Industria automotive/ Kryeministri Rama takim me përfaqësuesit e një organizate në SHBA: Të interesuar për Ballkanin e Hapur dhe investimet në Shqipëri

Dec 4, 2021 | 18:46
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama është takuar ditën e sotme me përfaqësues të industrisë automotive amerikane në SHBA.

edirama

Gjatë takimit në ambientet e organizatës “Automation Alley” në Miçigan, Rama shprehet se këta përfaqësues do të sjellin një mision tregtar edhe në Shqipëri.

Kreu i qeverisë shqiptare bëri të ditur se këta përfaqësues janë të interesuar të kuptojnë se çfarë po ndodh me Ballkanin e Hapur dhe transformimin e tregut në Shqipëri.

“Sot u mikpritëm në “Automation Alley” nga një grup përfaqësuesish të kësaj bote të mirënjohur të industrisë automotive amerikane, ku folëm për oportunitet që ofron Shqipëria dhe ku gjetëm interes për të dëgjuar më shumë dhe në fund ramë dakord që një mision i Automation Alley do të vijë në Shqipëri për të parë nga afër, si dhe për të kuptuar më mirë gjithçka po ndodh me Ballkanin e hapur dhe me transformimin e tregut, në një treg të lirë dhe të madh që i jep Shqipërisë edhe një pozicion shumë më të favorshëm për investimet e huaja.” – u shpreh Kryeministri Rama lidhur me këtë takim.

Drejtori i Shërbimeve Ndërkombëtare dhe Partneriteteve strategjike Noel Nevshehir,  shprehet me superlativa për Shqipërinë duke shtuar se mezi pret që të fillojnë misionin tregtar në vendin tonë.

“Unë kam vizituar Shqipërinë më parë në vitin 1984. Shqiptarët janë njerëzit më të ngrohtë e më miqësorë që mund të takosh në këtë botë dhe unë kam udhëtuar në më shumë se 84 vende, por shqiptarët janë kaq të mrekullueshëm. Jemi me fat që këtu, në Miçigan, kemi një komunitet prej 120 mijë shqiptarësh, shumë prej të cilëve janë miq dhe bashkëpunëtorë. Disa prej tyre i takuat më parë gjatë ditës së sotme.  Dua që Shqipëria ta dijë se ne e vlerësojmë miqësinë tonë me përftime të ndërsjella midis të dyja vendeve. Ne këtu, në Automation Alley, në shtetin e Miçiganit, do të punojmë për të filluar organizimin e një misioni tregtar në Shqipëri dhe presim me padurim të vijmë për të përfituar nga miqësia dhe ngrohtësia që ka vendi për të ofruar. Edhe njëherë, jemi me fat që Amerika ka një mike kaq të mirë te Shqipëria dhe pres me padurim t’ju shoh të gjithëve kur të vij edhe vetë në Shqipëri vitin tjetër. “ – u shpreh ai pas këtij takimi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura