Influenca ruse, Kuvendi miraton rezolutën me amendimet e ish-ministrit të Jashtëm

Dec 6, 2019 | 12:45
SHPËRNDAJE

bushati kuvendARISTIR LUMEZI/ Kuvendi miratoi dje rezolutën “Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimit në proceset demokratike kombëtare”, duke përfshirë disa nga amendimet e bëra nga ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Nga propozimet e tij janë pranuar vetëm pesë. Maxhoranca nuk pranoi të ndryshojë titulli i projektrezolutës, teksa është pranuar ajo e marrjes parasysh të strategjisë së sigurisë kombëtare, asaj të mbrojtjes kibernetike, agjendës digjitale të Shqipërisë 2014- 2020 dhe dokumenti i politikave për sigurinë kibernetike për vitet 2015-2017. Për Bushatin, referenca dhe mbështetja në bazën ligjore dhe rregullatore kombëtare është e domosdoshme për trajtimin e këtij fenomeni dhe në respekt të arritjeve të deritanishme të vendit dhe bilancit në këtë drejtim.

Këto ndryshime arsyetohen me faktin se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar strategji dhe ligje që rregullojnë dhe garantojnë veprimtarinë e institucioneve në këtë fushë, sikundër detyrimet që lindin në bazë të këtyre ligjeve për këto institucione, për të ofruar të dhëna, garanci, mbrojtje dhe zbatimin e politikave të hartuara. Ndërkohë, nuk ka ndryshuar pika c e kësaj projektrezolute ku flitet për fushatë dezinformimi rus, për të cilën ka reaguar edhe vetë ambasada  ruse në Tiranë. Në draft rezolutë thuhet: c) Fushatat e dezinformimit rus, përbëjnë burimin kryesor nga i cili buron dezinformimi në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Europë e më gjerë. Ndërkohë që qëndrimi i Bushatit ka qenë për këtë pikë që ‘politika e mbrojtjes të bëhet mbi bazën e përcaktimit të risqeve dhe jo armiqve’.

Propozimi i tij për këtë pikë ishte: “Duhet të rritet ndërgjegjësimi mbi fenomenin e dezinformimit si formë e përhapur e ushtrimit të influencës në jetën shoqërore politike dhe mediatike”, por që nuk u mor parasysh në draftin që miratoi Kuvendi. Gjithashtu, shkronja d) ku thuhet: “Aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë nga vendet e tjera, përpos atij rus, janë të përfshirë në ndërhyrje dashakeqe në debate publike të vendit tonë”, nuk është hequr nga rezoluta. Edhe shkronja f) ku thuhet se “zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri do të zhvillohen në 2021”, gjithashtu nuk është hequr nga rezoluta. Përsa i përket nevojës së miratimit të masave legjislative, administrative dhe financiare në zbatim të praktikave më të mira europiane është përfshirë nga amendamentet e Bushatit pjesa e bashkëpunimit të ngushtë me NATO, BE dhe OSBE.

Gjithashtu nga 12 pika, rezoluta është bërë me nëntë pika, duke hequr disa prej tyre. Bushati kërkoi të ndërhyhet edhe në çështjen e dezinformimit, ku propozoi rregullimin e kuadrit ligjor për mediat elektronike dhe qasjen edukative. Ai propozoi “ndërtimin e urave të bashkëpunimit me platformat e rrjeteve sociale, në mënyrë që të sigurohet informacioni i plotë rreth reklamave politike, financimit të tyre dhe ruajtjes e mbrojtjes së të dhënave të përdoruesve”. Por kjo nuk u pasqyrua në rezolutën përfundimtare. Propozimet e Bushatit mbështeteshin në tri shtylla kryesore si: Legjislacioni dhe institucionet vendase; angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë; media dhe edukimi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura