Infermieria, përsëriten zgjedhjet me një kandidat

Apr 30, 2016 | 12:39
SHPËRNDAJE

Pas përfundimit të zgjedhjeve universitare, të tjera fakte dalin në dritë mbi transparencën e procesit të zgjedhjes së drejtuesve të rinj te Mjekësia.

Ilirjana ZakjaMë konkretisht, te Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike (FSHMT), ku pedagogë e studentë vendosën më 20 prill të mos i besonin vullnetin e tyre të vetmes kandidate Tatjana Çina, pas përjashtimit nga gara të Ilirjana Zekjas në ditët e fundit të fushatës. Pas kësaj qëndron një betejë ligjore, e cila sapo ka nisur.

Në një intervistë për gazetën, profesoresha e asociuar, me tetë vite punë, aktualisht zv.dekane e këtij fakulteti, zbulon se si rrodhën ngjarjet që e lanë atë jashtë garës dhe ku është mbështetur arsyetimi për përjashtimin e saj.

Sot, kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga raundi i dytë i zgjedhjeve, ajo kërkon drejtë-si: të futet në garë.

INTERVISTA

Jeni përjashtuar nga gara pak ditë përpara zgjedhjeve me arsyetimin se nuk kishit punuar një dekadë si pedagoge. Cili ishte arsyetimi që ju thanë?

Pasi është shpallur lista e kandidatëve, znj. Tatjana Çina është ankuar në Komisionin Institucional të Zgjedhjeve, por ky i fundit e ka hedhur poshtë ankesën e saj. Më pas, Çina e ka çuar në Komisionin e Apelit, i cili, pasi e ka diskutuar 4-5 ditë, më në fund, çuditërisht një javë përpara zgjedhjeve, më datë 13 prill, i nis urdhër KIZ-it të marrë në konsideratë dhe shqyrtojë ankesën bazuar në statutin e Universitetit të Mjekësisë. Statuti i UMT, duke qenë i vjetër (në 2013, kur u formua universiteti), është rrë-zuar me daljen e ligjit të ri të arsimit të lartë. Më 19 mars është mbledhur senati i UMTsë dhe ka bërë amendimet e detyrueshme për zgjedhjet dhe pasqyruar në dokumentin në faqen zyrtare të UMT-së më 05 prill. Pikat e tjera, të cilat nuk janë amenduar, nuk qëndrojnë pasi bien në kundërshtim me ligjin e ri për arsimin e lartë.

Madje në statutin ekzistues citohet ligji i vjetër për arsimin e lartë. Që këtu, ky statut nuk mund të qëndrojë. Së fundi, te kriteret e individëve për të kandiduar për dekan thuhet që duhet të ketë më shumë se dhjetë vjet profesor në një prej fakulteteve të UMT-së, në një kohë që ky universitet ka vetëm tre vite që është krijuar. Kjo pikë bie sërish në kundërshtim me ligjin. Kjo më ka bërë që të shkoj deri në gjyq. Për analogji, në Fakultetin e Mjekësisë ka kandiduar një profesor shumë i nderuar që nuk ka 10 vite pedagog, por që e ka çuar garën deri në fund, vetëm sepse për atë nuk është ankuar njeri. Kjo do të thotë që në të njëjtin institucion përdoren dy standarde.

Çfarë hapi ndërmorët ju pas kësaj?

Mesditën e së enjtes së 14 prillit, KIZ-i merr vendimin që fletët e votimit të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike të jenë vetëm me një emër, ndërsa në vendimin e Komisionit të Apelit cilësohet që ky vendim është i formës së prerë dhe personat e prekur ligjërisht mund të ankimohen vetëm në gjykatë. Me këtë, më datë 15 prill, paraqitem në Gjykatën Administrative ku ngre padi për të gjithë procesin dhe për sigurimin e padisë me kërkesën që zgjedhjet të pezulloheshin deri në marrjen e vendimit. Duke qenë se afatet ishin në limitet e tyre, u arrit që më datë 19 të zhvillohej seanca e parë ku gjyqtari mori vendimin e zhvillimit të zgjedhjeve me arsyetimin që interesi publik prevalonte mbi atë personal.

Por fati ishte në anën tuaj. Kandidatja tjetër nuk arriti të bindte më shumë së gjysmën e pedagogëve e studentëve ta votonin si dekane…

Ajo nuk fitoi më 20 prill dhe do të duhet të përsëriten zgjedhjet. Por çuditërisht rregullorja e MAS parashikon që pas dy javësh të zhvillohen sërish zgjedhjet me të njëjtin kandidat. Mua sërish nuk më lejohet të futem në votim, vetëm në rast se gjyqi më jep të drejtë. Nuk e kuptoj se çfarë mund të ndryshojë për dy javë, trupa zgjedhore apo kandidatët?! Nuk e di nëse kolegët e mi do të përballen me presion, ndërkohë që unë i vlerësoj pasi më mbështetën me reagimin e tyre më 20 prill.

Më 3 maj është seanca gjyqësore e radhës, ndërsa pas tri ditësh zgjedhjet? Mund të ndryshojë diçka deri atëherë?

Ajo që unë kam kërkuar përpara gjykatës është që unë thjesht të jem në garë. I bëj thirrje KIZ-it, të paktën të pritet vendimi i gjyqit që të vazhdojë procesi. Unë dua të jem pjesë e një gare të ndershme, një përballje midis dy kolegesh.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura