Infektohet me Covid-19 Dritan Leli/ Kryebashkiaku i Vlorës e dha lajmin, ndërsa i kushtoi disa fjalë prekëse të vëllait që humbi jetën në 2019

Aug 21, 2021 | 22:24
SHPËRNDAJE

Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli është infektuar me Covid-19.

dritan-leli

Në një shënim në rrjetin social Facebook, Leli e ka bërë të ditur vetë lajmin.

Ai ka treguar se ndodhet prej disa ditësh i izoluar në banesë për shkak të infektimit, duke shprehur një keqardhje të madhe për mungesën e tij në festën e Kuçit.

Sipas tij, kjo festë u themelua nga i vëllai i tij Edi, i cili nuk jeton më, pasi ndërroi jetë më 13 tetor të vitit 2019.

U jam falenderues miqve të tij, miqve tanë, organizatorëve dhe gjithë kuçjotëve që janë mbledhur sot për ta kujtuar, për të jetuar këto orë me historitë e Edit, me të qeshurën e tij ngjitëse që njësoj siç shpërndahej çdo ditë në Vlorë, për vite me radhë, në fund të gushtit, udhëtonte gjithnjë në Kuç”, citohet ndër të tjera nga mesazhi i tij.

Shënimi i plotë: 

Është hera e parë që Festës së Kuçit, takimit të përvitshëm të brezave, i mungon Edi. I mungon fizikisht sepse, për të gjithë, është si të ishte aty.
Janë mbledhur sot pa Edin, por janë mbledhur për Edin, për shpirtin dhe themeluesin e këtyre takimeve që vitet e kthyen në traditë. Edi ishte energjia e çdo feste, kudo ku ishte i pranishëm. Tani, të gjitha takimeve, u mungon pjesa më e mirë, entuziazmi i pakursyer dhe bujaria e tij.
U jam falenderues miqve të tij, miqve tanë, organizatorëve dhe gjithë kuçjotëve që janë mbledhur sot për ta kujtuar, për të jetuar këto orë me historitë e Edit, me të qeshurën e tij ngjitëse që njësoj siç shpërndahej çdo ditë në Vlorë, për vite me radhë, në fund të gushtit, udhëtonte gjithnjë në Kuç.
Më vjen keq që për shkak të ditëve që duhet të qëndroj i izoluar prej Covidit, nuk mund të jem i pranishëm, por mendimet për Edin na bëjnë njësoj bashkë! Kujtojeni Edin, gjithmonë, ashtu siç ishte kur ju bëri bashkë dhe ashtu siç jetoi deri në fund, me vrrullin e ëndrrave në të cilat besonte.
Kjo festë është e kuçjotëve dhe e Kuçit! Gëzuar!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura