Industria optimiste për ekonominë, qytetarët jo

Apr 14, 2018 | 14:01
SHPËRNDAJE

Qytetarët vazhdojnë të shfaqen pesimistë dhe nuk presin të rrisin shpenzimet për blerje të mëdha, ndërsa besimi i biznesit të industrisë dhe shërbimeve është rritur tek ekonomia, me përjashtim të ndërtimit, sipas Bankës së Shqipërisë.

Banka-e-Shqiperise-Foto-Agim-Dobi-1

Janë këto rezultatet e vrojtimit të ndjesisë ekonomike për 3-mujorin e parë të 2018-s. Banka e Shqipërisë vlerëson se treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit me 3,7 për qind për këtë periudhë, duke vijuar të mbetet mbi mesataren afatgjatë. Besimi i qytetarëve tek ekonomia vazhdon të shënojë rënie për të dytin 3-mujor radhazi.

Ky tregues, te konsumatorët ra me 1,6 për qind për 3-muajt e parë të 2018-ës. Shkak i vijimit të uljes së besimit të konsumatorit është rënia e balancës së blerjeve të mëdha me 5,3 për qind dhe besimit në situatën e përgjithshme ekonomike, që ra me 0,7 për qind. Në analizë vlerësohet se treguesi i besimit në sektorin e industrisë u rrit me 2,4 për qind. Rritja e treguesit pasqyroi përmirësimin e balancës së prodhimit, me 4.8 për qind dhe gjendjes së inventarëve, me 1.5 për qind.

Nga analiza vlerësohet se treguesi i ndjesisë ekonomike në sektorin e ndërtimit u ul me 1,4 për qind, duke qëndruar 6,7 për qind nën mesataren historike. Arsyet e vijimit të rënies u përcaktuan nga rënia e balancës së kontratave porositëse me 2,8 për qind. Ndryshe u shfaqën treguesit në sektorët e shërbimeve dhe tregtisë.

Sipas analizës, në shërbime besimi në ekonomi vazhdoi tendencën rritëse dhe për këtë 3-mujor u rrit me 3,6 për qind. Rritja vijoi nga balanca e kërkesës me 8,5 për qind, ndërsa ecuria e biznesit ra me 1,2 për qind. Në tregti, treguesi i besimit u rrit me 6,8 për qind , për shkak të rritjes së besimit të ecurisë së biznesit me 7 për qind dhe ecurisë së punësimit në të ardhmen me 6,6 për qind.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura