| Tirane |

|
| Durres |
|
| Vlore |
|
| Shkoder |
|
| Korce |
|
|
|
|
Atlantiku, 10 vjet pas betimit mbledh UĒK |
|
»
Vendosur: 22/04/2009 - 08:06
|
•
DURRES/ OERD ULQINI
Janë bij të Ame-rikës, të lindur dhe të rritur në tokën e premtuar, por pavarësisht kësaj ata iu përgjigjën "YES" kushtrimit "Atdheu në rrezik!". Dhjetë vjet pas formimit të batalionit "Atlantiku", ish-ushtarët e UÇK-së janë rikthyer në lokal "Drenica" në plazhin e Durrësit, pikërisht në atë vend ku bënë betimin. Kjo vizitë u krye më shumë në formën e një pelegrinazhi patriotik, pasi tashmë kur nga ky konflikt ka rrjedhur një dekadë, Kosova është shtet i njohur nga superfuqitë më demokratike të Globit. Hysni Syla është një komandant jo vetëm në kohë lufte, por edhe në paqe. Ish-luftëtarët i besojnë komandant Sylës me një bindje prindërore. "Me të ardhur nga aeroporti i Rinasit 10 vjet më parë, këtu në lokal 'Drenica' kemi pirë gotën e parë të ujit. Kohë nuk kishte dhe me të kryer betimin batalioni Atlantiku u nis për të çliruar Kosovën", tha themeluesi Hysni Syla. Formacioni "Atlantiku" numëronte 100 ushtarë dhe në apelin e komandantit mungojnë tre persona. Ata janë tre vëllezërit Ylli, Mehmet dhe Agron Bityçi, të cilët mbetën të vrarë në betejën për çlirimin e Pashtrikut. Të tre këta dëshmorë ishin me origjinë nga Prizreni, por kishin lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Veç kësaj humbjeje të madhe batalioni "Atlantiku" pësoi edhe 12 të plagosur, disa prej të cilëve me pasojë gjymtimin. Pjesa e mbetur e këtij formacioni luftarak ka ngritur në Durrës dollinë për hyrjen në NATO dhe Kosovën e pavarur. Skënder Kapiti është njeriu që i priti nga Rinasi këta luftëtarë në atë prill të vështirë të vitit 1999. "Atlantiku është një batalion shqiptarësh të Amerikës, por e veçanta është se aty u mblodhën njerëz me origjinë nga Plava dhe Gucia, Ulqini, Shkupi, Tetova, Prizreni etj., qytete shqipfolëse në Ballkan. Pra ky batalion u formua nga trungu amë i Shqipërisë etnike Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia", tha Skënder Kapiti. Sipas tij, këta djem vetëm kishin dëgjuar të flitej për Shqipërinë dhe Kosovën, ku ishte edhe toka e prindërve apo gjyshërve të tyre. "Batalioni ynë kishte një detyrë tepër të vështirë. Ai kreu me sukses operacionin 'Shigjeta', që kishte si synim në vetvete pastrimin e kufirit shqiptaro-shqiptar nga ushtria serbe", tha Haxhë Baldemaj, një ish-ushtar i UÇK-së, me origjinë nga Plava dhe Gucia. Në nderim të këtij jubileu të gjithë pjesëtarët e mbetur të batalionit "Atlantiku" kryen homazhe përpara monumentit të ushtarit të panjohur të UÇK-së që ndodhet pikërisht në oborrin e lokal "Drenica". Ata mbërritën nga Rinasi ekzaktësisht sikurse 10 vjet më parë, me të njëjtin autobus. Në të valëviteshin flamujt e NATO-s, të Shqipërisë, Kosovës, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë etj. fuqive perëndimore që kanë njohur shtetin më të ri në Botë.
|
|
|
|
|
|
|
PANORAMA & PANORAMA SPORT |
PANORAMA PLUS & UNE GRUAJA |
|
|