Informaliteti është më i ulët se 2015, problem mbetet puna në të zezë

Jan 14, 2018 | 9:15
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Bizneset raportojnë për informalitetin në 2017, se ka rënie të lehtë në krahasim me 2015, ndërkohë që pragu i tatimfitimit dhe TVSH, marrëdhënia me administratën dhe zbatueshmëria e ligjit, mbeten faktorët kryesorë që influencojnë informalitetin.

kasa-fiskale

Konkurrenca e pandershme nga aktivitetet informale vazhdon të mbetet shqetësim i konsiderueshëm i biznesit edhe në vrojtimin e 2017. Rreth 69 për qind e bizneseve shprehen se ndeshen me një formë apo tjetër të informalitetit në fushën e aktivitetit të tyre. Megjithatë, edhe pse shprehen që ndeshin konkurrencë informale, pjesa më e madhe nuk pranojnë se kanë informalitet në aktivitetin e tyre.

Janë këto disa nga gjetjet e anketës së Biznesit mbi Klimën e Investimeve për 2017, që u prezantuan në mbledhjen e Këshillit të Investimeve. Pyetësori u krye online gjatë periudhës korrik – shtator 2017 dhe u plotësua nga 146 kompani dhe objekt i vrojtimit ishte kontrolli tatimor, rimbursimi i TVSH-së, marrëdhëniet me administratën tatimore dhe informaliteti. Të pyetur nëse kanë strategji për t’u formalizuar, në shumicë, bizneset janë përgjigjur që nuk kanë informalitet në aktivitetin e tyre.

Sipas raportit, vërehet se ka një mospërputhje nga përgjigjet e vetë bizneseve, ndërmjet perceptimit të lartë mbi informalitetin në sektorin e tyre, ku 69 për qind e përgjigjën se ndeshen me informalitetin gjatë eksperiencës konkrete dhe 74 për qind deklarojnë se nuk kanë informalitet në aktivitetin e tyre. Bizneset raportojnë për 2017 se evazioni fiskal është natyra më e shpeshtë e shfaqjes së informalitetit, e pasuar nga puna në të zezë. Puna në të zezë qëndron në të njëjtat nivele si në 2015, ndërkohë ka rënë fenomeni i bizneseve të paregjistruara.

Ka një ndryshim pozitiv të perceptimit për korrupsionin dhe kontrabandën nga 2015 dhe pse sërish mbetet në nivele të larta. Reduktim i burokracive administrative, rritja e profesionalizimit të administratës, por dhe incentiva për bizneset e ndershme dhe që investojnë, janë disa nga kërkesat kryesore të biznesit për të nxitur formalizimin e shpejtë të ekonomisë dhe investimet private.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura