| Tirane |

|
| Durres |
|
| Vlore |
|
| Shkoder |
|
| Korce |
|
|
|
|
»
Vendosur: 11/11/2008 - 08:20
|
• Edison Ypi
Të gjitha luftrat të humbura. Të gjithë kufijtë të cunguar. Të gjitha punët të bëra keq. Aq larg Europës sa as krizat e saj nuk na kapin. Ky është bilanci katastrofik shqiptar me në krye karikaturat e burrave, burrthat. Historia e vjetër dhe e re e Shqipërisë është plotepërplot me vetëm burrtha pothuaj pa fare femra. Që Shqipëria udhëhequr nga burrthat një ditë do katandisej në një Bukolike Republikë, apo si i thonë sot, Banana Republikë, vizionarët tanë e kanë paralajmëruar qyshkur. Mes tjerësh, ndër të parët, ishte Naimi i madh, që dha alarmin për rrezikun e një Shqipërie shtet burrthash kafaz femrash. Që të ndizte të shumtët dhe t’i sillte në vete të paktët. Me një stil të hollë poetik tejet elegant dhe inteligjent, si të pothuaj krejt kryeveprave botërore. Përmes një kushtrimi ulëritës me plot 4265 fjalë në të famshmen Bagëti e Bujqësi, titulli i së cilës, si dhe kryekrejt përmbajtja, flasin vetë për burrthin e kudondodhur dhe femrën e munguar. I ëmbli i miri Naimi kishte të drejtë. Qysh në fillim të poemës, për ata që dinë të lexojnë diçka më tepër se Abetaren, aty tek thotë mjaft qartë se; “Do tu këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni”. Pra do përpiqem tu çel sytë, së pari juve o femra, për burrthat parazitë që në kurriz po i mbani. Si edhe më qartë akoma, pak më poshtë, ku thjesht tallet duke thënë; “O vendëthit (ç’diminutiv qëllimisht i pështirë pa asnjë tingull burrëror dedikuar burrthave !) e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni”. Pra “O burrthat e mallkuar ju mua më gajasni”. Nejse, poema është përplot me të tilla. Gjeniu e dinte fare mirë se Historia e Shqipërisë ishte e mbushur tejembanë me burtha mustaqellinj mëndjemëdhenj vrasës, gjakpirës, hajdutë, pijanecë, llupësa, dembelë, mburravecë, hileqarë, intrigantë. Prandaj ulëriti Naimi. Por profecisë naimiane pak ose aspak rëndësi iu dha, dhe burrthat karikatura të burrave ende sot vazhdojnë të mbretërojnë ndër ne. Një tjetër shqiptar vizionar tha; “ Burrat e dheut e thirrshin nanë”. Pra edhe “Burrat e dheut” ishin të etur për femër. S’ka asgjë për tu çuditur pse shumica e shqiptarëve i lexojnë në të kundërt mesazhet e vizionarëve për femrën e munguar. Shembuj nga Letërsia kur 99.99 % e lexuesve kapin, madje pasi e kapin mbeten dhe të lumtur, me vetëm 0.01 % të thelbit të fabulës, ka plot. Në fund të fundit aq është distanca nga lexuesit mediokër tek lexuesit e vërtetë. Një shembull nga krema e Letërsisë botërore është Pinoku. Miliona dashamirë naivë të letërsisë anembanë planetit e kanë lexuar dhe e lexojnë dhe e ngrenë në qiell Pinokun thjesht si historinë e këndëshme moralistike të një buratini të cilit i zgjatet hunda sa herë gënjen, çka është vetëm njëra nga pasojat që fare pak lidhje kanë me thelbin. Pinoku ka në themel një shkak madhështor. Një pus pafundësisht të thellë; dëshpërimin uluritës të një burri të ndjeshëm pa femër, që, tek jeton i vetmuar sepse rrethuar nga banaliteti dhe sociopatia, në pamundësi të një fëmije prej mishi, gdhend një fëmijë prej druri. Por dihet se thelbet e thella lexuesit të cekët pak i interesojnë, dhe pak i kupton, dhe mirë bën. Prej qindra vitesh Shqipëria vuan prapësitë e burrthave. Ende sot, zeja më e përhapur ndër shqiptarë është ajo e burrthave që përmes frikërash vjedhin, dhe pasi vjedhin bëjnë ligjin. Dhe jo vetëm ligjin, që do të ishte vetëm një pjesë e së keqes. Burrthat shqiptarë, pasi vjedhin, rehatohen, trashen, dhjamen, nisin e shtiren apo shiten për ç’tu teket, për politikanë, shtetarë, mendimtarë, gazetarë. Dhe Shqipëria fundoset e fundoset pambarim përmes ciklesh vetshkatërruese provokuar prej burrthash. Duket se dita erdhi. Amerika e bëri. E çvendosi autoritetin nga burri i bardhë tek burri i zi. Është koha që Shqipëria ta realizojë edhe ajo sfidën e vet; ta transferojë politikëbërjen dhe pushtetbërjen, nga burrthat e zinj tek femrat e bardha. S’shtyhet më me përpëlitje burrthash. S’durohen më burrthat që ngaqë s’bëjnë dot zap gratë, nisin e burgosin plaka 90 vjeçare demek kultivuese hashishi. Duhet thirrur femra. Të zbresë në mejdan femra. Të bëjë luftrat. Të marrë në dorë frenat, fatet. Pa llogaritur ndonjë kuçedër të rrallë, edhe ajo produkt i marrëzive të burrthave, femra shqiptare është fantastike. Cilësimet apo emërtimet femërore pothuaj të të gjitha mjeteve vrasëse shkatërruese si mafia, thika, shpata, pushka, koburja, predha, djegorja, gëzhoja, mortaja, janë thjesht cilësime burrthash vetmitarë vuajtës vajtimtarë femrash të munguara. Dhe të mendosh se të vetmit burtha të famshëm që kemi janë hajdutllëku, korrupsioni, Gërdeci, të kap të qarët. Femra jonë është gati. Gati për të gjitha. Shenjat i ka dhënë. Dhe arsye ka plot. Së pari sepse meshkujt nuk e njohin aspak brendinë e femrës, ndërsa femra e njeh tërësisht thellësinë e mashkullit. Shumë shkathtësi praktike ia ka mësuar vet’ burrthi përmes vuajtjeve që i ka shkaktuar duke e shtypur, duke mos e përfillur. Të tjerat, inteligjencën, vullnetin, shkathtësinë, diplomacinë, ia ka falë i Madhi Zot. 30 % femra, afërsisht sa TVSh-ja, dhe 70 % burrtha, s’ësht’ vetëm koinçidencë qesharake, por përfshin pak femra. E kundërta, pra 30 % burrtha, 70 % femra, do ishte shumë mirë. Por tani për tani e pamundur. Sepse nuk do pranonnin stërnipat e sotëm të burrthit naimian, atij që “blegërin dy a tri herë dhe ikën e merr dhenë”, si dhe burrthat çajupianë, ata që “nënë hije, lozën kuvëndojnë, pika që s’u bie se nga gratë rrojnë”. Sepse burrthat bëjnë shumë zhurmë, dhe prishin hesapin, përmbysin byrekun. Prandaj për fillim ta lemë aq, 30 %. Femra jonë mundet. Dhe shenjat e para i ka dhënë. Për shembull, burrthat budallenj duke i lënë. Poshtë pra barinjtë. Lart bareshat. Vdekshin burrthat. Rrofshin femrat. Do vi Shqipëria era pridh?! Ku ma gjen ! Më mirë pridh femrash se përç burrthash. edisonypi@gmail.com
|
|
|
|
|
|
|
PANORAMA & PANORAMA SPORT |
PANORAMA PLUS & UNE GRUAJA |
|
|