Inflacioni, Sejko: Ulja erdhi nga tregjet e huaja

Mar 15, 2016 | 9:45
SHPËRNDAJE

“Shqipëria nuk rrezikon situatë deflacioniste, niveli i inflacionit në 0,2 për qind për shkurtin është në normat më të ulëta të shënuara vitet e fundit, por nuk është në vlera negative”, kështu deklaroi dje guvernatori i Bankës të Shqipërisë, Gent Sejko, për rënien e inflacionit në 0,2 për qind.

Guvernatori Sejko
Guvernatori Sejko

Pas kësaj deklarate, Banka e Shqipërisë shpërndau dje qëndrimin zyrtar të saj, ku shpjegoi faktorët që çuan në rënien e inflacionit të muajit shkurt të publikuar nga INSTAT. Banka pohon se rënia ka ardhur për shkak të goditjes që i është bërë ofertës nga tregjet e huaja. Sipas Bankës të Shqipërisë, inflacioni në këto nivele u ndikua nga dy faktorë, nga rënia e çmimit të naftës dhe ushqimeve. Parashikimet për tregun ndërkombëtar sugjerojnë se cikli rënës i çmimeve të naftës dhe të produkteve të tjera e ka arritur tashmë pikun e vet.

“Niveli prej 0.2 për qind i shënuar në muajin shkurt përfaqëson një nga normat më të ulëta të tij gjatë viteve të fundit. Natyrisht që ky fenomen është analizuar me seriozitet nga Banka e Shqipërisë. Konkluzionet paraprake të këtyre analizave sugjerojnë se rënia e inflacionit ka ardhur nga goditje të ofertës, të cilat në një pjesë të madhe e kanë origjinën në zhvillimet e tregjeve ndërkombëtare. Më konkretisht, rënia e çmimit te naftës, fillimisht në tregjet ndërkombëtare dhe së fundmi edhe në tregjet lokale, ka prodhuar një efekt rënës mbi inflacionin në intervalin 0.5 deri në 1 pikë përqindjeje”, shpjegon Banka e Shqipërisë.

Për sa i përket inflacionit të ushqimeve, Banka Qendrore tha se në partnerët tanë tregtarë luhatet në nivele të ulëta. “Inflacioni i ushqimeve në muajin janar në katër vendet kryesore partnere tregtare ishte vetëm në nivelin 0.25 për qind, kundrejt një norme mesatare të inflacionit të ushqimeve prej 3.1 për qind për periudhën janar-shkurt në Shqipëri.

Nëpërmjet aktivitetit tregtar me këto vende, ky inflacion i ulët tenton të përhapet edhe në ekonominë shqiptare”, sqaron Banka e Shqipërisë. Për institucionin më të lartë bankar në këtë periudhë nuk ka ulje konsumi, por ekonomia vijon të ketë rritje nën potencialin e saj. “Pavarësisht se analizat e deritanishme tregojnë se rënia e inflacionit nuk duket të ketë ardhur nga rënie të papritura të kërkesës dhe konsumit në këtë periudhë, gjithsesi është e qartë që niveli i rritjes ekonomike dhe kërkesës agregate mbetet poshtë niveleve të tyre potenciale dhe vazhdojnë të frenojnë kthimin e inflacionit në objektiv”, thuhet në deklaratë.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura