Indeksimi për pensionet më i ulët se inflacioni! Shtesa nga 500 deri në 1800 lekë, ndërkohë si pasojë e rritjes së çmimeve…

Sep 15, 2022 | 13:23
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Miratohet vendimi për indeksimin me 6 për qind të pensioneve, duke sjellë një shtesë, e cila varion nga 5 000 deri në 1800 lekë.

Leke

Përmes paketës së dytë anti-krizë, qeveria vendosi që të ofrojë mbështetje duke indeksuar pensionet, por rritja mujore është më e ulët se norma e inflacionit. Për fillimit të këtij viti çmimet e produkteve bazë kanë njohur rritje në shifra dyshifrore duke rënduar edhe më tepër xhepat e pensionistëve. Kjo tendencë ka vijuar për muaj me radhë, madje edhe atëherë kur pritej rënie e kurbës, inflacioni kulmoi në 8.0 per qind, niveli më i lartë ky në harkun e më shumë se dy dekadave (viti 1998).

INDEKSIMI

Janë rreth 678 mijë pensionistë përfitojnë nga rritja e re e pensioneve me 6 për qind që do të nis të aplikohet prej këtij muaji. Çka do të thotë se në tetor pensionistët krahas pensionit do të marrin edhe shtesën e cila shkon deri 1800 lekë, për ata që trajtohen me pension maksimal. “Miratuam vendimin për indeksimin e pensioneve në nivelin 6 %. Me këtë indeksim të dytë ne e çojmë rritjen e pensioneve për vitin 2022 në nivelin 9.5 % në krahasim me pensionet që merreshin në fund të vitit të kaluar. Nga ky vendim përfitojnë të gjithë kategoritë e pensionistëve. Janë rreth 678 mijë pensionistë të cilët do të kenë një rritje të pensioneve të tyre në nivelin 9.5 %, që me pensionin e muajit shtator, pasi ky vendim hyn në fuqi me pensionin e muajit shtator”, tha ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, në komunikimin me gazetarët pas mbledhjes së qeverisë.

Shtesa e re do të aplikohet për 18 kategori pensionesh përfshirë edhe ish-ushtarakët, minatorët e naftëtarët. Por, si do të reflektohet shtesa 6 për qind në masën e pensionit? Konkretisht prej muajit që vjen, pensioni bazë minimal për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe ato familjare, nga 14 924 lekë që është bëhet 15 820 lekë, pra do të rritet me rreth 900 lekë në muaj. Ndërsa ai maksimal nga 29 851 lekë që është do të bëhet 31 640 lekë pra rritet me rreth 1800 lekë në muaj. Ndërkohë pas indeksimit, pensionet në fshat do të rriten me 613 lekë, nga 10 221 lekë që janë aktualisht bëhen 10 835 lekë. Shtesë do të kenë edhe ata të cilët nuk kanë mbushur vitet kontributeve dhe iu është lidhur pension social. Në total, vlera e përfitimit për këta pensionistë do të rritet me 500 lekë, duke shkuar në rreth 8600 lekë në muaj.

PAGA MINIMALE

Në mbledhjen e djeshme Qeveria ka kaluar për miratim edhe vendimin e paralajmëruar më herët për rritjen e pagës minimale me 2 mijë lekë të tjera, nga 32 mijë lekë që është aktualisht në 34 mijë lekë. Ministrja Ibrahimaj tha se nga vendimi përfitojnë rreth 200 mijë të punësuar. “Në muajin prill, ne rritëm pagën minimale nga niveli 30 mijë lekë që ishte, në nivelin 32 mijë lekë, si pjesë e paketës së parë të rezistencës së parë. Me vendimin e sotëm paga minimale do të jetë 34 mijë lekë dhe ky është gjithashtu një vendim që prek një numër të madh të punësuarish. Janë mbi 200 mijë të punësuar të cilët përfitojnë nga vendimi që sot u morr nga Këshilli i Ministrave”.

FONDI

Për paketën e dytë antikrizë fondi i vënë në dispozicion është rreth 4.3 miliardë lekë. “Bëhet fjalë për një fond, i cili është vënë në dispozicion kryesisht qytetarëve shqiptarë, familjeve shqiptare, për të përballuar efektet e krizës, në mënyrë që buxheti i familjeve shqiptare të preket sa më pak nga kjo krizë që ne po përjetojmë. Është e rëndësishme që ne t’i gjendemi në mbështetje të gjithë familjarëve shqiptarë dhe gjithashtu ne të marrim masa që rritja ekonomike të vazhdojë, që investimet të vazhdojnë, pasi të gjithë investimet çojnë në rritje apo mbajtje të qëndrueshëm të nivelit të punësimit në vend, që është gjithashtu një indikator i mirëqenies së familjeve shqiptare në vend apo i mos reduktimit të mirëqenies së tyre”, vuri në dukje Ibrahimaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura