Indiciet për hetimin e korrupsionit, KLSH pakt me “Integrimi Urban”

Oct 2, 2015 | 12:15
SHPËRNDAJE

Informacionet dhe indiciet për hetimin e korrupsionit ishin pjesë e paktit që firmosi dje Kontrolli i Lartë i Shtetit me “Integrimi Urban”. Kjo e fundit është një OJF të dhënat e së cilës mund të ndihmojnë audituesit e KLSH-së për hetime të mundshme. Marrëveshja u firmos dje nga kreu i institucionit, Bujar Leskaj, dhe drejtorit ekzekutiv të “Integrimit Urban”, Artur Çani.

Kreu i KLSH, Bujar Leskaj
Kreu i KLSH, Bujar Leskaj

Gjatë viteve të fundit ka vendosur një raport të ri bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile, të cilat kanë qenë mbështetje për veprimtarinë audituese të KLSH-së. Sipas njoftimit të KLSH-së, edhe marrëveshja me organizatën “Integrimi Urban”, nëpërmjet së cilës KLSH-ja do të angazhohet për shkëmbimin e të dhënave me interes reciprok, duke hapur edhe një dritare tjetër komunikimi me publikun me qëllim rritjen e transparencës dhe modernizimin e institucionit.

“Nëpërmjet këtij bashkëpunimi do të krijohet mundësia e shfrytëzimit të të dhënave të ndryshme të publikuara nga ‘Integrimi Urban’, të cilat mund të shërbejnë si indicie për fillimin e auditimeve nga ana e KLSH-së”. Leskaj e vlerësoi si një ndihmë shtesë për institucionin që ai drejton paktin e firmosur.

“Kjo marrëveshje kontribuon në forcimin e institucionit, në rritjen e transparencës së veprimtarisë së tij audituese me qëllim përmirësimin e qeverisjes, duke luftuar korrupsionin”. Sipas njoftimit, përfaqësuesi i “Integrimit Urban” vlerësoi bashkëpunimin me KLSH-në, qasjen e re që ka KLSH-ja ndaj Shoqërisë Civile dhe veçanërisht transparencën e këtij institucioni, i cili i ka dyert e hapura për gazetarët dhe për qytetarët, duke vënë në dispozicion të tyre informacionin e kërkuar.

“KLSH-ja është një nga institucionet e pakta që ka besueshmëri dhe impakt pozitiv te qytetarët, duke sensibiluar opinioin publik për gjetjet e auditimeve të realizuara”, theksoi Çani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura