| Tirane |

|
| Durres |
|
| Vlore |
|
| Shkoder |
|
| Korce |
|
|
|
|
Grabitet natėn kasaforta e biznesmenit |
|
»
Vendosur: 13/01/2009 - 09:04
|
•
Dashamir Biçaku
Grabitet natën banesa e biznesmenit të ndërtimit Rustem Biba në rrugën "Lord Bajron", në Laprakë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të dielës, në kohën që pronari i shtëpisë dhe familja e tij ndodheshin në lokal. Në pamundësi për ta hapur, grabitësit morën kasafortën me një shumë që mendohet se është afërsisht 3.5 milionë lekë të reja. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës të së dielës, kur autorët ende të paidentifikuar kanë mundur të thyejnë banesën e biznesmenit të njohur në fushën e ndërtimeve dhe më pas të marrin që andej kasafortën e të largohen qetësisht pa u vënë re nga askush. Bashkë me shumën e konsiderueshme të parave, autorët mësohet se janë larguar bashkë me një sasi bizhuterish që kapin një vlerë të konsiderueshme, të cilat janë marrë po në banesën e biznesmenit. Grabitja e banesës së tij ka ndodhur kur në shtëpinë e 49-vjeçarit nuk ndodhej askush, çka hedh dyshime se grabitësit kanë vëzhguar lëvizjet e anëtarëve të familjes. Biznesmeni ka denoncuar në polici, ndërsa menjëherë ka nisur hetimi për zbardhjen e ngjarjes dhe janë shoqëruar disa persona të dyshuar. Grabitja e kasafortës Autorët e krimit, sipas burimeve të policisë, mendohet se kanë qenë të paktën dy persona, të cilët kanë arritur të hyjnë në banesën e ndërtuesit të njohur dhe marrin prej andej paratë e bizhuteritë. Burime të policisë pohuan dje se ngjarja ka ndodhur në kohën që pjesëtarët e familjes Biba dhe vetë i zoti shtëpisë kanë qenë në lokalin e tyre "Besi", përballë Spitalit Ushtarak. Sipas burimeve të policisë bëhet fjalë për harkun kohor nga ora 19:00 deri rreth orës 22:00, kur krimi është konstatuar nga të zotët e shtëpisë, të cilët janë kthyer në banesë dhe kanë parë rrëmujën. Ndërtuesi Biba mësohet se ka qenë duke parë ndeshjen e mbrëmjes Roma-Milan në ambientet e lokalit të tij. Në këtë kohë së paku dy persona kanë hyrë në vilën 3-katëshe, ndërsa aty nuk kishte njeri. Ata kanë thyer derën kryesore, ndërsa më parë kishin kaluar kangjellat e larta. Hajdutët kanë rrëmuar në dhomat e vilës deri sa kanë gjetur dhe kanë marrë që andej kasafortën me shumën e konsiderueshme të parave. Autorët janë larguar të qetë, ndërsa në përfundim të ndeshjes biznesmeni Biba është kthyer në banesë pasi ka mbyllur edhe lokalin në të cilën ndodhet edhe një klinikë ekzaminimesh mjekësore. Denoncimi Biznesmeni dhe pjesëtarët e familjes janë përballur me skenën e krimit sapo janë kthyer në shtëpi. Menjëherë ata kanë rendur në drejtim të vendit ku ndodhej kasaforta, të cilën mendonin se nuk e dinte askush. Autorët gjithsesi kishin arritur të rrëmbejnë kasafortën, paratë dhe bizhuteritë. Menjëherë biznesmeni i dëmtuar nga ngjarja ka lajmëruar policinë e kryeqytetit. Hetuesit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ndërsa nga pyetja e ndërtuesit është mësuar se ai ka pasur një sasi të konsiderueshme parash në kasafortë, por shuma fikse nuk i kujtohej. Burimet zyrtare thanë se nga verifikimet e para dyshohet se shuma e grabitur mund të kapë shifrën e rreth 3.5 milionë lekëve të reja.
Ylli Manjani: Qeveria ka dështuar në sigurimin e rendit
PS akuzon qeverinë për mungesën e rendit publik dhe sigurisë në vend. Kryetari i Komisionit të Ligjeve të administratës publike dhe sigurisë në Asamblenë Kombëtare të PS, Ylli Manjani, u shpreh dje se shteti ka humbur kontrollin e veprimtarisë kriminale në territor, ndërsa hakmarrja primitive dhe vetëgjyqësia janë sot mjetet me të cilat krimi vazhdon të marrë jetën e shqiptarëve. "Përqendrimi i veprimtarisë antikrim në Drejtoritë Rajonale të Policisë ka bërë që komisariatet e policisë sot janë shndërruar thjesht në kazerma të punësimit të militantëve dhe jo në agjenci shtetërore që kapin elementet kriminalë", tha Manjani. Ndër të tjera, selia rozë ka akuzuar qeverinë e Berishës si të paaftë për t'i shërbyer interesave legjitime të shqiptarëve për rend dhe siguri, duke thënë se parandalimi i krimit për qeverinë është një luks i madh. Viti 2009, sipas Manjanit, ka nisur me një seri vrasjesh, ekzekutimesh, vjedhje banesash, madje janë shfaqur dhe maskat, ndërkohë qeveria nuk ka bërë të mundur as kapjen e autorëve. PS shpreh shqetësim për situatën e sigurisë në vend, duke e konsideruar si shumë të rënduar. "Ne mirëkuptojmë të gjithë shqetësimet e shqiptarëve, të cilët nuk mbrohen dot nga ky shtet i përfshirë vetë në krim. Është jetike për të gjithë ne që në këto 5 muaj që i kanë mbetur kësaj qeverie, institucionet e ruajtjes së rendit dhe ata të ndjekjes penale të marrin në dorë fatin e sigurisë në vend", u shpreh Manjani.
|
|
|
|
|
|
|
PANORAMA & PANORAMA SPORT |
PANORAMA PLUS & UNE GRUAJA |
|
|