| Tirane |

|
| Durres |
|
| Vlore |
|
| Shkoder |
|
| Korce |
|
|
|
|
Enciklopedia? Maqedonia nuk njihej nė shekullin XV |
|
»
Vendosur: 20/09/2009 - 11:24
|
•
Alma Mile
“Një enciklopedi e tillë është shenjë e një dëshpërimi të thellë”. Kështu shprehet historiani osmanist, Dritan Egro, i cili shpjegon arsyet nga buron ky sulm nga ana e maqedonasve kundrejt shqiptarëve. Egro e quan pikërisht “dëshpërim”, pasi Akademia e Shkencave e Maqedonisë nuk është një institucion dokudo, një OJF, por një institucion elitar shtetëror. Ndërsa për historianin Ferid Duka, nuk është gjë tjetër veçse rimarrje e tezës nacionaliste të shek. XIX. “Kjo është pjesë e strukturës së historiografisë serbe dhe sllave në përgjithësi, të frymëzuara nga doktrina nacionaliste e shek. XIX dhe nuk kanë asnjë bazë shkencore”, - thotë Duka, teksa shton se, “studimet e periudhës osmane tregojnë që shqiptarët janë banues të hershëm në këto troje dhe jo të ardhur si duan t’i nxjerrin qarqet akademike serbe, sllave e maqedonase. Sipas mendimit tim, rithirrja e kësaj teze nga ana e qarqeve akademike maqedonase është shumë e dëmshme, pasi është një modifikim i historisë për qëllime politike, të dëmshme dhe për vetë Maqedoninë në këtë moment. Këto teza cenojnë bashkëjetesën mes etnive në Maqedoni, ku dihet që shqiptarët janë një faktor tepër i rëndësishëm në vend”. Për historianin Egro të gjitha akademitë në Ballkan misionin kryesor të tyre kanë pasur ndërtimin e identitetit të tyre kombëtar, duke u fokusuar në fushën e shkencave sociale, histori, gjuhë dhe letërsi-kulturë, për të justifikuar ekzistencën e një shteti. “Maqedonia është shteti më pak i stabilizuar në Ballkan dhe më artificial. Si njohës i periudhës osmane mund t’ju them se që nga shek. XV deri në dekadat e fundit të shek. XIX, osmanët nuk e njihnin termin maqedonas. Termi Maqedoni ka mbetur në kujtesën evropiane, kurse osmanët i regjistronin sipas identitetit dhe gjuhës së tyre dhe kanë njohur disa elementë që përbënin Ballkanin, që kanë qenë grekët, shqiptarët dhe sllavët, ndërsa ndërmjet këtyre të fundit njihnin serbët dhe bullgarët. Maqedonia është një krijesë artificiale e fuqive të mëdha. Procesi ka filluar qysh në 1870 me krijimin e ekzarkatit ortodoks të Bullgarisë, që ndikoi në krijimin e shtetit bullgar dhe i hapi rrugën Traktatit të Shën Stefanit, zgjerimin maksimal të shtetit bullgar, aq sa futi në frikë botën e atëhershme. Përgjigjja erdhi me Kongresin e Berlinit, i cili e kufizoi, por i hapi rrugë krijimit të një shteti tampon në Ballkan”, - shpjegon Egro. Sipas tij, projektet për krijimin e shtetit të sllavëve të jugut kanë lindur qysh në dekadën e parë të shek. XIX, kur Karagjeorgjeviçi, i pari i serbëve të asaj kohe, paraqiti dy projekte, njërin carit Aleksandër në Moskë dhe një Napoleonit në Francë, për krijimin e shtetit të sllavëve të jugut, ku të mbizotëronte elementi serb. Megjithatë kjo tezë do të merrte hov më vonë. Sipas historianit, arsyeja e parë për krijimin e shtetit të Maqedonisë ishte kufizimi i interesave të Rusisë në Ballkan, e dyta, për të mos lejuar asnjë shtet ballkanik superior ndaj të tjerëve, por edhe për të kënaqur interesat e Fuqive të Mëdha, me një element balance në këtë rajon të trazuar, madje dhe për të shkëputur enët komunikuese mes komuniteteve myslimane që mbetën në Ballkan, pas largimit të Perandorisë Osmane. “Prandaj kemi një strukturë të tillë multietnike me histori të ndryshme. Nuk është çudi që ky shtet që krijon legjitimitetin e vet të godasë fqinjët, gjë që në shek. XIX kjo ishte shumë e shprehur”, vazhdon Egro, ndërsa shton se kjo enciklopedi është një dokument politik dhe jo historik në një vend ku nuk është zgjidhur çështja e identitetit dhe emrit të vet.
“Shqiptarët kanë zbritur në trojet maqedonase nga malet në shek. XVIII, Skënderbeu është me origjinë sllave, Nënë Tereza ka origjinë vllahe…”. Këto “teza” të shprehura në Enciklopedinë e botuar vetëm pak ditë më parë nga Akademia e Shkencave të Maqedonisë kanë ngjallur reagime mes akademikëve dhe historianëve shqiptarë në Maqedoni e Shqipëri. Të gjithë bien në një mendje, se është shtrembëruar e vërteta historike mbi shqiptarët, një e vërtetë e cila mbështetet me fakte shkencore. Sipas tyre, kjo enciklopedi nuk është gjë tjetër, veçse vijimësi e linjës nacionaliste sllave, e cila mori hov në shek. XIX dhe ringjallet sërishmi, në një shtet multietnik, të pastabilizuar si Maqedonia, e cila ende nuk ka zgjidhur çështjen e emrit të vet. Akademikët dhe historianët Beqir Meta, Kasëm Biçoku, Ferid Duka, Dritan Egro shprehin qëndrimin e tyre mbi këtë botim. Një reagim vjen dhe nga kreu i Akademisë së Shkencave Shqiptare, Gudar Beqiraj.
Meta: Dëshmi e një kombi të papjekur
Drejtori i Institutit të Historisë, Beqir Meta: Mendoj se është një veprim i gabuar. Në vend që me këtë vepër të kontribuonin me të vërteta shkencore, për afirmimin e popullit maqedonas, ata deformojnë jo vetëm historinë maqedonase, por edhe atë shqiptare. Ata futen në skutat më të errëta të nacionalizmit, sipas parimit të ulim një komb për të ngritur veten. Por nacionalizmi është tepër i rrezikshëm në shkencë. Kjo dëshmon për një komb të papjekur, me probleme të brendshme, që ende nuk e ka gjetur identitetin e vet. Kjo është dëshmi e një nacionaliteti vulgar dhe naiv. Ky është moment për të reflektuar, për t’i bërë thirrje institucioneve dhe në veçanti qeverisë shqiptare, për të kontribuuar më shumë për shkencën për të dëshmuar për autoktoninë shqiptare në këtë vend. Ne nuk duhet të biem në grackën e një propagande të shpëlarë të maqedonasve, por do t’i përgjigjemi me botimin e një enciklopedie të plotë, një projekti madhor shkencor, jo shkëmbim propagandash, por faktesh shkencore.
Biçoku: Linja e vjetër shoviniste Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Kasëm Biçoku: Kjo nuk është një linjë e re, por e kristalizuar prej kohësh. Me këto pikëpamje jam përballur qysh në simpoziumin për Skënderbeun të vitit 2005. Këto janë idetë shoviniste sllave të rimarra nga akademikët maqedonas si pasojë e kompleksit që ata kanë për historinë e tyre. Fatmirësisht si historian, jam marrë edhe më parë me këto çështje dhe mund t’ju them se pretendimet e akademikëve maqedonas janë tërësisht pa baza shkencore. Në librin tim “Kastriotët në Dardani” kam bërë një studim ekonomik dhe demografik të fshatrave shqiptarë në shek. XV, ku jam bazuar në regjistrat osmanë të kohës. Në to duket qartë se popullsia në viset malore nga vjen dhe ekspansioni sipas maqedonasve është shumëfish më i vogël se ai i fushave. Në rastin e enciklopedisë maqedonase nuk kemi të bëjmë me një punë profesionale, por antishqiptare. Historiografisë shqiptare i del për detyrë të përgatisë specialistë të rinj, që njohin gjuhët e vjetra, në mënyrë që të jemi të aftë për t’iu përgjigjur këtyre akuzave.
Beqiraj: Një kontradiktë matematike Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj: Si kryetar i Akademisë së Shkencave, mund t’ju them se ASH e Shqipërisë nuk do të bjerë në të njëjtin batak si Akademia maqedonase, e cila me siguri ka marrë një urdhër politik për të realizuar këtë enciklopedi. Autorët e kësaj enciklopedie nuk kanë marrë parasysh të vërtetat historike të botuara në enciklopeditë shqiptare, qoftë botimin e ri të para dy muajve, apo ajo e vitit 1985, ku personalitete të njohur botërisht, si Aleks Buda, Neritan Ceka, apo Myzafer Korkuti, japin të dhëna mbi etnogjenezën shqiptare, për ilirët, apo pellazgët. Deri më sot këto fakte nuk janë kontestuar nga askush. Si njeri i shkencave ekzakte do të thosha që kemi të bëjmë me një kontradiktë matematike, pasi akademikët maqedonas nuk marrin parasysh fakte historike që na vijnë qysh nga shek. XV, bëhet fjalë për regjistra të perandorisë osmane, të cilët kishin regjistruar popullsinë shqiptare me qëllim mbledhjen e taksave. Gjithashtu ata guxojnë ta quajnë Skënderbeun sllav, në një kohë që origjina shqiptare e heroit nuk mohohet nga askush.
Enciklopedia Maqedonase për shqiptarët:
• Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur nga Shqipëria Veriore. Ata, kanë kolonizuar viset në Maqedoni në shekullin XVI, duke i dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre.
• Vërshimin e tyre drejt Maqedonisë e ka mundësuar Ali Pashë Tepelena. Shteti i parë shqiptar është formuar nga Gjermania fashiste, e cila kufijtë e këtij shteti i zgjeroi në rajonet e Maqedonisë perëndimore. Shqiptarët, veç të tjerash, njihen edhe si njerëz malorë....
• Prejardhja e shqiptarëve të Maqedonisë është nga Veriu i Shqipërisë, fisi i gegëve dhe vendosja e tyre fillimisht ishe nëpër qytetet si Tetovë e Gostivar, të cilët me ndihmën e bandave të kaçakëve terrorizuan popullsinë maqedonase duke i detyruar të shpërngulen, për rrjedhojë vatrat maqedonase dhe fshatrat e tyre u populluan me shqiptarë. Deri në fillimet e shekullit të 20-të shqiptarët numëronin 20 mijë banorë
• Pellazget erdhën në Ballkan nga Kreta dhe Siçilia, Italia e jugut dhe Etruria ( fq 1269)
• Shqiptarët emërtohen si arbanasë, arnautë dhe shqiptari, ku kjo e fundit shoqërohet me shpjegim përkatës nën kllapa ‘Pllaninci (të malit).
• Në faqen 719 të enciklopedisë, emri i Gjergj Kastriot Skënderbeut shkruhet Gjorgjia, ndërsa në faqen 957 shkruhet se origjina e tij është sllave.
• Origjina e Nënë Terezës është vllahe (fq 957)
• Isa Boletini dhe Bajram Curri në 12 gusht 1912 hynë në Shkup dhe e plaçkitën këtë qytet (fq 33)
|
|
|
|
|
|
|
PANORAMA & PANORAMA SPORT |
PANORAMA PLUS & UNE GRUAJA |
|
|