Inis Gjoni vë në skenë “Mbroni shpellarin”: Shfaqja do shërbejë si terapi në çift

Dec 4, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Ngjan e gjitha si një thirrje për të shpëtuar çiftin, si një seancë këshilluese që do të zgjasë për më shumë se 1 orë, në Teatrin Kombëtar “Kujtim Spahivogli”. Regjisores Inis Gjoni i pati rënë pjesa në dorë dy vite më parë, atëherë kur ndoshta nuk mendonte se do ta vinte në skenë. “Mbroni shpellarin” titullohet monokomedia e autorit Bob Baker, e cila do të vijë nën interpretimin e Romir Zallës në javët e para të dhjetorit.

inis

Në këtë intervistë, regjisorja na tregon më shumë për veprën: ç’gjeti nga e përditshmja e saj dhe e të gjithëve në të dhe si e perceptoi menjëherë si një mënyrë argëtuese për të reflektuar mbi konfliktet tona të përditshme. Në fund, sipas regjisores, pjesa duhet parë e perceptuar si një thirrje për bashkëpunim, e cila do të na ndihmojë të shpëtojmë martesën.

Ç’është kjo pjesë që do të sjellësh, çfarë trajton?

Shfaqja quhet “Mbroni shpellarin”. Kur autori vendosi të krijojë këtë vepër, ka studiuar tri vite antropologji, mitologji, biologji, psikologji… Për herë të parë është vënë në Broduei në vitin 1991 dhe ka qenë shfaqja që është vënë më gjatë në historinë e Brodueit. Vetë autori e ka luajtur 700 net me radhë, ndërsa më vonë është përkthyer në shumë gjuhë të botës.

Në shqip kush e ka përkthyer dhe a është përkthyer enkas për t’u vënë në skenë, apo nuk ju ka rënë në dorë në shqip?

Jo, është përkthyer enkas nga Artur Lena për vënien në skenë. Është përkthyes i shumë veprave dhe mendoj që ka bërë një punë mjaft të mirë, sepse gjuha është e rrjedhshme.

Pse është bërë kaq e famshme kjo monokomedi?

Vepra flet për keqkuptimin ose, më mirë, betejën e vazhdueshme midis burrit dhe gruas dhe tenton të zgjidhë luftën e vazhdueshme mes gjinive. Përfshin gjithçka të rëndomtë e të pazakontë që ne bëjmë çdo ditë. Pazarin, televizionin, bisedat me miqtë e deri te bisedat e shtratit e vetë shtrati.

Romir Zalla
Romir Zalla

Duket sikur e gjithë vepra menaxhohet nga këndvështrimi mashkullor, por, në fakt, monologuesi haset vazhdimisht me kundërshtimet e femrave.

Në çdo kohë del pikëpamja femërore: pse meshkujt, ndryshe nga femrat, nuk kanë ndjenja? Ama, nga ana tjetër, gjatë veprës rezulton që në fakt meshkujt kanë ndjenja, vetëm se i shprehin ndryshe dhe ndaj ai ka krijuar këtë monolog, që është nga më të mprehtit dhe mjaft aktual. Është një mënyrë për të treguar se diferenca perceptuese e gjinive ndaj jetës është e ndryshme dhe në të gjitha këto ndryshime në psikologji, duhet të gjejmë rrugën e mesme për të bashkëjetuar.

Pse mendoni se është e dobishme për publikun?

Që kur e kam lexuar këtë vepër për herë të parë, kanë kaluar dy vite tashmë, kam menduar se qenka më mirë se një terapi në çift, më mirë se seancat e këshillimit. Që kur e lexova, mendova se duhet të vihej në skenë. Ndryshe nga të tjerat, mënyra se si është shkruar, nga ana analitike, nxjerr një thelb shumë të rëndësishëm dhe spektatori mendoj që del i kthjellët dhe me një ndjenjë të injektuar për bashkëpunim. Unë këtë ndjesi zgjimi e reflektimi pata dhe kështu mendoj se do të jetë edhe për publikun.

A fajëson autori dikë për të gjitha këto mosmarrëveshje?

Jo, ai nuk bën askënd me faj, vetëm analizon dhe ia lë reflektimin personazhit.

Përzgjedhja e Romir Zallës duket sikur është vijimësi e roleve që ka pasur më parë e që kanë qenë thuajse në këto ujëra, analizë e jetës në çift…

Ka një të vërtetë në gjithë këtë, sado që unë Romirin e njoh prej kohësh e përtej roleve. Në plan të parë, kur njeriu nuk e ka parë veprën, ka njëfarë ngjasimi të roleve të tij të mëparshme. Tema është pothuajse e njëjtë, por personazhi aktual është një karakter që Romiri e ka krijuar dhe përshtatur më së miri dhe mendoj se i rri dhe i buron në një mënyrë krejt organike. Ka ritëm në interpretim dhe them që është personazhi më i përshtatshëm.

Sa zgjat monologu?

Rreth 1 orë e 10 minuta.

A rrezikon një monodramë të bëhet e mërzitshme, monologët mund të bëhen të mërzitshëm?

Unë kam punuar gjatë me monologët dhe sigurisht që ndonjëherë janë të vështirë për t’u kapërdirë, por kjo vepër, përveçse ka një ritëm të jashtëzakonshëm, ka humorin gjithnjë brenda dhe nuk të lejon të mërzitesh. Ka aq shumë batuta, sa ndonjëherë duket sikur mbivendosen dhe nuk perceptohen dot të gjitha. Pastaj janë të gjitha gjërat e jetës, thelbi ynë i përditshëm, që të mban të lidhur në të gjitha minutat. Analiza nuk të lodh, nis e mbaron me një frymë.

Prej kohësh po merreni vetëm me regji, a do të vazhdojë kështu?

Unë do doja të ishte kështu, sepse kam arritur të kuptoj që njeriu duhet të bëjë pikërisht gjënë që i pëlqen të bëjë. Me gjithë vështirësinë e teatrit, dua sërish ta bëj këtë gjë. Ka lehtësira shumë më të mëdha bërja e një emisioni televiziv, por tërheqja është më e madhe prej teatrit. Ka herë pas here ngacmime nga televizionet dhe shpeshherë e kam menduar si alternativë, por gjithnjë ka fituar teatri, deri tani të paktën.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura