Iniciativë e tipit “unë ekzistoj”!

Oct 23, 2021 | 9:16
SHPËRNDAJE

redi shehu

REDI SHEHU

Më në fund, pas më shumë se një muaj ofensivë të Berishës në foltoret e Shqipërisë, të cilat sipas një eksponenti të PD-së, janë kthyer në “faltore” të të gjithë atyre adhuruesve të Shqipërisë siç ka qenë dhe jo siç do duhej të ishte, z. Basha duket se ka filluar kundërsulmin e tij. Jo ashtu siç pritej përmes një përplasjeje ballore, por përmes taktikës së aksionit politik parlamentar në lidhje me Partinë Socialiste. Dalja në skenë e 3 propozimeve të Partisë Demokratike drejtuar maxhorancës në lidhje me ndryshime të mundshme kushtetuese për reformën territoriale, ligjin zgjedhor si dhe vetingun e politikanëve, ka filluar t’u japë ushqimin politik gjithë atyre simpatizantëve të grupit të Bashës, të cilët nuk po e kuptonin heshtjen e këtij të fundit në raport me oshtimën berishiste gjithandej.

Kjo iniciativë e tipit “unë ekzistoj” ndezi motorin e fjetur të administratës blu, e cila e shikon mbarimin e mandatit 5-vjeçar të vetingut në drejtësi dhe nevojën për shtyrje të tij, si rastin më të mirë për të arritur disa fitore të vogla parlamentare në këmbim të votës me 3/5 të Parlamentit për këto ndryshime. Me pak fjalë, duket se PD dhe z. Basha janë të gatshëm të japin votat e tyre për shtyrjen e mandatit të vetingut në drejtësi, në këmbim të ndryshimeve kushtetuese. Është pikërisht këtu ku fillon edhe loja e negociatave ku Rama ka treguar se është mjaft i zoti të tërheqë opozitën në shtegun që ai do. Për më tepër, koha në të cilën po kalon opozita shqiptare, ku Partia Demokratike është praktikisht në mesin e një kaosi lidershipi dhe LSI është zhdukur në drejtim të paditur, nuk është fort e favorshme që ajo t’i vendosë kushte maxhorancës.

Është interesant propozimi që bën Partia Demokratike lidhur me vetingun e politikanëve shqiptarë. Në fillim ne duhet të qartësojmë se një iniciativë e tillë është më se e mirëpritur dhe e domosdoshme duke parë nivelin e perceptimit mbi korrupsionin e zyrtarëve të lartë që ekziston në elektorat. Por, ama, PD sugjeron që vetingun e politikanëve të tipit parlamentarë, ministra, Kryeministri, Presidenti, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Avokati i Popullit etj., të bëhet nga një strukturë brenda SPAK. Kjo indirekt nënkupton që PD paska besim te SPAK përderisa kërkon t’i besojë këtij institucioni një aksion kaq të rëndësishëm antikorrupsion. Këtu, Partia Demokratike dhe z. Basha bien në kundërshtim me vetveten, sepse janë ata që kanë bërë akuzat më të rënda ndaj SPAK-ut si i kapur nga maxhoranca dhe se Reforma në Drejtësi nuk pati suksesin e pritur. Përse Basha i kthehet SPAK pikërisht tani kur ai është në një luftë të hapur brenda partisë së tij? Ndoshta për shkak se pa Berishën tani ai ndihet vetvetja, ndoshta sepse i gjithë aksioni kundër Reformës në Drejtësi nuk ka qenë ide as prirje e tij, por e Berishës si tutori i tij dhe i partisë. Ajo që ka rëndësi është se për herë të parë pas kaq vitesh, kryetari i opozitës merr referencë një organ si SPAK duke dhënë në formë të nënkuptuar pëlqimin për të si i vetmi institucion i ngelur me njëfarë besueshmërie.

Nga ana tjetër, është edhe një mesazh për Berishën për t’i dhënë të kuptojë se mund të jetë ky institucion, për të cilin PD shpreh njëfarë besimi duke i dhënë një shans atij, se do të mund të shtrijë hetimet edhe më tej ndaj politikanëve të lartë. Z. Basha është në një pozicion tip sandwich ku nga njëra anë është maxhoranca, e cila i kërkon marrëveshje për një pakt kushtetues, dhe nga ana tjetër janë ndërkombëtarët, të cilët i bëjnë presion mbi votën për vazhdimësinë e vetingut. Në këtë situatë, PD dhe Basha gjenden në një format KÇK (kap ça të kapësh) se është krejt e pamundur që Basha të bllokojë vetingun. Nëse do ta bënte këtë, ai do armiqësohej me ndërkombëtarët dhe veçanërisht me amerikanët, të cilët i duhen më shumë se kurrë si mbështetje në luftë ndaj Berishës për kontrollin e partisë.

Nga ana tjetër, z.Berisha po avancon me foltoren e tij duke grumbulluar pas vetes njerëz dhe shpresa për një të ardhme, të cilën as vetë Berisha nuk di t’ua thotë se sa optimiste do të jetë. Narrativa e tij është spostuar qëllimshëm në luftën për demokratizimin e partisë dhe jo në atë se a është vërtet i korruptuar ai dhe sa i pafajshëm në të vërtetë është. Thelbi i kundërshtisë së tij bazohet tek akuzat ndaj një Amerike mitologjike, e cila bazohet në fuqitë mbinatyrore të individëve dhe jo të institucioneve. Pra, për Berishën koncepti i demokracisë amerikane si maja e qëllimeve politike të lidershipit tonë, bie që me mënyrën se si ai shndërron një shtet institucional në një hierarki mitologjike të njerëzve të plotpushtetshëm, të cilët i janë përveshur atij. Edhe pse ka njerëz të fuqishëm në SHBA, të cilët kanë lobet dhe ndikimet e veta, kjo nuk e zhbën institucionalizimin e demokracisë amerikane, sepse ndryshe do te zhbënte të gjithë ëndrrën, me të cilën elitat tona përpiqen të bëjnë shtet, jo vetëm kaq, por do të zhbënte të gjithë narrativën e shoqërive demokratike. Prandaj pyetja që del është vallë a mos është Berisha në kundërkohën e tij më shumë sesa Amerika në të tashmen e saj?

Në gjithë këtë situatë, përfituesi më i madh është Rama dhe Partia Socialiste, e cila e furnizuar me alibi të shkëlqyer opozitare, vazhdon të shfaqet në sytë e ndërkombëtarëve si e vetmja dritë në majën e farit të një bregdeti të thepisur politik shqiptar. Nuk ka pasur ndonjëherë gjatë këtyre tri dekadave të tranzicionit tonë drejt demokracisë së mirëfilltë, parti apo qeverisje më të përkëdhelura nga fati se sa PS e Edi Ramës. Duket se koha po i rezervon të gjitha avantazhet për të qenë ai në krye të të gjitha punëve të mira e të këqija të këtij vendi, pa pasur shansin të japë llogari e as të mund të pendohet sadopak për atë që ka kaluar. Ai tani është në pozitat për të ofruar negocim me PD për ndryshimet kushtetuese, drejt një Bashe i cili duket se nuk ka rrugëdalje tjetër përveçse të firmosë me Ramën.

Kjo mund të hapë edhe siparin e një bashkëpunimi, i cili i kalon suazat e ndryshimeve kushtetuese drejt ndoshta ndarjes së pushtetit lokal e më vonë edhe më tepër, për t’i afruar demokratët e Bashës me shijen e pushtetit dhe për t’i larguar sa më shumë nga Berisha dhe berishizmi që nuk ofron asgjë. Kështu, Rama vazhdon i lumtur të mbajë opozitën të çarë në dy blloqe duke garantuar që Shqipëria të vazhdojë me lëshimin e satelitëve në hapësirë edhe për dekadën e ardhshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura