Integrimi, drejtësia dhe Kovidi

Nov 23, 2020 | 8:30
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO

Pellumb nako

Hapja e negociatave për aderimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian u shty përsëri. Qeveria thotë se ajo i ka bërë detyrat e ngarkuara, duke venë në dukje me këtë rast sidomos reformën e saj të reformave, majën e diamantit të aksionit reformator, atë të drejtësisë. Dhe për të gjashtën herë, gishti qeveritar i fajësisë për këtë dështim iu vu Europës. Është e tepërt të thuhet se sa i rëndë është fakti i dështimit dhe jo i shkakut, por problemi thelbësor nuk qëndron vetëm këtu. Reforma në Drejtësi mund ose jo të bindë kanceleritë e Europës, por rëndësi ka që të bindë publikun shqiptar. Rëndësi ka që publiku i vendit të ndiejë efektin e saj, sidomos në kohë të tilla të vështira siç po kalon vendi aktualisht për shkak të mjaft aferave të dyshimta financiare nga njëra anë dhe veprimeve qeveritare për epideminë e kovidit nga ana tjetër.

Ndërkohë, të gjithë kemi qenë dëshmitarë sesi njëri pas tjetrit institucionet e reja, të ndërtuara sipas kritereve po ashtu të reja, filluan të lindin e gradualisht të nisin edhe nga puna. Tashmë kemi një organ të rëndësishëm të akuzës, si Prokuroria e Përgjithshme, të ndërtuar tërësisht sipas normave të reja të parashikuara nga reforma dhe krahas saj një SPAK po ashtu të ri i ndjekur nga procesi i kompletimit të BKH-së. Drejtuesit dhe personeli i tyre janë tërësisht i përzgjedhur, sepse thuhet që ata të paaftët dhe të padenjët u mënjanuan dhe jo të paktë në numër. Ambasadat perëndimore në vend, me në krye Delegacionin e Bashkimit Europian nuk kanë reshtur për asnjë çast t’u dalin në mbrojtje kur dikush me apo pa të drejtë i ka kritikuar. Dhe përsëri negociatat nuk u hapën.

Por pavarësisht nga moshapja e negociatave, ajo që ka rëndësi është çfarë kanë prodhuar deri më sot të prekshme për interesat e publikut të gjerë, në emër të të cilit u riorganizuan organet e reja të akuzës? Sa e ka ndjerë publiku i gjerë sesi mbrohen interesat e tij nga drejtësia?  Në vendet perëndimore, organi i Prokurorisë merr emërtime të ndryshme në faza të ndryshme të një hetimi dhe në momentin kur para bankës së të akuzuarve ndodhen armiqtë publikë, funksioni i tij merr emrin “Avokat i Përgjithshëm”, pra, avokat i interesave publike.

Çfarë duhet të presë më shumë një organ i akuzës, të kthehet në avokat të interesave të përgjithshme publike kur Kryetari i Opozitës së vendit denoncon hapur publikisht shkelje të rënda të kryera nga qeveria lidhur me situatën aq shumë të rënduar të kovidit dhe e fton nominalisht këtë organ të fillojë hetimet? Kush i provon publikut të tronditur nga kjo ngjarje që me gjakftohtësi, me paanësi profesionale dhe sidomos etike të verifikojë nëse ky denoncim është akt politik, abuziv siç pretendon qeveria, apo një realitet dramatik që kërkon ndëshkim ligjor? Indiciet për të filluar një çështje penale u bënë publike.

Denoncimi nuk akuzon politikat në përgjithësi të qeverisë në drejtim të menaxhimit të epidemisë, sepse për to opozita ka bërë kritika të shumta, madje ofroi edhe ekspertizën e saj. Në rastin tonë bëhet fjalë për një denoncim konkret, të një veprimi konkret që përbën shkelje ligjore në kushtet kur organet kompetente për motive të njohura tashmë qartë, nuk kanë bërë asnjë veprim. Në këto kushte, opozita nuk mund të qëndrojë duarkryq e të mos njoftojë publikun për çfarë ndodh.

Madje, ka shembuj magjistratësh, të cilët shkojnë më tej. Kur ata kanë konstatuar se puna e tyre me dosjet e hetimit në mbrojtje të interesave publike pengohet qëllimisht nga administrata e lidhur me fije të dukshme dhe të padukshme me politikën, lënë dosjet në zyrë dhe i drejtohen publikut të gjerë. Por për të bërë hapa të tillë, duhet që komponenti i integritetit moral të jetë në lartësinë e detyrës, pavarësisht se prokurorët aktualë kanë marrë vlerësim pozitiv nga vetingu edhe për këtë komponent.

Në një perceptim të përgjithshëm, negativ apo pozitiv të Reformës në Drejtësi, ajo që duket e arritur mbetet në një aspekt largimi nga radhët e saj të një numri jo të vogël magjistratësh si të papërshtatshëm dhe në aspektin tjetër konsolidimi i pozicionit të punës së secilit magjistrat. Pra, sot mund të thuhet me plot gojën që punonjësit e SPAK-ut dhe të Prokurorisë nuk mund të flaken dot jashtë organit me një të rënë të lapsit. Dhe këtë mbrojtje ata nuk e kanë për komoditet personal, por për të qenë në kushtet e duhura në ushtrimin e detyrës, sa më pak të shantazhueshëm nga ekzekutivi. Pra, për të bërë pikërisht atë që po kërkon kryetari i opozitës. Por, deri tani të paktën nuk është parë prej tyre ndonjë veprim që kërkon integritet të lartë. Efikasiteti i organeve të mësipërme duhet të jetë i pranishëm më parë në Shqipëri, para se të bindë Brukselin, Hagën apo Parisin.

Kryetari i opozitës doli para medias dhe bëri një denoncim të hapur publik lidhur me fshehjen e shifrave të viktimave të kovidit nga ana e qeverisë. Disa herë rresht, edhe në disa komunikime të mëpasme mediatike ai e ftoi organin e akuzës të marrë nismën për të kryer verifikimet e para dhe të fillojë hetimin. Të paktën deri tani publikisht kemi vetëm heshtje. Po kush e bërë këtë denoncim publik? Kush po këmbëngul që të zhvillohen hetime? Është kryetari i një opozite, e cila për disa vite rresht iu nënshtrua një propagande të egër qeveritare duke u etiketuar me gisht si armike e Reformës në Drejtësi edhe për publikun e vendit, edhe për aktorët ndërkombëtarë. Pikërisht kjo armike e egër i drejtohet hapur dhe publikisht organit të ri të akuzës, të ndërtuar për t’i treguar Europës se vendi ynë po reformohet, kurse ai që i ka rënë gjoksit për autorësinë bën deklarime publike plot spërdredhje.

Ka qenë pothuaj tradicionale që rregullisht në luftën politike të hidhen akuza dhe po me aq rregull qeveria e ka ftuar opozitën t’u drejtohet organeve të akuzës. Kurse tani që opozita aktuale e konceptuar në formën e një qytetarie të rregullt e fisnike të këtij vendi, që respekton institucionet duke ndërtuar një aksion politik që për të mirën e përbashkët të vendit jep alternativa për zgjidhjen e situatave, të cilat rëndojnë si popullin e majtë, edhe atë të djathtë, që bën opozitën politike kur qeveria rrëshqet nga binarët, por që në fund bën edhe denoncimin publik dhe në respekt të organeve të shtetit, fton pikërisht drejtësinë e re të hetojë mbi një problem konkret, kreu i ekzekutivit lëshon rrufe plot baltë për lojë politike ogurzezë, që denoncimin e saj, opozita e bën për përfitime politike. Nëse Kryeministri nuk e falënderoi opozitën për denoncimin e bërë publik, përse nuk e ka bërë këtë gjë kur ajo iu drejtua Prokurorisë publikisht? Po vetë publikisht, çfarë i tha Kryeministri organit të akuzës? Ai i tha se opozita po bën lojë politike, pra, fakti kriminal nuk ekziston. Pra, nuk ka hetime. Po ashtu, ai tha se sigurisht Prokuroria është organi i lirë, por nuk e inkurajoi të hetojë atë që pretendon opozita, por i dha vijën e sjelljes duke e konceptuar gjithë betejën e shifrave të vdekjeve nga kovidi si luftë politike, ndaj dhe Prokuroria stop. Këtë gjë bëri edhe kasneci i tij në Elbasan. Për disa xhama të thyer diku në një qendër mjekësore në një fshat, baltosi kreun e opozitës pa iu referuar ligjit për kapjen e atyre që thyen xhamat, nëse vërtet janë thyer.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura