të madh, pasi është një pjesë e mirë e intelektualëve, që e gjen veten në këtë zgrip, në këtë përpëlitje”.
ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura