| Tirane |

|
| Durres |
|
| Vlore |
|
| Shkoder |
|
| Korce |
|
|
|
|
Galeria nxjerr nga fondi pikturat e ndaluara |
|
»
Vendosur: 07/05/2009 - 08:01
|
•
Alma Mile
Në hollin e Galerisë Kombëtare të Arteve ka më shumë gjallëri se zakonisht. Punonjësit hyjnë e dalin. Provojnë uniformat e reja, kostume blu e këmisha të bardha. Nuk do ketë më përparëse si ato të magazinave, apo veshje shtëpie... Vetëm një ditë i ndan nga hapja e muzeut, për të cilin ka kaq shumë kohë që flitet. Sot në orën 18:00 zhvillohet ceremonia e hapjes së linjës muzeale të Galerisë Kombëtare të Arteve, në të cilën ofrohet 120 vjet histori të pikturës dhe skulpturës shqiptare. Për muaj me radhë në godinën e GKA-së është punuar për rehabilitimin e saj, por edhe për përzgjedhjen e veprave për pavijonet e rinj. Teksa ende nuk është hapur për publikun, “vjedhurazi” mund të shohësh se si zbardhin muret, ndrijnë parketet dhe sallat duken plot hapësirë dhe dritë. Gjithçka të lë një shije tjetër. Që në momentin kur drejtori i GKA-së, Rubens Shima, mori përsipër ta realizojë linjën muzeale të premtuar nga çdo drejtor i ardhur në atë karrige, ngulmoi në pretendimin se “për herë të parë, pas ndryshimit politik të vitit 1991, Galeria Kombëtare e Arteve do të ekspozojë një linjë historike të artit shqiptar prej gati 120 vjetësh, duke filluar nga viti 1883, vit që mban tabloja ‘Motra Tone’ e Kolë Idromenos dhe që shkon deri në fillim të viteve 2000". I gjithë procesi i qëmtimit të veprave, për periudhat e caktuara, është shoqëruar me debate dhe pretendime të ndryshme nga ana e piktorëve. Edhe pse mbajnë firmën e tyre, askush nuk dëshiron që në muzeun e ri të ekspozohen punët tipike që ata kanë bërë gjatë realizmit socialist, sidomos kur bëhet fjalë për tablo me partizanë, apo gjatë ndërtimit të socializmit, e aq më keq kur bëhet fjalë për ndonjë pikturë kushtuar udhëheqësit Enver Hoxha. Të gjithë pretendojnë se punët e vendosura, sidomos në pavijonin që paraqet vitet kur arti u mbërthye nga fryma e formimit të “njeriut të ri”, nuk janë më “përfaqësueset” në karrierën e tyre. Thua se muzeu ndërtohet për të treguar krijimtarinë e njërit apo tjetrit. Stafit që punoi krijimin e linjës i është dashur të përballet me pretendime nga më të ndryshmet. Sipas drejtorit Shima, linja është konceptuar në gjashtë seksione. Seksioni i parë, i titulluar “Fillesat e pikturës në qytetet shqiptare” përmbledh artifaktet e para të pikturës dhe skulpturës shqiptare, duke ndarë në dysh periudhën e ashtuquajtur “Art i Rilindjes dhe i Pavarësisë”. Për herë të parë dalin nga fondi për këtë seksion portrete pashallarësh e udhëheqësish turq, që deri më sot janë quajtur të “padenja” për t’u ekspozuar. Seksioni i dytë, i titulluar “Piktura Realiste dhe Shkolla e Vizatimit” (1930-1950) përmbledh veprat dhe autorët e parë të shkolluar në shkollat e artit të vendeve fqinjë, por edhe evidenton një moment historik si ai i hapjes së shkollës së artit në Tiranë në vitin 1931. Seksioni i tretë “Piktura/skulptura akademike dhe tabloja me temë historike (1950-1986)” përpiqet të depërtojë në natyrën e një arti të kompletuar në arritje teknike, që vihet në funksion të politikës dhe pushtetit, duke prodhuar edhe tablonë historike tipike që shoqëron periudhën e Realizmit Socialist. “Realizmi Socialist, Ndërtimi i Modeleve të Njeriut të Ri (1960-1986)” është seksioni vijues, i cili përqendrohet në ndërtimin e “njeriut të ri” dhe të përçimit të propagandës socialiste. Për herë të parë, GKA i kushton një hapësirë të tërë të ashtuquajturës “piktura formaliste” e viteve ‘70, me seksionin e pestë të titulluar “Piktura Formaliste e Realizmit Socialist (1969-1974)”, e krijuar gjatë viteve të “liberalizimit të viteve ‘70". Seksioni i fundit “Piktura dhe skulptura moderniste (1989-2001)” bashkë me nëntemën “Elementë të pikturës moderniste në vitet 1960-‘70", përpiqet të dokumentojë ndryshimet në artin shqiptar, që vijnë bashkë me rënien e socializmit.
6 seksione muzeale
“Fillesat e pikturës në qytetet shqiptare” “Piktura Realiste dhe Shkolla e Vizatimit” (1930-1950) “Piktura/skulptura akademike dhe tabloja me temë historike (1950- 1986)” “Realizmi Socialist, Ndërtimi i Modeleve të Njeriut të Ri (1960-1986)” “Piktura Formaliste e Realizmit Socialist (1969-1974)” “Piktura dhe skulptura moderniste (1989-2001)”
|
|
|
|
|
|
|
PANORAMA & PANORAMA SPORT |
PANORAMA PLUS & UNE GRUAJA |
|
|