Informaliteti/ Bizneset e mëdha në shkelje të ligjit, nis trajnimi i administratës tatimore

Aug 14, 2019 | 10:35
SHPËRNDAJE

Në raport me bizneset e vogla, duket se shkeljet më të mëdha janë bërë nga sipërmarrjet e mëdha.

Gjatë trajnimit të administratës tatimore
Gjatë trajnimit të administratës tatimore

Një gjë e tillë u pohua një ditë më parë nga Zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Harxhi. Sipas Harxhit, nga inspektimet e kryera në kuadër të aksionit antiinformalitet, shkeljet më të mëdha janë kryer nga bizneset e mëdha.

Por pavarësisht kësaj, nuk do të ketë përjashtime dhe se kontrolle do të ushtrohen njësoj në çdo sipërmarrje. “Nga rezultatet, apo nga faktet që vijnë nga terreni, rezulton se gjithë shkeljet më të mëdha janë kryer nga biznese të mëdha, më shumë sesa ato të vogla. Natyrshëm që me daljen në terren të Hetimit Tatimor, do të ketë një kontroll rutinë edhe te bizneset e vogla për përmbushje të disa komponentëve thelbësorë të legjislacionit tatimor, siç është: lëshimi i kuponit, apo edhe regjistrimi në organet tatimore, duke qenë se ata kryejnë një aktivitet ekonomik, por nuk do të thotë, që kjo është një fokus i kësaj ndërmarrjeje të Administratës Tatimore, pasi fokusi është biznesi i madh”.

Në përmbushje të planit operacional Stop Informalitetit, Qendra për Trajnimin e Administratës Tatimore dhe Doganore është duke zhvilluar një seri trajnimesh në të gjithë rajonet me qëllim aftësimin profesional të administratës tatimore në lidhje me legjislacionin fiskal. Në trajnimin që u zhvillua në Drejtorinë Rajonale Tatimore Lezhë ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Harxhi.

“Është një aspekt shumë i rëndësishëm që Ministria e Financave dhe qendra e trajnimeve që është në varësi të saj i ka kushtuar një vëmendje të veçantë, pasi edhe në gjykimin tonë, nuk është vetëm pjesa e tatim-paguesve që duhet edukuar dhe duhet rregulluar, por ka shumë për të rregulluar dhe përmirësuar dhe në aspektin e administratës tatimore, dhe për këtë qëllim ne kemi treguar një fokus të veçantë duke organizuar një seri trajnimesh, të cilat synojnë në rritjen cilësore dhe në trajnimin e administratës tatimore, në kuptimin e legjislacionit fiskal dhe të përputhshmërisë me të, por jo vetëm. Ata duhet të jenë proaktivë dhe duhet të luajnë një rol të rëndësishëm edhe në transmetimin e këtyre njohurive edhe për tatimpaguesit”, tha Haxhi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura