Inflacioni bazë u rrit përsëri në janar, arriti rekord të ri historik

Mar 7, 2023 | 13:04
SHPËRNDAJE

Inflacioni bazë u rrit për të dytin muaj radhazi në janar dhe preku një rekord të ri historik.

INFLACION-NEW

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë arriti në 8.74%, nga 8.42% që kishte qenë në dhjetor të vitit të kaluar. Niveli i muajit janar është më i lartë që prej vitit 2009, kur fillon edhe seria e të dhënave historike të Bankës së Shqipërisë.

Pasi shënoi një frenim të përkohshëm në muajin nëntor të vitit të kaluar, inflacioni bazë i është kthyer përsëri rritjes, duke sinjalizuar se frenimi i rritjes së çmimeve në ekonomi është ende larg.

Inflacioni bazë mat ndryshimin e çmimeve të konsumit, duke përjashtuar ato produkte që për nga natyra e tyre kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike. Qëllimi i inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga efektet e goditjeve të ofertës apo nga faktorë të tjerë me ndikim afatshkurtër.

Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, në përllogaritjen e inflacionit bazë ajo përfshin edhe disa produkte të veçanta ushqimore, që ndër vite kanë dëshmuar qëndrueshmëri të çmimeve. Sipas ekspertëve të Bankës Qendrore, kjo është një nga arsyet pse Shqipëria ka inflacion bazë mjaft të lartë krahasuar me ekonomitë e tjera.

Për Eurozonën, treguesi i inflacionit bazë në muajin shkurt arriti në 5.6%, në rritje të mëtejshme nga niveli 5.3% i muajit janar. Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, paralajmëroi se një rritje e re e normës bazë të euros me 0.5 pikë përqindje është shumë e mundshme në muajin mars.

Rritja e inflacionit bazë shtron dilema të reja edhe për Bankën e Shqipërisë. Ngadalësimi i inflacionit bazë në tremujorin e fundit 2022 dhe madje rënia e tij gjatë muajit nëntor i lejuan Bankës së Shqipërisë të bënte një “pauzë” në rrugën e normalizimit monetar.

Në mbledhjet e Këshillit Mbikëqyrës, Banka e Shqipërisë e ka mbajtur të pandryshuar normën bazë në 2.75%, pasi e kishte rritur për tre herë radhazi me 0.5% në mbledhjet e mëparshme. Ky frenim i dha një lloj frymëmarrjeje tregut financiar dhe veçanërisht tregut primar të bonove dhe obligacioneve të Qeverisë shqiptare.

Prej muajit dhjetor, yield-et nisën një korrigjim në rënie, pas rritjes shumë të shpejtë që kishin pësuar veçanërisht në periudhën gusht-nëntor. Por, rritja e inflacionit bazë është një sinjal se ndoshta rritja e normave të interesit duhet të rifillojë përsëri së shpejti.

Banka e Shqipërisë e ka bërë të qartë se kontrolli i inflacionit dhe ulja e tij pranë objektivit prej 3% do të kërkojë një rritje të mëtejshme të normave të interesit, por koha e ndërhyrjeve do të varet nga të dhënat e reja, ndër të cilat inflacioni bazë është nga më të rëndësishmet.

Të dhënat e INSTAT treguan se për muajin janar inflacioni mesatar në ekonomi ra për të tretin muaj radhazi, duke zbritur në 7.2%, përkundrejt një niveli maksimal prej 8.3% që kishte shënuar në tetor 2022.

Por, një rënie e ngjashme nuk po regjistrohet në komponentin bazë të inflacionit dhe kjo kthen sërish shqetësimet për bankën qendrore, sidomos për të ashtuquajturat efekte të raundit të dytë.

Megjithëse Banka e Shqipërisë e shpjegon pjesërisht me metodologjinë e përdorur, një nivel kaq i lartë i inflaconit bazë rrit shqetësimin se goditja inflacioniste e ofertës po përcillet te pagat dhe kostot e tjera të prodhimit dhe mund të gjenerojë presione të reja inflacioniste në vijimësi.

Për Shqipërisë, vala inflacioniste që origjinoi nga tregjet e huaja po ndërthuret me një situatë delikate në tregun e punës, ku mungesa e fuqisë punëtore në shumë sektorë po rrit trysninë mbi bizneset për të rritur pagat.

Paga mesatare bruto në sektorin privat për tremujorin III 2022 u rrit me 12.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura