“Individi”, kujtimet e Artan Santos në Teatrin e Metropolit

Dec 15, 2015 | 9:20
SHPËRNDAJE

Me dikë e lidhin ca kujtime të largëta, me dikë tjetër një dedikim mbi libër…, por me të gjithë dashuria për artin.

Artan Santo
Artan Santo

Më i pranishëm se në çdo premierë teatri, ku ai nuk mungonte asnjëherë, Artan Santo rikthehet për miqtë, ata që e njohën ose jo, përmes kujtimeve dhe poezive të tij. “Individi” është premiera e re në Qendrën Kulturore “Tirana” (Teatri i Metropolit).

Sipas regjisorit Armand Bora, bëhet fjalë për teatrin e rrëfimit poetik. “Kur Santo më dhuroi librin, bashkë me shënimin e tij, ndjeva një lloj detyrimi, që në njëfarë mënyre më bënte të gjeja një formë për ta vënë në skenë. Pas leximit të librit, detyrimi u dyfishua edhe më shumë për këtë shfaqje. Pa dyshim, më vjen keq që nuk gjeta mundësinë për ta realizuar gjatë kohës që Santo ishte gjallë, por gjithsesi jam i kënaqur që më në fund po arrij të përmbush një premtim”, u shpreh dje, gjatë një konference për shtyp, regjisori Armand Bora.

Shfaqja, e cila nisi mbrëmë, do të vijojë deri të enjten në sallën “Shekspir”, ora 20:00, vjen në formën e një ditari, të ndërprerë herë-herë nga poezi ku do të interpretojnë Ndriçim Xhepa, Suela Konjari dhe Rozi Kostani.

Në sfond do të jetë një muzikë e luajtur në piano, këngë të Adriano Çelentanos apo të tjera, të preferuara të Santos, si dhe një kolazh fotografish që projektohen. Vetë libri, i botuar në vitin 2006, nis në mënyrë kronologjike, duke nisur me kujtimet e fëmijërisë, prindërit, shokët e shkollës e mësuesit e parë.

Nga provat e shfaqjes
Nga provat e shfaqjes

Më pas vazhdon me pushimet në qytetin e Durrësin dhe kryesisht Elbasanin, vendin ku kishte gjyshin dhe gjyshen e tij, personat që e kanë afruar Santon me librin. Por kjo rrjedhë kronologjike e shprehur mes kujtimesh në prozë, në libër thyhet prej poezive, përjetimeve të brendshme të Santos.

Ndërsa shfaqja ndjek një logjikë më lineare. “Ndiqet linja kronologjike e zhvillimit të ngjarjeve, por ndryshe nga çfarë autori ka bërë në librin e tij, nuk korrespondon proza me poezitë. Unë i kam përzgjedhur në mënyrë të tillë që si proza, edhe poezia të shkojnë drejt këtij uniteti kronologjik kohor”, shprehet regjisori.

Për aktoren Suela Konjari, ish-drejtoreshën e Qendrës Tirana, ky projekt, i miratuar gjatë periudhës që ajo ishte në detyrë, vjen si një premtim i përmbushur, por edhe si një homazh për një njeri që i mungon teatrit, ndaj të cilit Santo ishte dashamirës dhe mbështetës.

KUJTIMET

“Nuk mbaj mend si linda dhe ku linda. Më thanë kur përftova paksa vetëdijen time, që jam lindur në maternitetin e Tiranës, rreth orës 9 të mëngjesit, më 7 shtator të vitit 1956. Qëlloi që isha mashkull. Nuk pata rast të konvertohem gjatë rrugës, kështu që kam mbetur i tillë”.

Kështu e nis librin e tij Artan Santo, i ndarë nga jeta në mënyrë tragjike, mbetur i vrarë në një atentat, në 26 qershor 2014, në zonën e ish-Bllokut. Mënyra e strukturimit, por edhe stilit të të shkruarit tregon për ndjeshmërinë e autorit dhe dashurinë për letërsinë. Kujtimet nga adoleshenca, universiteti, dashuritë, pjekjet me personazhe të njohur si Ndriçim Xhepa, Agim Bajko dhe Shkëlqim Cani, me të cilin ndante dhe të njëjtin fakultet, martesa me Arjanën zënë vend si në libër, ashtu edhe në shfaqje.

Nuk mungojnë momentet komike, siç është rasti i prezantimit të tij të parë në punë apo dhe raste të tjera. Për të vijuar më tej me sfidat e tij profesionale në fushën e ekonomisë dhe sistemit bankar, ku pa dyshim themelimi dhe rritja e bankës “Credins” është njëri nga më kryesorët.

Familja, bashkëshortja dhe dy fëmijët janë prezentë në kujtime e vargje. Ka disa syresh që ai ia dedikon djalit, vajzës dhe bashkëshortes. “Por edhe në rrëfimet e tij në prozë ku marrëdhënia me bashkëshorten është një marrëdhënie midis miqsh, të dashurish dhe bashkudhëtarësh në sfidat e tyre të përbashkëta.

Ndaj në shfaqjen ‘Individi’ jemi përpjekur të realizojmë zyrën e Santos, vendi nga ku ndoshta kanë buruar shënimet dhe nga ku ka marrë formën përfundimtare ky libër”, shpjegon regjisori Armand Bora.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura