| Tirane |

|
| Durres |
|
| Vlore |
|
| Shkoder |
|
| Korce |
|
|
|
|
Korrupsioni, jeni mė keq se nė vitin 2006 |
|
»
Vendosur: 15/06/2008 - 10:39
|
•
Shifrat se 70% të shqiptarëve paguajnë ryshfet janë shokuese. Deklarata vjen nga ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri Bernd Borchardt. Në një intervistë për revistën "Mapo" ai thotë se disa nga sektorët janë më keq se në vitin 2006 kur lufta kundër korrupsionit filloi të jepte rezultatet e para. Zoti ambasador, Shqipëria ka marrë para pak muajsh ftesën për në NATO. Sa ka ndihmuar ky hap i ri për të përmirësuar realisht imazhin dhe pozitën e vendit pranë partnerëve ndërkombëtarë? Gjermania është angazhuar që Shqipëria të merrte ftesën për anëtarësim në NATO, në Samitin e Bukureshtit. Me këtë, ne dhe partnerët e tjerë të NATO-s, dëshironim të shprehnim vlerësimin për hapat përpara të bëra nga Shqipëria në drejtim të reformave dhe rolin pozitiv të vendit tuaj në rajon. Ky vlerësim është pranuar edhe në arenën ndërkombëtare, ka ndikuar pozitivisht në imazhin e Shqipërisë dhe duhet ta inkurajojë Shqipërinë për të kryer reforma të tjera energjike. Por ka edhe zhvillime më pak të gëzueshme, të cilat rëndojnë imazhin e Shqipërisë. Studimi i IDRA-s mbi korrupsionin në Shqipëri, i financuar nga USAID, i cili u publikua në fillim të muajit maj, solli rezultate tronditëse. Veçanërisht keq në disa nga parametrat, rezultatet për Shqipërinë ishin akoma më të këqija se në vitin 2006, kur lufta kundër korrupsionit e ndërmarrë nga qeveria shqiptare kishte dhënë rezultatet e para. Në këtë pikë mbetet ende shumë për t'u bërë. Situata politike e brendshme paraqet një rënie tensioni mes dy partive të mëdha, në funksion të disa vendimeve të rëndësishme politike e institucionale, ndër të cilat ndryshimi i Kushtetutës. Si i vlerësoni ju kompromiset e fundit të arritura për paketën e ndryshimeve kushtetuese? Rënia e tensioneve politike ndërmjet grupeve më të mëdha politike në Shqipëri dhe sidomos bashkëpunimi i dukshëm konstruktiv në legjislacionin mbi reformat në parlament, bëjnë pjesë në zhvillimet shumë pozitive të Shqipërisë këtë vit. Kompromisi në parlamentin shqiptar për sa i përket paketës me ndryshimet kushtetuese u arrit me shumicën e parashikuar nga Kushtetuta shqiptare për kryerjen e ndryshimeve në kushtetutë. Ndryshime të veçanta janë legjitime dhe orientohen drejt modeleve të ndryshme të demokracive të reja. Përkundër avancimit të marrëdhënieve me NATO-n, duket se qeveria po merr sinjale negative nga disa raporte të organizmave ndërkombëtare, lidhur me indeksin e korrupsionit, trafiqeve dhe krimit. A është e saktë të thuhet se në këtë drejtim progresi është i pamjaftueshëm? Lufta kundër korrupsionit është një nga sfidat kyçe para së cilave ndodhet Shqipëria, sikurse janë dhe lufta kundër trafiqeve të lëndëve narkotike dhe krimit të organizuar. Ne e kemi ndjekur me shumë vëmendje progresin e Shqipërisë në këto fusha. Për sa i përket luftës kundër korrupsionit Shqipëria gjendet ende para detyrimeve të mëdha. Nëse lexoj në studimin e IDRA-s, të cilin e përmenda pak më lart, se rreth 70% e shqiptarëve u është dashur të paguajnë ryshfete për trajtime mjekësore, ose që pothuaj po kaq shumë të tjerë nuk kanë besim te gjyqtarët, kjo të shokon. Progresi i shënuar në luftën kundër korrupsionit, në administrimin e financave, në kontrolle dhe në sektorë të tjerë, ashtu sikur funksionimi i marrëveshjes së Integrim-stabilizimit me Bashkimin Evropian tregojnë se, në Shqipëri progreset janë të mundshme. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë së bashku me partnerët e tjerë evropianë në këtë fushë dhe nëse do të jetë e nevojshme edhe do ta kritikojmë. Edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës ne vërejmë hapa përpara. Ne shpresojmë që këto hapa përpara të jenë të qëndrueshme dhe që kokat e strukturave kriminale të përfundojnë pas hekurave. Kuadri zgjedhor në Shqipëri mbetet ende për t'u ribërë. A mendoni se zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë të rrezikuara, nëse kjo infrastrukturë zgjedhore nuk do të jetë brenda standardeve të kërkuara? Bashkimi Evropian ashtu sikurse dhe OSBE-ja mbështesin fuqimisht Shqipërinë në ndërtimin e një regjistri të besueshëm të zgjedhësve. Qeveria shqiptare ka përzgjedhur një firmë, e cila duhet të prodhojë për qytetarët shqiptarë dokumente identifikimi të pafalsifikueshme. Kështu krijohen premisat bazë për infrastrukturën zgjedhore. Të gjithë partnerët e Shqipërisë shpresojnë dhe presin që këto masa të jenë ndërmarrë në kohë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Askush nga ne nuk dëshiron, që një anëtari të NATO-s t'i thuhet se zgjedhjet në vend nuk janë zhvilluar në përputhje me standardet. Marrja e ftesës për në NATO duket se i ka dhënë hov edhe shpresave për një afrim më të shpejtë me Bashkimin Evropian. Sa e ndryshon perspektivën e anëtarësimit në BE ky hap paralel i hedhur me NATO-n? Me kriteret e Kopenhagenit, Bashkimi Evropian ka vendosur kushte shumë më komplekse dhe të gjithanshme për pranimin në BE, sesa NATO-ja për anëtarësimin në të. Në këtë mënyrë hapi në drejtim të NATO-s mund të konsiderohet si një hap i parë, i cili duhet të ndiqet nga të tjerë. Hapi i ardhshëm në drejtim të BE-së do të jetë kërkesa e Shqipërisë për statusin e kandidatit. Shpesh dëgjoj se Shqipëria do ta paraqesë kërkesën në vjeshtë të këtij viti. Gjermania përshëndet faktin që Shqipëria vendos objektiva ambicioze. Këto janë një shtysë e fortë për të çuar para procesin e reformave. Njëkohësisht, për BE është e rëndësishme që ne para dhënies së statusit të kandidatit duhet të kemi mbledhur eksperienca të mira me implementimin e MSA-së. Para kësaj është e pamundur të mund të vendoset në mënyrë të drejtë për një kërkesë të tillë. Implementimi i mirë i marrëveshjes së Integrimit nga Shqipëria na inkurajon, por MSA-ja sipas gjasave do të ratifikohet vetëm në vjeshtë nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Njëkohësisht nuk duhet të harrojmë, se qytetarët e BE-së, te të cilët në shumë vende është përhapur një farë "lodhje nga zgjerimi" duhet të binden, para marrjes së vendimit lidhur me afrime të mëtejshme të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Kjo do të thotë që ne kemi nevojë për më shumë lajme të mira lidhur me reformat, pikë së pari në sektorët ku ka shumë pak lajme inkurajuese, si p.sh., në fushën e korrupsionit, të cilën e përmenda pak më parë. Sa më shpejt dhe sa më shumë lajme të mira mbi reformat, zgjedhje të mirorganizuara dhe hapa përpara në sektorë problematikë si korrupsioni të mbërrijnë në kryeqytetet dhe qytetarët e BE-së, aq më shpejt Shqipëria do të ketë shanse të mira për statusin e kandidatit. Si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale mes Shqipërisë dhe Gjermanisë? Në cilat aspekte mendoni se mund të bëhet më shumë? Marrëdhëniet dypalëshe mes Gjermanisë dhe Shqipërisë po rriten në mënyrë të dukshme. Edhe kjo është një rrjedhojë e ftesës për anëtarësim në NATO. Përmes kësaj, vëmendja ndaj Shqipërisë bëhet më e madhe. Ne e vërejmë këtë edhe në një shkëmbim më intensiv vizitash. Po përmend p.sh., vizitën e kryetarit të parlamentit gjerman Dr. Lammert në muajin maj. Në sektorin e ekonomisë ne jemi duke përgatitur një sërë konferencash dypalëshe, të cilat duhet të shërbejnë për të rritur interesin e ekonomisë gjermane ndaj Shqipërisë, çka gjen shprehje edhe në bashkëpunimet e para me firma shqiptare ose investime. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit ne kemi nënshkruar një marrëveshje për futjen e mësimit dygjuhësh në shkollat shqiptare. Edhe shkëmbimet kulturore, ndërkohë po intensifikohen. Veç kësaj, ne këtë vit do të festojmë 20-vjetorin e bashkëpunimit për zhvillim ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë: Shqipëria është vendi i cili nga viti 1988 përfitoi ndihmën më të madhe për kokë të popullsisë nga Gjermania. Kryeministri Berisha e ka quajtur Gjermaninë donatorin më të madh në planin bilateral dhe multilateral në mbështetje të Shqipërisë. Ne duam të punojmë më tej në këto sektorë. Aktualisht jemi duke përgatitur një konferencë tjetër ekonomike në tetor si dhe një sërë aktivitetesh kulturore. Së bashku me bisedimet për të çuar para ndihmën tonë për zhvillimin e Shqipërisë, në tetor shpresojmë të organizojmë një "Tetor Gjerman" sa më të dukshëm.
|
|
|
|
|
|
|
PANORAMA & PANORAMA SPORT |
PANORAMA PLUS & UNE GRUAJA |
|
|