Inflacioni shënon nivelin më të lartë që nga viti 1998

May 9, 2022 | 17:47
SHPËRNDAJE

Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me 6.2% në terma vjetorë në prill, udhëhequr nga çmimi i rritur i naftës dhe i ushqimeve. Ushqimet u shtrenjtuan me 10%.

Capture

Indeksi i Çmimeve të konsumit shënoi nivelin më të lartë që nga viti 1998 në prill të këtij viti, kur kostoja e jetesës u shtrenjtua me 6.2% në krahasim me prillin e vitit 2021. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave të hënën tregojnë se shkaqet kryesore të rritjes së çmimeve janë karburantet dhe ushqimet, ndërsa disa grupe mallrash dhe shërbimesh jo të domosdoshme, të tilla si veshjet, arsimi apo shëndetësia qëndruan në të njëjtin nivel si një vit më parë.

Nëngrupi “Vajra dhe Yndyrna” shënoi rritjen rekord prej 24%, për shkak të rritjes së çmimit të vajit vegjetal, i cili sot kushton rreth 330-380 lekë për litër nga 200-240 lekë për litër që kushtonte para fillimit të luftës në Ukrainë. Çmimi i vajit vegjetal është shtrenjtuar më shumë se sa mallrat e tjera për shkak se Ukraina dhe Rusia janë eksportuesit dominues të botës në këtë produkt ndërsa Ukraina nuk është aktualisht në gjendje të eksportojë vajin dhe drithërat e veta për shkak të bllokadës së porteve të saj nga flora ruse e Detit të Zi.

Nëngrupi “Qumësht, djathë dhe vezë” u shtrenjtua me 17%. Shqipëria prodhon shumicën dërrmuese të këtyre mallrave ndërsa shtenjtimi në këtë rast duket se është shkaktuar veçanërisht nga çmimi i vezës për shkak të një vale gripi shpendësh që vrau një pjesë të konsiderueshme të popullatës së pulave në Shqipëri dhe në shumë vende të tjera të botës.

Nëngrupi “Bukë dhe drithra” u shtrenjtua me 16% ndërsa sheqeri dhe ëmbëlsirat u shtrenjtuan me 14%.

Hera e fundit kur Shqipëria ka pasur inflacion të këtyre niveleve ka qenë viti 1998. Në atë kohë shkaku i inflacionit ishte rrëzimi i përgjithshëm i shtetit, gjë që solli deficit të lartë buxhetor, i cili u financua me emision monetar.

Vala aktuale e inflacionit ka prekur të gjithë botën, pjesërisht për shkak të luftës në Ukrainë dhe problemeve me zinxhirin e furnizimit të shkaktuar nga pandemia dhe pjesërisht për shkak të akumulimit të kursimeve të popullsisë gjatë periudhës së pandemisë, kur shumë njerëz nuk kishin mundësi të shpenzonin.

Rritja e shpejtë e çmimeve të mallrave të importuara rrezikon të kthehet në një lloj krize stagflacioni për shkak se konsumatorët, të detyruar për të shpenzuar më shumë para për mallra të domosdoshëm si ushqime apo karburant, mund të priren të kursejnë në mallra të tjerë jo të domosdoshëm duke sjellë rënie të prodhimit dhe rritje të papunësisë.

Qeveria shqiptare ka përfituar shumë gjatë vitit të kaluar dhe në tremujorin e parë të këtij viti nga rritja e çmimeve të importit, gjë që ka sjellë rritjen e fortë të të ardhurave buxhetore por deri tani ka refuzuar idenë që ajo të heqë dorë nga të ardhurat shtesë përmes uljes së taksave, me qëllim që të kufizohet dëmi i pritshëm në ekonomi. /Reporter.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura