Integrimi, një proces i zënë pak “ngushtë”

Sep 13, 2017 | 10:41
SHPËRNDAJE

elira luliELIRA LULI*

Procesi i integrimit të Sh qipërisë në BE është gjithmonë një çështje me rëndësi në axhendën politike, mediatike e akademike, por edhe njerëzore qytetare. Në vazhdim pritet dalja e raportit të BE-së dhe në bazë të progresit me reformat, ku më thelbësore mbetet “Vetting-u”, do mund të shpresohet hapja e negociatave dhe marrja e rekomandimit për anëtarësim në BE.

Kjo tregon që Shqipëria është në një moment vendimtar për luajtjen e kartave të saj. Deri tani, në realitetin shqiptar politika ka ndjekur pikërisht rrugë të shkurtra dhe të shpejta për sa i përket procesit të përshtatjes politike-normative dhe rrugës së shtet-formimit, madje edhe nëse nuk ka pasur të tilla, janë shpikur në moment, falë edhe shtytjes së faktorit ndërkombëtar, për të dalë nga ngërçet politike të krijuara nga vetë qarku politik, duke dëshmuar pikërisht ato zgjidhje “të momentit të fundit” që vijnë si rezultat i rritjes së presionit nga të gjitha kahet politike, por jo si zgjidhje që vijnë rrjedhshëm dhe natyrshëm nga një kulture demokratike, dialog, apo vullnet politik i skalitur në kohë mbi vlerat themelore demokratike, që përkojnë dhe me interesin kombëtar.

Marrëdhënia Shqipëri–BE nuk është vetëm një marrëdhënie e spektrit politik. I mëshohet spektrit politik, meqenëse është pjesa më e rëndësishme si për BE-në, ashtu edhe për Shqipërinë, por kjo marrëdhënie ka një “contextus” shumë të gjerë nyjesh që lidhin Shqipërinë rrënjësisht me BE-në. Duket sikur kjo marrëdhënie i përngjan kubit shumëfaqesh të Rubikut, faqet e të cilit lidhin një bosht në dimensione të ndryshme. Gjatë rrotullimit të shtresave shumëngjyrëshe të kubit, shumë ngjyra përkojnë, ashtu siç shumë dimensione të boshtit të marrëdhënies BE-Shqipëri përkojnë me njëra- tjetrën.

Kjo është shumë e rëndësishme për t’u sjellë në vëmendje, pasi nga perspektiva e BE-së, kjo mbetet paksa në harresë, duke i mëshuar gjithmonë e më shumë aspektit politik dhe normativ dhe arritjeve që duhet të bëjë Shqipëria në këtë drejtim. Ndërsa, Shqipëria dhe shqiptarët njohin dhe dimensionet e tjera të kësaj marrëdhënie, pasi Europa për ta ka qenë dhe do të mbetet si një “Alma mater”, (në kuptimin e parë të fjalës, pra të mëmësisë e pastaj të më- sonjëtores) nga e cila janë ushqyer e janë frymë- zuar shumë kulturalisht dhe artistikisht, pavarësisht rrjedhave historike dhe konjukturave politike që ka kaluar Shqipëria dhe Ballkani gjatë shekujve.

Pra, duke qenë edhe pjesë e pandashme e Europës gjeografikisht, Shqipëria shpreson gjithmonë se më në fund, ajo një ditë do t’i rikthejë ata në shtëpinë e madhe, por për rikthimin e tyre përfundimtar, nevojitet që të gjitha dimensionet e marrëdhënies së këtij boshti të përkojnë, ashtu si shtresat e kubeve të vogla të “puzzle-it” të Rubik-ut duhet të kthehen në faqe me ngjyra të njëllojta që të quhet i zgjidhur.

Ky “puzzle” në dukje shfaqet sikur ka mbetur në dorën e politikës shqiptare për t’u zgjidhur, por nuk duhet harruar se rol të pashmangshëm në shpejtësinë e zgjidhjes dhe përshtatjes përfundimtare të dimensioneve të këtij puzzle-i e ka gjithmonë BE si një aktor normativ, që do të dijë të ridimensionojë politikat e saj kundrejt vendeve të Ballkanit, e ndërkohë, një rol gjithmonë e më të madh duhet të marrë shoqëria e organizuar civile shqiptare, intelektualët dhe qytetarët e thjeshtë.

DIMENSIONET E NJË MARRËDHËNIEJE (BE-SHQIPËRI) SA TË NGUSHTË, AQ EDHE TE LARGËT

Shqipëri-BE mbetet një marrëdhënie shpirtërore–kulturore dhe vlerore sa e afërt, po aq dhe e largët dhe e komplikuar, siç edhe u cek më sipër në aspektin e përshtatjes politikedemokratike. Kur i referohemi marrëdhënies shpirtërore, nënkuptohet vokacioni dhe përkatësia që shqiptarët ndiejnë ndaj asaj pjese gjeografike e marrë si e plotë, me larmitë e mëdha kombëtare e rrjedhimisht kulturore, gjuhësore, historike dhe mënyrat e ndryshme të jetuarit dhe të mentaliteteve që gjenden në atë kontinent, ku nuk reshtin prurjet e ndryshme etnike dhe kombëtare.

Ndërkohë, kur i referohemi marrëdhënieve kulturore, Shqipëria dhe shqiptarët (e parë po nga një perspektive e brendshme), e kanë gjetur veten gjithmonë pranë gjirit europian, ku ndeshen me lloje të ndryshme kulturash dhe një civilizim, i cili mban kontributin e gjithë këtyre kombeve në zhvillimin dhe modernizimin e të gjitha fushave. Pra, gjithçka duket sikur përkon në aspektin e lartpërmendur, për sa kohë shqiptarët gjejnë një vend të natyrshëm shpirtëror dhe kulturor në BE, por me një vështirësi të madhe në aspektin politik-demokratik, kur flitet për arritjen përfundimtare të Shqipërisë, si një anëtar me të drejta të plota (e parë dhe nga perspektiva e BE-së) në këtë familje të madhe kombesh.

Ajo çfarë populli shqiptar pyet veten shpesh është, “përse vazhdojmë të mbetemi kaq larg” në rrugën drejt standardizimit politik dhe demokratik sipas vlerave dhe normave, që aplikon BE si një fuqi normative. Në fakt, momentet e vështira historike dhe politike kanë lënë gjurmë në sjelljen etike dhe sipas normave konstitucionale të duhura në kombin shqiptar, duke e shkëputur këtë komb me periudha të gjata nga perëndimi, nga mentaliteti, zhvillimet e ndryshme dhe civilizimi i tij.

Por, në kuptimin shpirtëror dhe kulturor, nuk ka asnjë dyshim, se në thelb kombi shqiptar, me origjinën e tij paneuropiane dhe panballkanike, ka qenë që herët në marrëdhënie të gjera me fqinjët e tij dhe Europën. Duhet kuptuar që rruga drejt BE-së nuk është një trajektore e kundërt nga rruga e shtetformimit shqiptar.

Pikërisht, tranzicioni i gjatë demokratik i Shqipërisë dëshmon se ajo çfarë e ka mbajtur peng Shqipërinë deri tani në rrugën drejt BE-së, janë pikërisht mosplotësimi ende i kritereve të vendosura nga Këshilli i Kopenhagenit, të cilat do të mund të mundësoheshin nëpërmjet asistencës së procesit të Stabilizim-Asocimit. Kur përmendet BE si një fuqi normative, merren parasysh vlerat dhe normat që qëndrojnë në themel të çdo traktati Europiani.

Autori Ian Manners dhe të tjerë, prej kohësh janë munduar të sqarojnë rolin normativ të BE-së në politikën ndërkombëtare dhe në politikat që ajo aplikon për zgjerimin e saj, duke shpjeguar që BE ”ndryshon normat, standardet dhe rekomandimet e politikës botërore, larg nga pritshmëritë e kufizuara” që mund të ketë modeli i “shtetit centrik”. Duhet patur parasysh që këto norma dhe standarde nuk u shpikën rastësisht, por “përgjithësisht njihen si të zbatueshme në mënyrë universale, brenda sistemit të Kombeve të Bashkuara” (Manners,2008:45-46).

Këto norma dhe vlera, të cilat shtetet aspiruese për të aderuar në BE duhet t’i miratojnë, implementojnë dhe zbatojnë, janë tashmë të përfshira në boshtin ligjor të BE-së, ose siç quhet ndryshe sipas konceptit të BE-së, “acquis qumunitaire”. Autori Manners liston si vlera thelbësore të këtij boshti: paqen, lirinë, demokracinë, sundimin e ligjit, respektin për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore (Manners 2002;242) Këto vlera janë riformuluar ndër vite dhe rikonceptuar në praktikat e BE-së sipas nevojës së zgjerimit dhe qëllimit për të influencuar në vendet fqinje dhe periferitë e saj me 4 norma “të reja” si: “solidariteti social, antidiskriminimi, zhvillimi i qëndrueshëm dhe qeverisja e mirë” (ibid).

Duke pasur parasysh këto vlera dhe norma, rikujtojmë se çfarë kërkon BE në rastin shqiptar dhe ku jemi ne në raport me këto vlera, duke evidentuar se promovimi i këtyre normave dhe vlerave nuk krijon përplasje me interesin kombëtar, por në fakt është rruga e vetme drejt konsolidimit të demokracisë dhe shtetformimit, që do të thotë e barabartë me interesin kombëtar.

RRUGA DREJT BE-SË, RRUGA E VETME DREJT SHTETFORMIMIT SHQIPTAR. KOMUNIKIMI EFIKAS NDËRMJET NIVELEVE “TOP DOWN–BOTTOM UP”

Kur normat dhe vlerat e BE-së përvetësohen dhe pasqyrohen në realitetin e brendshëm politik, në këtë mënyrë edhe BE realizon dhe përmbush rolin e saj. Për të përmbushur rolin e saj, ajo, në rastin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera (aspirantë për aderim) të Ballkanit, ka hasur në vështirësi, siç edhe e dimë te rolet dhe realitetet kombëtare të këtyre vendeve. BE është një “identitet politik ende në ndërtim” (Svensson 2017;8) me kriza dhe sfida të vazhdueshme brenda saj dhe roli që BE ka në sferën ndërkombëtare, por sidomos roli që luan në vendet, të cilat aspirojnë të anëtarësohen, duke shpërndarë norma, vlera dhe ide, ka si qëllim “formimin e një identiteti të përbashkët europian” (Svensson 2017;9), që mbetet në thelb politik.

Autorja Lucarelli shprehet se, në rastin e BE-së “performanca politike është një komponent themelor i procesit të formimit të identitetit të saj, veçanërisht në një entitet kaq të diferencuar kulturalisht siç është BE” (Lucarelli 2007;25). Shqipëria, duke iu nënshtruar procesit të anëtarësimit, ka aprovuar t’u nënshtrohet praktikave për përmbushjen e standardeve duke implementuar dhe mishëruar këto norma. Ky proces ende mbetet i gjatë dhe i vështirë, pasi roli dhe realiteti kombëtar ka qenë i formësuar nga vlera, ideologji, mendësi autokrate dhe sisteme politike tepër centrike dhe të vjetërsuara.

Shqipëria, ashtu si vendet e tjera të Ballkanit, mbetet shumë e ekspozuar ndaj sfidave si emigrimi, rrjeti i krimit të organizuar, korrupsioni, terrorizmi, populizmi, nacionalizmi, mungesa e dialogut politik dhe çështje të tjera të sigurisë, kështu që thjesht një angazhim parandalues i BE-së, apo siç autorja Lucarelli e quan “parandalim strukturor” nëpërmjet “angazhimit konstruktiv dhe partneritetit”, duke përdorur instrumenta si “ solidariteti, multilateralizmi, solidariteti, mbështetja për demokracinë dhe të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e qëndrueshëm” (Lucarelli 2007;26) nuk janë më të mjaftueshme, dhe këto sfida tregojnë qartë që BE duhet të rilançojë dhe ridimensionojë rolin e saj në Ballkan vitet e ardhshme, gjithashtu edhe Shqipëria duhet të dëshmojë që është e aftë të ndërtojë standardet e demokracisë që kërkon BE.

Shqipëria, në vazhdim, duhet të heqë perceptimet dhe imazhin negativ, si një vend që brehet nga divergjencat destruktive politike, korrupsioni, krimi i organizuar dhe njëkohësisht duhet të progresojë ekonomikisht. Progresi ekonomik është i rëndësishëm për arritjen e një standardi jetese që afron me ato të vendeve të BE-së, por deri tani, duket e pamundur arritja e nivelit të duhur, pasi normat e rritjes ekonomike duken ende të ulëta.

Shqipëria ka nevojë për një model të ri qeverisjeje, me ndihmën e një pune aktivizuese të BE-së nga lart (pavarësisht se rregullat nga ana saj për anëtarësim duket se nuk do të lehtësohen dhe nuk do të ndryshojnë për një fare kohe) dhe me iniciativën e duhur të brendshme të mund të ndërtohet ajo “bottom up layer”, ose e thënë ndryshe, ajo bazë solide shtetërore-kombëtare e demokracisë, që përfshin shumë aktorë të shoqërisë dhe mekanizma efikas në këtë proces.

Në fakt, kombi shqiptar është formësuar që drejtimi dhe politikat të jepen dhe të shënjohen nga lart, pa asnjë lloj përfshirjeje të aktorëve të tjerë shoqëror dhe kërkesë llogarie, pa pjesëmarrje të gjerë, por kjo tendencë e vjetër duhet të ndryshojë. Vetë BE kërkon nga vendet ballkanike që të ndërtojnë modelin e shoqërive të hapura. Bazat e demokracisë ndërtohen kur populli shqyrton atë që bën politika duke u përfshirë në atë proces, pasi politika s’e ka shkopin magjik që të ndreqë hallet e saj e vetme edhe vetëm në pak kohë.

Është aktivizimi i të gjitha shtresave të shoqërisë dhe funksionimi i mekanizmave dhe institucioneve që mund të sjellë ndryshimin politik dhe ekonomik, duke ndryshuar modelet e dështuara. Sistemet ekonomike dhe politike shohin rezultatet kur organizimi i veprimeve njerëzore dhe i punës së përbashkët ndërtohet nga bazat, sipas nevojave humane dhe jo me projektime të gatshme. Demokracia është një proces që ecën ngadalë dhe për ecurinë e saj, pjesëmarrja gjithëpërfshirëse e niveleve të ndryshme të shoqërisë është çelësi.

Kur flitet për pjesëmarrje dhe përfshirje nënkuptohet një komunikim që arrin një vijë horizontale të komunikimit, ku politika dizenjon axhendat politike dhe përmbush politikat në interes të komunitetit, ndërkohë shoqëria, nëpërmjet pjesëmarrjes, ka një zë për kërkesë llogarie dhe një feed-back për çfarë ndodh dhe vendoset. Gjithë kjo ka të bëjë me arritjen e një kulture komunikimi, nga e cila pritet që qeveria (niveli lart) të përfshijë (nivelin poshtë) qytetarët në vendimmarrje të rëndësishme, për të cilat ka llogaridhënieje.

Pritet ajo kulturë komunikimi që nuk nxjerrë në dërrasë të zezë fajtorët për ndëshkim, duke ngjallur urrejtje e diferencë, por që promovon paqen dhe solidaritetin në popull, ku punohet bashkërisht për kapërcimin e sfidave sociale dhe marrjen e vendimeve efikase. Pritet ai dialog konstruktiv i nivelit të lartë (pozitë–opozitë), në pikë takimi me nivelin poshtë-qytetarë të të gjitha shtresave për ndryshimin e vetvetes, për shanse më të mëdha që lënë gjithmonë e më pak hapësirë për përjashtimin e më shumë hapësirë për meritokracinë.

Modeli, mendësia mund të ndryshohet kur ndryshimet të vijnë nga një sistem efikas kontrolli për të gjithë, me një sistem gjyqësori efikas, zbatueshmërinë e ligjeve dhe funksionimin e institucioneve shtetërore. Dialogu dhe kultura e komunikimit nuk është thjesht komunikimi dixhital social që bën niveli lart me pjesën poshtë, por një proces shumë më i thellë dhe i vërtetë, ku mundësia për dialog, në vend të luftës për pushtet dhe në favor të reformave është më e madhe.

Llogaridhënia dhe denoncimi nëpërmjet procesit të komunikimit, përsa i përket sundimit të ligjit, rasteve diskriminuese, konkurrencës së pandershme, luftës ndaj meritokracisë, mungesave të theksuara në nevojat bazë humane, varfërisë, krimit, dhunës, edukimit, shkeljes së të drejtave të njeriut, nuk është aspak një proces “utopik” i parealizueshëm, por një mekanizëm i rëndësishëm i kulturës demokratike. Progresi social, zhvillimi i qëndrueshëm, qeverisja efikase, sundimi i ligjit, demokracia, antidiskriminimi dhe reformat që lidhen me këto vlera, duhet të kalojnë në një proces komunikimi, i cili kërkon një kulturë demokratike të mirëfilltë.

Është krijuar bindja që mekanizma efikase për funksionimin e demokracisë janë gati të parealizueshme për realitetin shqiptar, por ajo çfarë kërkohet është “algoritmi” i duhur (si në rastin e zgjidhjes së Rubik-ut “), i cili të mund të ndryshojë të zakonshmen në politikë dhe të sjellë risi duke ndjekur hapat e duhur për një implementim solid dhe përshtatje të mirë, pa presionin e mirë ndërkombëtar në situata bllokuese, por thjesht duke instaluar klimën e dialogut demokratik me mekanizmat e përshtatshëm për një shtet më të fortë dhe një shoqëri më të gjallë, aktive dhe të përgjegjshme.

*Autorja është studiuese e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, me fokus në çështjet e integrimit dhe çështjet politike-kulturore e sociale të Ballkanit. Ka mbrojtur doktoraturën në profilin Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkenca Politike. Ky artikull është në disa pjesë në një linjë mendimi me tezen e mbrojtur nga autorja, me titull “ Vlerat kombëtare në procesin e integrimit europian”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura