| Tirane |

|
| Durres |
|
| Vlore |
|
| Shkoder |
|
| Korce |
|
|
|
|
Dinamika vendore nė fokusin e Evropės sė rajoneve |
|
»
Vendosur: 09/11/2009 - 09:05
|
• Ylli Asllani*
“E rëndësishme është të bëjmë përpara, qoftë edhe duke rendur më shpejt se ai tipi që ke në krah”, ka qenë një nga sentencat e njohura e qendrës së djathtë evropiane. Presidenti i Kongresit të Autoriteteve lokale dhe rajonale të Këshillit të Evropës z. Jan Micallef gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë konstatoi: “Shqipëria është një vend shembull, ku qeveria ka bërë përpjekje dhe ka arritur rezultate për sa i përket forcimit të decentralizimit, mbështetjes që i është ofruar pushteteve lokale dhe rajonale dhe plotësimit të kritereve të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore ”Natyrisht ky njoftim, pavarësisht se i referohet qeverisë, është një vlerësim i gëzueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë, si dhe faktorët e spektrit politik e shoqëror, të cilët së bashku kanë meritën e përsosjes së qeverisjes vendore. Opozita socialiste postzgjedhore ka një arsye më shumë, ndofta për të qenë krenare për këtë gjest evropian, sepse ka qenë ajo që me akuzat kundër qeverisë e kujtoi z.President Micallef të bënte këtë deklaratë të mirë për Shqipërinë. Megjithatë ta lemë pas këtë vetëflijimin të panevojshëm dhe le të shikojmë përpara. Të vazhdojmë të ecim me shpejtësi drejt decentralizimit të plotë dhe të kapim finishin evropian të mirëqeverisjes vendore. Aktualisht Shqipëria po ecën me ritme të shpejta në këtë hartë – rrugë, sepse shteti po tërhiqet në mënyrë të programuar nga funksionet e panevojshme dhe po aplikon me sukses decentralizimin dhe fuqizimin e partnerëve vendorë. Ministritë po tkurren dita-ditës nga pronat, funksionet dhe mandatet e tepërta dhe po përqendrohen në politikat e karakterit kombëtar, duke fuqizuar pushtetin vendor, duke i shërbyer kështu më mirë qytetarëve. Në këtë stad të demokracisë shqiptare jemi të vetëdijshëm se Decentralizimi nuk mund të jetë efektiv pa garantuar një ritëm më të lartë të Zhvillimit Rajonal. N.q.s decentralizimi është përsosje e vazhdueshme e politikave qendrore dhe një reflektim në favor të qeverisjes vendore, Zhvillimi Rajonal po konsiderohet si mjeti më i efektshëm për nxitjen e progresit ekonomik, vitalizimin e periferisë dhe zbutjen e varfërisë. Qeveria ka krijuar për katër vjet një klimë mjaft stimuluese për jetën në rajone, përkundrejt konceptit fasadë të interferuar me kapsula ekomomike të momentit. Nëpërmjet politikave të saj qendrore, qeveria ka hartuar ligje të cilat i japin një impakt të madh rolit të të zgjedhurve vendorë në zhvillimin rajonal. Këto ligje janë: Ligji për Koncesionet, Ligji për Huamarrjen Publike nga njësitë vendore, si dhe Ligji për Pjesëmarrjen e Biznesit Privat në Punët Publike. Krahas këtyre ligjeve, qeveria ka vendosur në dispozicionin e Vendoreve fonde dhe instrumente të tillë si Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Agjencia e Zhvillimit te Zonave Malore për të kompesuar mungesat e përkohshme në kapacitete teknike apo burime njerëzore profesionale. Qeveria ka krijuar një klimë stimuluese për jetën në rajone edhe nëpërmjet politikave të investimit në fushën e dixhitalizimit të identitetit të shtetasve, përmirësimit të infrastrukturës, subvencionit të kreditimeve në bujqësi, lehtësimit të biznesit, krijimit të one stop në shërbime, pagesave online të taksave, prokurimeve elektronike, ndërtimit të ambienteve të reja arsimore, futjes së internetit në çdo shkollë, si dhe të mbështetjes me financim të projekteve të përbashkëta të qeverisjes vendore me partnerët ndërkombëtare. Të gjitha këto kanë krijuar shtratin për një politikë më të avancuar rajonale. Nga ana tjetër shkalla e interesave dhe niveli botëformues i qytetarëve shqiptar, lidhur me cilësinë e jetesës, kërkon gjetje dhe koncepte të reja, bashkëkohore, të studiuara, serioze dhe afatgjata nga të zgjedhurit e tyre. Për këtë arsye, qeveria po e paraqet problematikën e komuniteteve vendore si një paketë të plotë të prioriteteve rajonale, e instaluar kjo në funksion të politikës buxhetore decentralizuese. Në zërin e buxhetit, kjo politikë e re klasifikohet si Fondi i Zhvillimit Rajonal. I konsideruar si reformë, Fondi i Zhvillimit Rajonal ka në dispozicion padyshim edhe objektivat, parimet, instrumentet dhe kuadrin e vet institucional. Fondi për Zhvillimin e Rajoneve do të aplikohet në buxhetin e viteve në vazhdim, duke filluar prej vitit 2010 dhe do të përsoset dhe plotësohet në perspektivë deri në plotësimin e integruar të kërkesave të NjQV me shërbime publike, ndihmë sociale, objekte arsimor e shëndetësor, si dhe sisteme ujitëse për bujqësinë. Çfarë përfaqëson Fondi i Zhvillimit Rajonal? Çelja e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve vjen si rezultat i identifikimit të nevojës për një ritëm më të lartë, më të ekuilibruar, më bashkëkohor dhe më të qëndrueshëm të zhvillimit social-ekonomik në rajonet e Shqipërisë, në përgjithësi, dhe zonat malore dhe periferike në veçanti. Në këtë aspekt, për të inkurajuar zhvillimin nga njësia më e vogël që është Komuna, Bashkia e deri në nivel Qarku, është e nevojshme që politikat buxhetore kombëtare të harmonizohen gjithnjë e më tepër me politikat buxhetore vendore. Në funksion të kësaj filozofie, është e domosdoshme të përsoset integrimi i politikave sektoriale të pushtetit qendror në nivel rajonal e lokal. Gjithashtu qeveria në hapat e saj të përshpejtuar drejt anëtarësimit në komunitetin evropian sheh të nevojshme që të gjitha zonat e vendit të jenë të afta të gjenerojnë kapacitete menaxhuese dhe të konkurrojnë normalisht në tregun e bashkuar të Evropës. Ajo është e ndërgjegjshme, se një nga parimet kryesore të miratuara në programimin e fondeve të BE është Parimi i Partneritetit. Ky parim i përqafuar nga qeveria shqiptare me nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim-asocimit nënkupton konsultime domethënëse me pjesëmarrësit e nivelit kombëtar, të qarkut, bashkisë, kolektivave të biznesit dhe shoqërisë civile. Fondi për Zhvillimin Rajonal ne këtë aspekt plotëson më së miri këtë normë të Komunitetit Evropian. ROLI I FONDIT PËR ZHVILLIMIN E RAJONEVE Fondi i Zhvillimit Rajonal trajton në mënyrë të integrale problemet e zhvillimit lokal dhe rajonal. Ai është një instrument në luftën kundër varfërisë dhe balancon zonat e pafavorizuara. Aplikimi i Fondit shmang në maksimum fragmentimin e buxhetit, rrit shkallën e bashkëpunimit të Pushtetit Qendror me Njësitë e Qeverisë Vendore si dhe nxit e mbështet gjithë faktorët e brendshëm e të huaj që synojnë zhvillimin rajonal. Në këtë fond të përfshihen: Grandet konkurrues për infrastrukturën vendore, për sistemet e ujit të pijshëm e kanalizimet, objektet arsimore, shëndetësor, sportiv, kulturor, veprat vaditëse etj, pra të gjithë spektrin e plotësimit të kërkesës së qytetarëve me shërbime. Fondet mbështesë që i akordohen njësive vendore si kontribut i partneritetit vendas në projektet e përbashkëta evropiane dhe të donatorëve të tjerë ndërkombëtarë. Në këtë fond, mund të përfshihet në të ardhmen edhe ndihma ekonomike, e cila duhet të orientohet në shpërblim të personave në nevojë për punët publike që do të realizojnë. Objektivat themelore FZHR janë: Krijimi i një platforme politike, ekonomike dhe ligjore me bazë të gjerë për zhvillimin e balancuar të Rajoneve, që do të parandalojë aplikimin e politikave të deformuara dhe preferenciale në çështjet e zhvillimit ekonomik dhe social të Rajoneve. Thellimi i Decentralizimi dhe Dekoncentrimit të pushtetit. Këshillat e Qarqeve do të kenë rol të rëndësishëm në propozimin për shpërndarjen e fondeve. Në këtë mënyrë, Fondi i Zhvillimit të Rajoneve do të jetë një platformë shumë e rëndësishme financiare për këshillat e Qarqeve në përmbushje të funksioneve të zhvillimit ekonomik e social të NjQV të territoreve të tyre. Harmonizimi i Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit me prioritet e strategjive rajonale dhe lokale. Nxitja e zhvillimit te qëndrueshëm dhe të ekuilibruar të të gjithë rajoneve të Shqipërisë; Forcimi i konkurueshmërisë së ekonomisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm dhe vlerësimin e diferencave lokale dhe rajonale; Prefeksionimi i kapaciteteve të qeverisjes vendore. Këshillat e Qarqeve, NJQV dhe strukturat e tyre ekzistuese do të trajnohen duke punuar për alokimin e burimeve në funksion të zhvillimit rajonal. Përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së jetës në të gjitha rajonet e Republikës së Shqipërisë. Reduktimi i vazhdueshëm i diferencave të zhvillimit ekonomik dhe social, duke nxitur zhvillimin e integruar të zonave rurale dhe një zhvillim të ekuilibruar ndërmjet rajoneve të Republikës së Shqipërisë. Rigjallërimi i zonave me dizavantazhe të theksuara (të izoluara nga zhvillimi). Parandalimi i emergjencave që mund të krijohen nga zhbalancimet e reja gjatë procesit të zhvillimit të vendit; Krijimi dhe zhvillimi i një kuadri unik për planifikimin dhe menaxhimin eficient të zhvillimit rajonal. Kontrolli i procesit. Procesi i vlerësimit të prioriteteve lokale në të gjitha Qarqet për shkak të koordinimit të garantuar nga sekretaria teknike e KKP do të jetë uniform dhe në përputhje me kriteret ligjore për shpërndarjen e Fondit të Zhvillimi të Rajoneve. Infrastrukturë me cilësi të lartë. Infrastruktura e ndërtuar me standarde bashkëkohore që në fazën e projektimit garantohet nga kontrolli teknik i projekteve në Qark dhe pastaj në sekretariatin teknik. të KKP. Kontrolli i shpenzimeve. Skema nëpërmjet filtrit të sekretariatit të KKP teknik garanton mekanizma kontrollues për të garantuar financime korrekte, bazuar në çmimet e tregut për objektet që ndërtohen. Përgjegjësia politike për zhvillimin e komuniteteve. Vendim-marrja finale për projektet që do të financohen kalon në një nivel të lartë politik për të garantuar përputhjen me strategjitë qeveritare. Nxitjen e bashkëpunimit ndërrajonal të brendshëm dhe ndërkombëtar, të bashkëpunimit ndërkufitar brenda kuadrit të Eurorajoneve, si edhe të pjesëmarrjes në organizatat dhe strukturat Evropiane. Struktura institucionale e fondit të zhvillimit rajonal. Fondi i Zhvillimit Rajonal i realizon objektivat e tij nëpërmjet një bashkëpunimi dhe bashkëpjesëmarrje, ku marrin pjesë: Këshilli i Partneritetit të Qarkut. KPQ do të jetë një organ kolegjial pranë Këshillit të Qarkut dhe drejtohet nga kryetari i Këshillit të Qarkut. Këshilli i Partneritetit të Qarkut është organi konsultativ dhe këshillimor për procesin e hartimit, zbatimit dhe monitorimit të Strategjisë së Zhvillimit të Qarkut. Ai bashkërendon interesat e NjQV brenda Qarkut si dhe të subjekteve që vijnë nga fusha e biznesit dhe shoqëria civile. Mbledh dhe harton prioritet e zhvillimit rajonal nga NjQV dhe grupet e interesit, identifikon, stimulon dhe paraqet projektet me impakt të përbashkët ndër-komunal dhe ndër-rajonale të NjQV, si dhe evidenton zonat intensive të zhvillimit dhe ato të prapambetura. Anëtarët e KPQ janë kryetarët e NjQV dhe drejtuesit e administratës shtetërore të Qarkut si dhe përfaqësuesit e biznesit, shoqatat e punëmarrësve dhe shoqëria civile nga territori i qarkut. Njësitë e Qeverisjes Vendore. Njësite vendore mbi bazën e strategjive të tyre lokale të zhvillimit dhe debatit në këshillat vendorë, hartojnë projektet, përcaktojnë prioritetet dhe plotësojnë formularin e aplikimit, sipas kritereve të paracaktuara nga Komiteti i Partneritetit Kombëtar dhe i dërgojnë në Këshillat e Qarqeve dhe Komitetin e Fondit të Zhvillimit Rajonal. Aplikimi për fondet e zhvillimit rajonal dhe tenderimi i tyre kryhet nga vetë njësitë vendorë në mënyrë individuale. Njësitë e qeverisjes vendore janë në këtë mënyrë propozues dhe përfitues të këtij fondi në bazë të një vendimmarrje të përbashkët me të gjithë faktorët që synojnë zhvillimin e komuniteteve të tyre si dhe të një konkurshmërie të hapur, transparente dhe gjithëpërfshirëse. Këshillit të Partneritetit Kombëtar për Zhvillimin Rajonal KPK do të jetë organi kolegjial pranë Këshillit të Ministrave, i cili përcakton politikën e shpërndarjes së fondit të zhvillimit rajonal dhe miraton propozimet për alokimin e fondeve për njësitë vendore në zbatim të politikave buxhetore të vendit dhe të rekomandimitt të ardhur nga Këshillat e Partneritetit në Qarqe. Pra si përfundim mund të thuhet se: Fondi për Zhvillimin Rajonal është jo vetëm një mundësi ekonomike për nxitjen e zhvillimit por dhe një forum ku mund të realizohet bashkëpunimi i qeverisë me njësitë vendore. Ekzekutimi i Fondit është gjithashtu procesi ku kapacitetet vendore e qendrore ushtrohen paraprakisht për të absorbuar fonde strukturore dhe investime nga institucionet financiare të Bashkimit Evropian. “Çdo zinxhir është i fortë sa hallka më e dobët”. Vendi ynë nuk ka kohën e disponueshme dhe komoditetin për të qenë në nivelin e hallkës më të dobët. Këshilltar i kryeministrit për Pushtetin Vendor dhe Decentralizimin
|
|
|
|
|
|
|
PANORAMA & PANORAMA SPORT |
PANORAMA PLUS & UNE GRUAJA |
|
|