Injac Zamputi, themeluesi i diplomatikes shqiptare

Apr 28, 2016 | 18:00
SHPËRNDAJE

Kush ishte jezuiti, që qëmtoi dokumente me vlerë për Shqipërinë. Prof.dr. Aurel Plasari në njW shkrim në “Panorama’ hedh dritë mbi fugurën e Injac Zamputti, krahu i djathtë i Mjedës në themelimin e “Akademisë Albanologjike Saverjane” në 1937.

Injac Zamputi
Injac Zamputi

Prof.dr. AUREL PLASARI

E thotë parimi i vjetër i të gjitha shkencave: “Themeluesit vijnë në fillim, përfituesit vijnë më mbas”. Nga ata që vijnë në fillim është Injac Zamputti (Shkodër 1910 – Tivoli 1998) si themelues në historiografinë shqiptare i disiplinës së diplomatikës.

Edhe persona me formim kulturor mund të ndodhë të pengohen te ky term i disiplinës duke qenë se diplomatika ngatërrohet rëndom me “diplomacinë”.

Por edhe ngaqë ky vlerësim për veprimtarinë shkencore të Zamputit nuk është formuluar qartë deri sot, kur ai nuk është më ndërsa promovohet një vepër e tij e cila përbën në këtë fushë një ngjarje që tejkalon veveten: Dokumente për historinë e Shqipërisë 1623-1653 (bot. Albanisches Institut & “Faik Konica”).

Diplomatika, themelues i së cilës u bë në historiografinë shqiptare Injac Zamputi, është disiplina që ka për objekt studimin e dokumenteve, përfshi gjurmimin, qëmtimin, mbledhjen, analizën, studimin edhe më në fund botimin e tyre, duke marrë në sy karakteristikat e jashtme dhe të brendshme të dokumenteve, por edhe duke dhënë vlerësimet për to. Emri i vjen nga termi i vjetër grek “diploma” (äßðëùμá), siç quhej dokumenti që delte nga një kancelari, nga një zyrë etj., ndërsa me kalimin e kohës kuptimi u zgjerua duke dëftuar në përgjithësi dhe kryesisht dokumentet arkivore. Pagëzimin disiplinës ia bëri dijetari Jean Mabillon me veprën e parë shkencore, 1681, që trajtonte lëndën në fjalë.

Sot diplomatika bën pjesë ndër disiplinat ndihmëse të historiografisë. Injac Zamputi i kishte përfunduar studimet universitare në Itali, në Universitetin e Torinos. Jo për diplomatikë. As për ndonjë fushë të albanologjisë. Por për shkenca politike, që do të thotë për një fushë dijesh të cilat në Shqipëri do të bëheshin “të panevojshme” gjatë kohëve kur ai jetoi dhe punoi.

Injac Zamputi në moshë të re
Injac Zamputi në moshë të re

Formimi i tij në albanologji, si dhe më ngushtësisht në diplomatikë, u krye në një tjetër mjedis: në atë të Kolegjit të Shën Ksavierit, në Shkodër, dhe në strukturat albanologjike që nisën dhe themeluan Etërit jezuitë. Është fjala për një histori më vete, pothuajse të papërmendur. Nëse dikur ajo mund të këtë qenë “e padëshirueshme”, sot nuk ka përse të mos kujtohet madje duke u përkujtuar.

Të parin seminar në Shkodër Etërit jezuitë e themeluan mesin e shek. XIX, në kohën kur një Shqipëri e pavarur ende nuk ekzistonte dhe shqiptarët bënin pjesën në “Shqipërinë Turke”. Pjesë e parimeve të misionarëve jezuitë që venin në vende të huaja ishte edhe të studiuarit dhe të mësuarit e gjuhës së vendit ku do të zhvillonin apostullatin. Në rastin e gjuhës shqipe është thënë ndonjëherë që lavrimi i saj nga ana e misionarëve fetarë kishte për qëllim thjesht përhapjen e besimit.

Mirëpo nuk është vetëm kështu kur bëhet fjalë për një vend si Shqipëria e atyre shekujve, një vend në të cilin zotëronte analfabetizmi. Në një situatë të tillë lavrimi i gjuhës shqipe nga ana e misionarëve fetarë kryente funksion të veçantë për zhvillimin gjuhësor dhe kulturor të vendit dhe popullsisë së tij. Kështu ndodhi edhe me Etërit jezuitë në Shqipëri, falë punës së të cilëve lista e botimeve në gjuhën shqipe erdhi duke u pasuruar.

Prej të parëve Etër jezuitë të huaj të ardhur në Shqipëri kanë mbetur një dorë e bukur botimesh fillestare të shqipes: një Doktrinë e kthyer në shqip nga At Guagliata (1845), Rruga e Parrisit kalzuem të kersctenvet Arbniis nga At Basile (1845), Moj’ i Majit nga At Bruschi (1864), dy fjalorë italisht-shqip dhe shqip-italisht nga At Rossi (1866, 1875) etj. Atëherë shfaqen mes tyre edhe jezuitët shqiptarë, që zënë e botojnë në Romë: At Ejëll Radoja (1862), At Ndoc Naraçi (1875), veçan Pashk Babi me Vakinat e tij (1882), njëri ndër tekstet nismëtare të prozës letrare shqipe.

Letërkëmbimi mes Aurel Plasarit dhe Injac Zamputit
Letërkëmbimi mes Aurel Plasarit dhe Injac Zamputit

Më 1871 Etërit jezuitë themeluan në Shkodër një shtypshkronjë me shkronja latine. Në latinishte ajo u quajt Typographia Immaculatae Conceptionis B.M.V, ndërsa emri në shqip iu përshtat disa herë derisa përfundoi në Shtyp. “Zoja e Paperlyeme”.

Prej një botimi jubilar, Kolegja Saverjane nder 50 vjetët e para (Shkodër 1928), rezulton që prej asaj Shtypshkronje nga themelimi deri më 1928 të kenë dalë 411 vepra në shqipe, latinishte dhe italishte. Për në ato vite këtë shifër e kanë vlerësuar me të drejtë si “një rekord”.

Çfarë intereson në këtë mes është nisma e vitit 1937 e një grupi studiuesish të interesuar tanimë për albanologji. Nën kryesinë e Ndre Mjedës ata themeluan “Akademinë Albanologjike Saverjane” (Academia Albanologicae Xaveriana). 27-vjeçari Injac Zamputi rezulton krah i djathtë i Mjedës në atë themelim. Ishte aspirata e fundit e realizuar, atdhetare dhe njëherësh shkencore, e Mjedës që do të vdiste më 1 gusht të po atij viti. Me cilësinë e sekretarit, ka qenë Zamputi i ri që ka nënshkruar kartat e anëtarësisë për anëtarët Akademisë Albanologjike Saverjane të cilësuar “ishnëxânsa të Kolegjës historike Saverjane”, kështu ka shënuar në një bio-bibliografi të vetën.

Qëllimi parësor i themelimit të Akademisë në fjalë, i shpallur në Statutin e saj, përbën njëherësh edhe një përkufizim të fushës së albanologjisë që ende sot mund të kihet zili për nga vizioni: “Qellimi i sái me u dhânë shkas e me u ndihmue n’atë të veten gjithë atyne studimeve qi permblidhen në rreth t’albanologjís, d.m.th. qi i perkasin historís, gjeografís e hulumtimevet e aplikacjonevet fizike-natyrore, letërsís, gjûhësís, folklorës e artevet të bukra të vendevet qi janë o kanë kênë shqiptare, si atdhé o si koloní, të fisit shqiptár.

Kopertina e një prej librave të përgatitur nga Zamputi
Kopertina e një prej librave të përgatitur nga Zamputi

E prandej synon me mbledhë tok në bashkpunim të gjith ata albanologj shqiptarë e të huej qi kërkojnë me dhânë e me nxjerrë, nder kerkime të veta, ndimen vëllaznore të nierzvet kompetentë të shperdám në qandra kulturore të ndryshme”. Themelimi i këtij institucioni nuk bën të llogaritet si një ngjarje dhe kaq. Ai përbën moment kthese historike në zhvillimin e dijeve albanologjike.

Nga fillimet e veta, në ndërkohën e mëvetësimit në Europë të vargut të dijeve pozitiviste, albanologjia kishte funksionuar ndër shkencat për “Tjetrin”, d.m.th. si kureshtje dhe mandej interes shkencor i gjuhëtarëve, historianëve, gjeografëve, etnografëve etj. të huaj për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Kështu vijonte të funksiononte ajo edhe në dhjetëvjetëshat e parë të shek. XX me kontributet e vyera albanologësh, si Šufflay, Iorga, Jireèek, Ippen etj. Prej nismës së Akademisë Albanologjike Saverjane studimet albanologjike barteshin edhe në Shqipëri duke kaluar edhe për duarsh të vetë studiuesve shqiptarë.

Prej atij momenti në historinë e albanologjisë mund të flitet edhe për albanologë shqiptarë dhe në Shqipëri. E para punë së cilës iu përkushtuan anëtarët e Akademisë së 1937-s ishte gjurmimi, qëmtimi, mbledhja, studimi dhe më në fund botimi i burimeve dokumentare për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ishin botuar në vitet 1914 dhe 1918 dy vëllimet pararendëse të kësaj pune të njohura si Acta-t: Akte dhe diploma që ilustrojnë çështje të Arbërisë së Mesjetës me autorë dr. Thallóczy, dr. Jireèek dhe dr. Šufflay.

Përpos kontributit të kësaj tresheje, Akademia e sapokrijuar e kishte një traditë të vetën falë një përkimi tripalësh që duhet cilësuar fatlum për albanologjinë. Në vitet ’70 të shek. XIX në Kolegjin e Shën Ksavierit në Shkodër kishte ardhur për të shërbyer një klerik i quajtur Carlo Vassilicò.

Përtej vëmendjes ndaj gjuhës shqipe, ky venedikas me emër tani të harruar dëshmoi interes të posaçëm ndaj burimeve dokumentare për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ky At Vassilicò kishte rënë në takim me informacionet e botuara nga një specialist i Arkivit Shtetëror të Venecies dhe njëherësh anëtar i Institutit Venet të Shkencave, Letrave dhe Arteve, Bartolomeo Cecchetti, të botuara në një broshurë modeste 22 faqesh: Mbi institucionet politike të Republikës së Venedikut në Arbëri dhe mbi kryengritjet në Lindje deri në shek. XVI (Venezia 1874).

E vërteta është që Cecchetti i kishte kryer hulumtimet arkivore me kërkesën – me gjasë edhe me pagesën – e një zonje të madhe me të cilën zë fill edhe veprimtaria e Rilindjes kombëtare shqiptare, znj. Dora d’Istria. Kuptohet prej letërkëmbimit mes tyre. Kërkuesi i sotëm që shkon të punojnë në Arkivin e Shtetit të Venecies mund ta shuajë kureshtjen duke gjetur në regjistrin e hulumtuesve të tij të hershëm emrin e një “madame Dora d’Istria” për kërkimet e kryera prej saj më 1868 në dy fonde:

1) Akte të Përbetimeve të zotërve kryesorë të Arbërisë e të Serbisë kundër Turkut dhe

2) Gjurmë të orvatjeve të peshkopit të Kurcolës për të kryengritur Arbërinë në të mirë të Romës. Nga Shkodra, për gjurmësh të informacioneve të ofruara nga Cecchetti, ky At Vassilicò u vu të riprodhonte burimet në fjalë duke siguruar për Bibliotekën e Kolegjit Saverjan rreth 120 njësi kopje të tyre nga Arkivi Shtetëror i Venecias, nga Arkivi “Correr” dhe biblioteka “Marciana” po të Venecias etj. Nuk është fjala për “fletë” dokumentesh, por për burime konsistuese shumëfaqëshe.

Statuti i akademisë albanologjike saverjane
Statuti i akademisë albanologjike saverjane

I tillë ishte, për shembull, një Catasto veneto di Scutari dell’ anno 1416, me vlerë të jashtëzakonshme sa për Shkodrën, aq edhe për rajonin shkodran. Vite më vonë atë do ta përgatiste në botim shkencor Zamputti me titullin Regjistri i Kadastrës dhe i Koncesioneve për rrethin e Shkodrës 1416-1417 (Tiranë 1977).

Janë të dëshmuara lidhjet e At Vassilicò-it edhe me dy konsujt në Shkodër të pasionuar edhe ata për hulumtimet albanologjike në “Shqipërinë Turke”: Theodore Ippen i Austro-Hungarisë dhe Auguste Degrand i Francës. Qysh në fillim të viteve ’20 të shek. XX, kur Zamputi i ri kishte qenë ende nxënës në Kolegjin e Shën Ksavierit, kishin vajtur aty për të shërbyer dy mësues që për nga përkushtimi në fushën e kërkimeve albanologjike do të spikatnin: Fulvio Cordignano dhe Giuseppe Valentini.

Me vdekjen e Ndre Mjedës Akademia Albanologjike Saverjane gjeti tek ata dy nga punëtorët më të zellshëm. Puna e Akademisë u fillua në kolektiv për një vëllim sa më të plotë, mundësisht që prej shek. XII, të burimeve dokumentare për Shqipërinë dhe shqiptarët. Modeli që do të ndiqnin ishte ai që kishin praktikuar për popujt e tyre dijetarët e vendeve të tjera të Europës, ndër ta edhe fqinjë, një Codex.

Autorët e kanë dëshmuar vetë që synonin një vepër me titull Codex Diplomaticus Albaniae. Vepra u botua me titull me modest: Sprovë për një regjistër historik të Shqipërisë (Shkodër 1937-1940) dhe me dy autorë: Fulvio Cordignano & Giuseppe Valentini. 1937-a dëfton edhe vitin e fillimit të punës trevjeçare të lidhur te themelimi atë vit i Akademisë së përmendur.

Regjistri bënte më së pari plotësimin e dokumenteve që mungonin në dy vëllimet e Acta-ve (344-1343, 1344- 1406). Ai i regjistronte burimet dokumentare duke filluar prej koleksionit albanologjik të trashëguar nga At Vassilicò-i. Mandej, duke mbërritur deri në vitin 1568, shtoheshin:

1) rezultatet e kërkimeve të Cordignano-s në Arkivin Shtetëror të Venecies, si dhe në arkivat e Napolit, të Palermos, të Milanos, të Padovës, të Vatikanit dhe të Kongregatës për Përhapjen e Fesë (Propaganda Fidae), si dhe:

2) rezultatet e kërkimeve të Valentinit në Arkivin Vatikan, në arkivat e Venedikut, të Milanos, të Padovës, të Napolit, veçan në Arkivin e Ambasadës së Spanjës pranë Selisë së Shenjtë, në Bibliotekën e Seminarit të Padovës etj. Atëherë mësues në Kolegjin e Shën Ksavierit dhe njëherësh sekretar i Akademisë Albanologjike, Zamputi ka treguar që e ka ndjekur atë punë nga kreu në fund.

Nën ndikimin e asaj pune zgjodhi për punimin e tij të laurës në Universitetin e Triestes, Departamenti i Shkencave Politike, tezën Shekulli XVIII venedikas dhe Arbëria Turke (viti akademik 1940-1941). Ky ishte shkollimi i mirëfilltë i tij në fushën që sapo sprovohej në Shqipëri: atë të diplomatikës. “Shkolla jezuite”: kështu do t’ia ngjitnin atij, në pikun e betejës kundër “mbeturinave fetare”, etiketën e zezë.

“Para se të demaskohej ideologjia ime…”, e ka shënuar vetë Zamputi cakun e fillimit të asaj fushate për të cilën ka shkruar me qetësi çarmatosëse: “Në pranverën e vitit 1968 po përgatitej demaskimi im…”. Në ato kohë ai as që mund t’i qesëndiste etiketuesit me faktin që prej një “kolegji jezuit” kishte dalë edhe një François-Marie Arouet, ndryshe Voltaire.

Çfarë e bën paradoksin edhe më kërshëror: të ashtuquajturit kolegë, te të cilën injoranca ndërzehej me xhelozinë, as mund ta dinin që vetë lindja e diplomatikës si disiplinë shkencore lidhej pikërisht me një histori “rivaliteti monastik”, si me thënë mes murgjish. Shkasin e pati dhënë në shek. XVII kleriku jezuit Daniel van Papenbroeck (1628-1714), përkujdesës i një sipërmarrjeje madhore të jezuitëve bolandistë: kolonës me burime dokumentare Acta sancorum, që ata botonin në Anversë.

Me gjithë vullnetin e mirë, ky Papenbroeck nuk e kishte një metodë pune në studimin dhe botimin e burimeve dokumentare. Duke dyshuar vend e pa vend, ai shihte false pothuaj në çdo akt e çdo diplomë simbas parimit: sa më të vjetra, aq më të rrejshme. Atëherë u ngrit dijetari i quajtur Jean Mabillon (1632-1707) dhe i tha “Jo”.

Mabillon-i punonte në manastirin e Sen Zhermen dë Presë në Paris, i ftuar për të shkruar një histori të Urdhrit benediktin. Ai u vu të mbronte të drejtat e Urdhrit për të cilin punonte duke iu përgjigjur sulmeve të Papenbroeck- ut kundër akteve e diplomave benediktine, por pa e degraduar debatin në “sherr klerikësh”.

Me punën e tij ia doli të zbulonte ato parime të përgjithshme që lypseshin ndjekur për vlerësimin e burimeve dokumentare – parime për të cilat nuk e kishin vrarë mendjen paraardhësit – dhe më 1681 botoi veprën magjistrale De re diplomatica libri VI. Ndikimi i saj në botën shkencore ishte revolucionarizues për nga rrugët e reja të hulumtimit dhe studimit që çelte.

Prandaj vepra u quajt themeluese e shkencës së diplomatikës. Para saj u dorëzua edhe vetë Papenbroeck-u, i cili pati ndershmërinë profesionale t’i shkruante kundërshtarit Mabillon: “Ju rrëfej se krenaria ime më të madhe që kam shkruar për këtë temë është që ju dhashë juve rastin të shkruani një vepër të tillë.

Mos druani të thoni publikisht, sa herë që të keni rast, se unë jam kryekëput i një mendjeje me ju”. Injac Zamputi do të mbetej i vetëm në Shqipëri kur dy klerikët albanologë, Cordignano dhe Valentini, të largoheshin nga vendi me mbarimin e Luftës II Botërore. Regjimi nën të cilin Zamputi mbetej nuk do të kujtohej për vlerën e tij falë formimit në “shkencat politike”: për formime të tilla ai regjim as që kishte nevojë. Por ekspertiza e tij tanimë unike në vend duket se u quajt e domosdoshme me hapjen në Shqipëri të një “Instituti të Shkencave”.

Dhe rezultoi zgjidhje fatlume për albanologjinë shqiptare. Kështu ndodhi që, prej vitit 1949 dhe deri në fund të jetës, si fushë kryesore e kontributit të Injac Zamputit në shkencën dhe kulturën shqiptare spikati ajo e diplomatikës. Në krah të tij për themelimin e kësaj disipline edhe në fushën filologjike rezulton Eqrem Çabej, veçan me një punim themelues me titull Tekstet e vjetra shqip dhe disa kritere rreth botimit të tyre (1959). Bën përshtypje që edhe sot edhe një studiues si Matteo Mandalà në punimin e tij madhor për Lekë Matrangën (2012), ka theksuar pikërisht rregullat e vendosura në atë punim të hershëm.

Transliterimi, transkriptimi dhe komentimi i dorëshkrimit të Anonimit t’Elbasanit, së toku me shënimet paraprake rreth alfabetit të tij (1949, 1951) mund të numërohen ndër të parat punime të Injac Zamputit në këtë fushë. Mandej vjen e renditet vargu disamijëra faqesh i burimeve dokumentare kushtuar ndriçimit të historisë së Shqipërisë: Relacione 1610-1634 (1963), Relacione 1634- 1650 (1965), Dokumente të shekullit XV për historinë e Shqipërisë (vëll. I 1967, vëll. II 1979), Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë (vëll. I 1989, vëll. II 1990, vëll. III 1989, vëll. IV me bashkautor Selami Pulahën 1990), Dokumente për Historinë e Shqipërisë të shek. XV (vëll. I me bashkautor Luan Malltezin 1987), deri te paraqitja, përkthimi dhe rindërtimi i dokumentacionit të Regestit Kamsi (1997) etj.

Këtyre u shtohet tani botimi i veprës së lënë në daktiloshkrim Dokumente për historinë e Shqipërisë 1623-1653. Dhe, që të jemi korrektë, kjo farë liste jo e plotë numëron vetëm kontributin e tij në fushën e diplomatikës, pa llogaritur një varg studimesh historike posaçërisht për ndërkohën e Arbërisë mbasskënderbegiane dhe të shekujve të parë të “Shqipërisë Turke”, studimesh gjuhësore, artikujsh shkencorë divulgues, deri edhe veprash letrare etj.

Me kontributin e tij disadhjetëveçar në fushën e diplomatikës si njëri ndër shkencëtarët “që vijnë në fillim”, Zamputi ofroi modelin e punës shkencore në këtë fushë: model profesionisti që, duke studiuar dokumentet, si edhe duke i botuar ato, synoi të zbatonte pothuajse të gjitha ato rregulla të diplomatikës që kushtet e kohës ia lejonin dhe ia mundësonin, ndër to – më e vështira – edhe ushtrimin e kritikës së dokumentit.

Sa herë që mundi ai gjykoi autenticitetin ose falsitetin e dokumenteve, i klasifikoi ato simbas rëndësisë, i shpjegoi duke arsyetuar ekzistimin e vetë dokumentit dhe madje edhe duke vënë në dukje synimin e tij simbas përmbajtjes, njëherësh duke e lidhur me dokumentet paraardhëse ose mbasardhëse. Zbatimi i teknikave të tilla e bëjnë disiplinën e diplomatikës njëfarë fushe të minuar: mund të lëvizësh në truall të sigurt po aq sa edhe mund të shkelësh gabim. Është një nga sfidat më joshëse të kësaj disipline. Fjala vjen: kur përfshinte në burimet e botuara një personazh historik të quajtur Giorgio Buzardo (Bucciardo) (Dokumente, v. IV/1, nr. 185 shën.

1) Zamputi dyshonte se mos kishim të bënin me të famshmin kalorës arbër Renësi dhe emri italian të ishte thjesht përkthimi i emrit të tij. Kushtet e kërkimit nuk ia mundësuan të verifikonte që Giorgio Bocciardi (Bucciardi, Buzardi, Buzardus, Busardus) ishte njëri nga nipërit e papës Inocent VIII, njëri nga katër vëllezërit që i shërbyen si papës në fjalë ashtu edhe mbasardhësit Aleksandër VI në marrëdhëniet diplomatike me turqit, si njohës i mirë i turqishtes dhe si përkthyes në audiencat e Papës me ambasadorët e sulltanëve.

Në të kundërt, dyshimet e formuluara prej tij lidhur me arrestimin, burgimin dhe helmimin e kryepeshkopit arbër të Durrësit Martin Firmjani, sot konfirmohen nga burime dokumentare që studiuesi atëherë nuk i kishte në dorë.

Nga një anë tjetër, praktika e përdorur prej tij duke i dhënë tekstet e botuara jo vetëm në përkthimin e shqip (në një mori rastesh shumë të vështirë për t’u realizuar), por edhe në origjinal, ia jep mundësinë përdoruesi të tyre të depërtojë vetë drejt e në origjinalet dhe, për shembull të diskutojë: “il modo grecoriano”, në të cilën jetonin banorët që i kthente në katolicizëm kryepeshkopi Mark Skura, është “riti grek”, siç e ka kuptuar Zamputi?

Apo përkundrazi është fjala për një sekt heretik të kohës që ishin “grekarianët”, sikurse e ka menduar Shuteriqi? Në ditët e sotme shkolla e themeluar prej Zamputit afërmendsh që mundëson të përkryhet edhe më për ta bërë sa më të lehtë për publikun e interesuar konsultimin e testeve të vështira për t’iu qasur, duke praktikuar jo vetëm riprodhimin e tyre fotografik (fototipí), por edhe riprodhimin tyre të digjituar, elektronik. Fati i lumë është që ndërkaq shkolla e themeluar prej tij ekziston.

Vetë autori i këtij shkrimi është një nga “përfituesit” prej punës së Zamputit dhe modelit të ofruar prej tij. “Zamputi ose një njeri i para erës sonë”, kështu e kisha titulluar më 1993 një shkrim ku gëzohesha që ai ishte “gjallë” dhe gjithnjë punonte e botonte, afërmendsh një shprehje “e pamatun”. Rëndësi ka që prej atij momenti autorit të këtij shkrimi i mbeti dhuratë prej dijetarit themelues një letërkëmbim me vlera të veçanta për historinë e Mesjetës arbërore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura