Incidenti në ndeshjen Kinostudio-Apolonia, vajzat fierake: Na dhunuan rojet

Oct 17, 2017 | 10:02
SHPËRNDAJE

Apolonia në futbollin e femrave ka akuzuar rojet e sigurisë për dhunën fizike ndaj lojtareve të tyre pas ndeshjes kundër Kinostudios. Nëpërmjet kapitenes së skuadrës Gleona Taullaj në një reagim për gazetën “Panorama Sport”, fieraket e cilësojnë rastin në fjalë si skandal dhe se ndihen të pasigurta.

sherri

“Fillimisht po e nis me problemin e gjykimit, por jo nga arbitrja kryesore, ajo nuk ka qenë shkaku i asaj ‘ndeshjeje’ skandaloze. Vendime të paqena, penallti e mohuar, kartonë të verdhë, të kuq kundrejt Apolonisë pa shkak. Arbitri i 4-rt sinjalizon për karton të verdhë ndaj Gjonit gjatë ekzekutimit të kornes me pretekstin sikur lojtarja ka goditur kundërshtaren?!

Kjo gjë nuk u pa nga lojtaret dhe tifozët që ishin përreth. Më pas sinjalizon për të kuq me pretekstin e dytë sikur është përdorur ofendim kundrejt tij. Kur trajneri i Apolonisë ka qenë pranë gjyqtarit të 4-rt dhe ka kërkuar sqarim për këtë vendim të paqenë, ai përgjigjet ‘e mori sepse flet shumë’?

sherri2

Pas një përplasjeje midis Goros dhe lojtares Claudia të Kinostudios, arbitri i 4-t sinjalizon përsëri për të dhënë kartonin e dytë të verdhë ndaj Klarina Goros dhe, më pas, dalja me të kuq e saj tensionoi situatën si brenda dhe jashtë fushe. Pas largimit të saj dhe dëmtimit të lojtareve të tjera, Apolonia mbetet e ‘pambrojtur’ ndaj kundërshtarit. Gjatë ndërrimit Çerkini-Agalliu, arbitri i 4-t ofendon lojtaren e Apolonisë duke e quajtur ‘qurrashe’”, zbulon fillimisht për gazetën Taullaj.

INCIDENTI

Pas fushës së blertë, tensioni është zhvendosur në dhomat e zhveshjes, që për Taullajn përbën edhe një skandal më vete. Sipas saj, në momentin që lojtarja Goro ka kërkuar sqarim me gjyqtarin e katërt, një punonjës i sigurisë e ka goditur në kokë. “E theksojmë me plot bindje për ato që janë thënë aty brenda fushës dhe ne që kemi qenë protagoniste të saj.

sherri1

Pas përfundimit të ndeshjes është e vërtetë që lojtarja Goro është afruar pranë arbitres kryesore për të kërkuar shpjegim për kartonin e marrë dhe, më pas, ka ndërhyrë arbitri i 4-t duke ironizuar nga larg dhe duke qeshur. Kanë qenë lojtaret kundërshtare dhe ato mike që kanë qetësuar situatën duke mbajtur larg lojtaret e larguara.

Pas hyrjes për në dhomat e zhveshjes, lojtarja Goro ka kërkuar për të takuar arbitrin e 4-t, Emigers Gancin, dhe në atë moment është shtyrë dhe qëlluar me grusht në kokë nga punonjësi i security, për të cilin kemi edhe foto. Në momentin e ngjarjes kanë qenë 2 punonjës të sigurisë që kanë ushtruar dhunë ndaj lojtareve të Apolonisë, përkatësisht Goros, motrës së saj, Zarkës, Simonit, Çerkinit, Gjonit dhe futbollisteve të tjera që u futën për të ndalur këtë situatë skandali.

sherri1

Punonjësi i security ka hequr uniformën që mbante veshur dhe është drejtuar drejt dhomave të zhveshjes për të goditur vajzat e ekipit të Apolonisë. Në atë moment është ndalur nga punonjësit e tjerë.

Ky dhunim ndaj lojtareve të mitura është një skandal që po ndodh dhe tregon që në çdo moment ato ndihen të pasigurta dhe që pritet të merren masa nga organet policore për dhunën e krijuar”, e mbylli reagimin kapitenia e nënkampioneve, Gleona Taullaj. Kryesfida e javës së tretë u mbyll me fitoren e Kinostudios në shifrat 3-1.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura