INSTAT, nafta fundos industrinë, aksioni për energjinë jep efektet

Jun 30, 2015 | 14:23
SHPËRNDAJE

Çmimi i naftës në bursa pati efektin e vet zinxhir, duke lehtësuar një pjesë të operatorëve ekonomikë, por duke zhytur të tjerë. E në këtë mes ajo që vuajti pasojat ishte industria nxjerrëse, e cila në kushtet kur çmimi ishte i ulët pakësoi prodhimin e për rrjedhojë edhe tregtinë. Statistikat afatshkurta të Institutit të Statistikave për tremujorin e parë 2015 paraqesin dy tendenca kyçe. Uljen e indeksit të shiltes së afarizmit për industrinë nxjerrëse dhe rritje të shifrës së afarizmit për energjinë.

“Ndryshimi tremujor i indeksit të shifrës së afarizmit në volum, në aktivitetin ‘Industri’, paraqitet me rënie 17,2% krahasuar me tremujorin paraardhës. Në këtë rënie ka ndikuar kryesisht aktiviteti ‘Industri nxjerrëse’ me 29,2%”, vlerëson INSTAT. Sakaq, lidhja e aktmarrëveshjeve që detyrojnë pagesën e faturës korrente të energjisë, si dhe aksionet në terren për lidhjet e jashtëligjshme, kanë çuar në rritje të shifrës së afarizmit për aktivitetet e kësaj kategorie. “Krahasuar me tremujorin e parë 2014, aktivitetet ‘Energji elektrike, gaz, avull’ dhe ‘Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë’ shënuan rritje përkatësisht me 37,4% dhe 37,2%”, thuhet në raportin e INSTAT.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura