“Institucionet të ndërpresin aktivitetin politik”/ Presidenti Meta reagon për zjarrin në qendrën tregtare: Qëndrimi duarkryq është i papranueshëm dhe i dënueshëm

Mar 26, 2021 | 7:58
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar në lidhje me zjarrin në magazinën e një qendre tregtare, ku dy persona dyshohet se kanë mbetur brenda.

zjarr ne qendren tregtare

Zjarri, i cili ka rënë prej dy ditësh dhe nuk po menaxhohet dot ka detyruar Kreun e Shtetit, t’i bëjë thirrje institucioneve që të ndërpresin aktivitetin politik  dhe të marrin përgjegjësitë sipas ligjit.

Duhet t’i kërkohet ndihmë partnerëve, shkruan Presidenti, pasi qëndrimi duarkryq është i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Reagimi i Presidentit Meta

Alarm për institucionet shtetërore!
Prej pasdites së 24 marsit 2021, një tragjedi e vërtetë po ndodh vetëm 3 km larg nga qendra e Tiranës, në ambientet e një biznesi privat, të përfshirë nga flakët, që ende nuk janë shuar.
Sipas të dhënave paraprake një qytetar, me detyrën Përgjegjës i Sigurisë, dyshohet edhe për një shtetas të dytë, kanë mbetur të bllokuar në magazinat e katit të nëndheshëm, ndërkohë që dëmi pasuror i biznesit llogaritet në shifra tepër të larta.
Duke shpresuar, që kjo ngjarje e rëndë të marrë fund me sa më pak pasoja, u bëj thirrje drejtuesve të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, strukturave të Mbrojtjes Civile dhe në veçanti Shërbimit Zjarrfikës të ndërpresin aktivitetet politike, të marrin përgjegjësitë e tyre sipas ligjit dhe të kryejnë me përgjegjshmëri të lartë detyrën e tyre.
T’u kërkohet ndihmë vendeve partnere nëse ne nuk i kemi kapacitet për ta menaxhuar këtë situatë, por qëndrimi duarkryq është i papranueshëm dhe i dënueshëm.
U bëj thirrje të fortë institucioneve shtetërore të reagojnë sa më parë për t’i dhënë zgjidhje të menjëhershme kësaj situate tepër të rëndë dhe me pasoja tepër serioze!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura