INSTAT publikon anketën e buxhetit familjar për vitin 2021: Varfëri në shpenzime, konsumi u rrit me vetëm 1.3%

Oct 5, 2022 | 9:49
SHPËRNDAJE

Vetëm me 1.3 për qind u rritën shpenzimet mujore për konsum një vit më parë, nivel më i ulët ky edhe në raport me rritjen e çmimeve apo të normës së inflacionit që këtë periudhë është regjistruar 2 për qind.

familje

Peshën kryesore të shpenzimeve, mbi 41 për qind, sipas raportit të INSTAT, e zënë produktet ushqimore, çka dëshmon se kostot kanë qenë të përqendruara kryesisht në sigurimin e nevojave bazike. “Në vitin 2021, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një Njësi Ekonomike Familjare (NJEF), të përbërë mesatarisht nga 3,7 persona, janë 84.548 lekë. Totali i shpenzimeve për konsum është 64,73 miliardë lekë në muaj për 765.551 familje. Vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore për konsum të NJEF-ve në vitin 2021, është 1,3 % më i lartë se në vitin 2020. Rritja e çmimeve të konsumit, në vitin 2021, krahasuar me vitin 2020, është 2,0 %”, thuhet në raportin e INSTAT.

RAPORTI

Rritja modeste në kufijtë e 1.3 për qind është rezultat i shpenzimeve të bëra në arsim, për kurse apo trajtime, ndërsa është “kursyer” kryesisht në blerjen e pajisjeve për shtëpiake apo mobilieve.

“Në vitin 2021, grupi ‘Arsim’ ka rezultuar me rritje të shpenzimeve mesatare mujore për konsum, me 6,1 %, krahasuar me vitin 2020, ndërsa grupi ‘Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës’ ka rezultuar me ulje të shpenzimeve mesatare mujore për konsum, me 0,4 %. Shpenzimet e bëra në grupin ‘Arsim’ në vitin 2021 kanë pësuar rritjen më të lartë prej 6,1 %, krahasuar me vitin e kaluar, si rezultat i rritjes më të madhe të shpenzimeve për nëngrupin “kurse gjuhe, programimi, trajnime, etj.”. Shpenzimet e bëra në grupin “Komunikim” kanë shënuar rritje prej 5,4 %, krahasuar me vitin 2020, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve për nëngrupin “Shërbime interneti në shtëpi”.

Sakaq, shpenzimet e bëra në grupin “Argëtim dhe kulturë” kanë shënuar një rritje prej 3,2 %, krahasuar me vitin e kaluar, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve të nëngrupeve: “Aksesorë dhe pajisje për përpunim informacioni”, “Argëtim (kurse pikture, kërcimi, etj.)”, si dhe “Ekskursione (gjysmë dite apo një ditë) jashtë vendit”. Sa i përket strukturës së shpenzimeve mesatare mujore për konsum të NJEF-ve, sipas 12 grupeve kryesore të konsumit, peshën më të madhe e zënë grupet: Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 34.934 lekë, i cili zë një peshë prej 41,3 % në buxhetin familjar.

Nëngrupet që zënë peshën më të madhe në shpenzimet për ushqim janë: “Qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë” me 17,5%, “Perimet” me 17,4 %, “Mish dhe nënprodukte” me 16,2%, ndjekur nga “Bukë dhe drithëra” me 13,6 %. Grupi i shpenzimeve për banesën, me shpenzimet për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qira të paguar dhe riparime të vogla, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 8.496 lekë, përbën 10,0 % të totalit të buxhetit familjar”.

SIPAS QARQEVE

Në vitin 2021, qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum.  Një NJEF në qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 99.416 lekë në muaj. Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas qarkut të Tiranës, janë Korça me 83.591 lekë dhe Fieri me 80.752 lekë në muaj për NJEF.

Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Kukësit me 71.636 dhe i Dibrës me 72.048 lekë në muaj për NJEF.  Në vitin 2021, numri mesatar i anëtarëve të NJEF është 3,7. Qarku me numrin më të madh të anëtarëve të NJEF është Kukësi me 4,3 anëtarë, ndërsa Gjirokastra është qarku me numrin më të vogël të anëtarëve në përbërjen e NJEF, me 3,1 anëtarë

© Panorama.al

Te lidhura