‘Inflacioni i lartë, sfida kryesore’, Sejko: Redukton fuqinë blerëse, rrit pasigurinë për të ardhmen

Nov 19, 2022 | 7:44
SHPËRNDAJE

Rritja e çmimeve solli rritjen e inflacionit në vend, i cili kulmoi në 8.3 për qind në muajin tetor. Duke e konsideruar si sfidën kryesore, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, renditi pasojat që mund të sjellë mbi familjet, biznesin dhe ekonominë.

gent sejko

“Konflikti në Ukrainë solli pasoja në tregjet globale të mallrave dhe në zinxhirët globalë të furnizimit. Si rezultat, inflacioni dhe pasiguria përjetuan një rritje të shpejtë anembanë globit, me kosto të mëdha për shtresat në nevojë dhe me pasoja negative për rritjen globale.

Si një ekonomi e vogël dhe e hapur, Shqipëria nuk mund ta izolojë veten nga këto ngjarje madhore. Rritja e çmimeve në tregjet globale solli një rritje progresive të inflacionit në vend, i cili kulmoi në 8.3% në muajin tetor.

Në gjykimin tonë, ky inflacion i lartë është sfida kryesore e politikave ekonomike dhe e operatorëve të sektorit privat. Ai redukton fuqinë blerëse të të ardhurave tona, zhvlerëson kursimet, shton pasigurinë për të ardhmen dhe zbeh rolin informues të çmimeve në ekonomi.

Kjo rrit koston financiare dhe dëmton aftësinë e biznesit dhe të familjeve për të marrë vendime të mirinformuara për konsum, kursim dhe investime në të ardhmen”, tha Sejko gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë.

MASAT

Në përgjigje të situatës së krijuar, Banka e Shqipërisë ka rritur për të pestën herë brenda një viti normën bazë të interesit, nga niveli 0.5 për qind në nivelin 2.75 për qind.

“Prioriteti i Bankës së Shqipërisë është kthimi i inflacionit në objektiv në një kohë sa më të shkurtër. Për këtë arsye, ne kemi ndërmarrë një cikël normalizues të qëndrimit të politikës monetare, duke rritur normën bazë të interesit nga niveli 0.5% në nivelin 2.75% gjatë vitit 2022.

Ky normalizim synon të vendosë një ekuilibër më të mirë midis kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime për to, duke ofruar stimujt e duhur për stabilitetin monetar e financiar të vendit.

Sikundër e kemi theksuar në vazhdimësi, ky stabilitet mbetet një parakusht i pazëvendësueshëm jo vetëm për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë, por edhe për mirëqenien e barazinë sociale”, tha më tej Sejko. Inflacioni do të vijojë të jetë mbi objektiv edhe përgjatë vitit të ardhshëm ndërsa normalizimi do të ndihet në 6 mujorin e parë të 2024-s.

“Projeksionet e skenarit tonë bazë sugjerojnë se inflacioni do të reduktohet gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektivin tonë prej 3% në vitin 2024. Po ashtu, këto parashikime sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë viteve në vazhdim.

Ndonëse ritmi i rritjes do të ngadalësohet disi në afatin e shkurtër, stabilizimi i ambientit monetar dhe reduktimi i pasigurisë do t’i hapin rrugë një rritjeje më të shpejtë ekonomike në afatin e mesëm e të gjatë.

Së fundi, por po aq e rëndësishme, parashikimet tona sugjerojnë se tregjet financiare do të vazhdojnë të jenë të qeta, kursi i këmbimit relativisht i qëndrueshëm dhe shëndeti i ndërmjetësve financiarë, përfshirë dhe sektorin bankar, i pacenuar”, u shpreh Guvernatori i BSH duke shprehur gatishmërinë për garantimin e stabilitetit të çmimeve.

“Detyra jonë prioritare si vendimmarrës publikë, është të marrim masat e duhura për të mos lejuar që goditja e ofertës të shkaktojë pasoja afatgjata në shëndetin e ekonomisë shqiptare. Në këtë kontekst, më lejoni t’ju siguroj se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë tërësisht e përkushtuar për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar të vendit”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë e mbylli fjalën e tij me një kërkesë drejtuar politikëbërësve dhe operatorëve të sektorit privat, që të mos harrojnë se reformat strukturore janë një instrument i pazëvendësueshëm për rritjen e potencialit prodhues të vendit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve “Made in Albania”.

“Këto reforma marrin një rëndësi të madhe, ndërsa hedhim hapa përpara në rrugën tonë të integrimit me Bashkimin Evropian”, theksoi Sejko.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura