Infektimet e fëmijëve nga varianti Delta, mjekja Gjeorgjina Kule publikon të dhënat: Kohët e fundit janë rritur shtrimet në spital, por…

Sep 22, 2021 | 12:59
SHPËRNDAJE

Komiteti Teknik i Ekspertëve, në mbledhjen e mbajtur ditën e sotme, vendosi të mos merrte asnjë ndryshimi të masave anti-Covid në vend, kjo dhe për shkak të situatës së qëndrueshme javën e fundit. Por, në fjalën e saj mjekja Gjeorgjina Kule pohoi se kemi një rritje të infektimeve dhe hospitalizimeve të fëmijëve për shkak dhe të infektueshmërisë më të lartë të virusit Delta.

 

Sipas mjekes Kule edhe pse shifrat e shtrimeve tek fëmijët janë rritur, ata arrijnë të rikuperohen brenda pak ditësh prej infeksionit. Sipas saj numri i fëmijëve të hospitalizuar që prej fillimit të pandemisë është 360 dhe numri i fataliteteve nuk ka ndryshuar që prej vitit të shkuar, ku u shënua vetëm një humbje jete.

“Edhe tek ne është pasqyruar rritja e incidencës tek miturit, kemi një rritje të numrit të shtrimeve në spital, por situata është nën kontroll se fëmijët reanimohen brenda disa ditësh. Ka patur 360 fëmijë të hospitalizuar që nga fillimi i pandemisë dhe shifrat e fataliteteve mbeten ato që kanë qenë pasi nuk kemi pasur asnjë humbje jete”, tha Kule.

Nga ana tjetër mjeku Skënder Brataj në fjalën e tij theksoi se ka një rënie të thirrjeve drejt Urgjencës Kombëtare edhe pse numri i rasteve aktive është më i lartë se ai i një viti më parë. Kjo sipas tij tregon se rastet e rënda janë ulur ndjeshëm dhe njerëzit po e kalojnë infeksionin në formë të lehtë në shtëpi.

“Siç thanë dhe parafolësit situata ëshët si një plato që nuk ka arritje, por një ulje të lehtë të indikatorëve. Nëse ne shohim te Urrgjenca Kombëtare te Njësia e Kordinimit, nëse në fund të gushtit kishim rreth 470 vizita në ditë dhe rreth 380 këshillime, sot jemi diku te rreth 390-400 vizita dhe rreth 280 konsulta mjekësore.

Nëse në datën 17 shtator të vitit kaluar kishte kishim 153 raste të reja dhe kishim 178 paceientë në spitale, me një aktiv 480, sot kemi një ulje të të shtruarve, por me një numër të lartë rastesh aktive.

Çfarë ka treguar deri tani kjo situatë është që mbrojtja e rasteve të rënda është ulur ndjeshëm dhe janë rritur trajtimet në banesë”, pohoi Brataj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura