Incidenti në Korçë, reagon FSHF: U lëkund siguria në stadiume, policia duhet të…

SHPËRNDAJE

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar në orët e vona të mbrëmjes në lidhje me startin skandaloz të kampionatit. Duke parë se situata mund të precipitojë, institucioni i futbollit i ka bërë apel shtetit shqiptar që të rishikojë menjëherë ligjin e ri për sportin për sa i përket sigurisë në stadiume dhe prezencës së policisë.

fshf-logo-standartizim

REAGIMI

“Federata Shqiptare e Futbollit ka ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim incidentin e ndodhur në Korçë gjatë ndeshjes hapëse të kampionatit. Për çdo moment aparati drejtues ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me zyrtaret e ndeshjes, për të risjellë në stabilitet situatën e agravuar mes tifozërive. Për fatin e mirë situata u rikthye në normalitetin që duhet, por karshi një episodi të tillë, FSHF nuk mund të qëndrojë kurrsesi indiferente.

Organizimi dhe mbarëvajtja e garës mbetet prioritet absolut i saj. Incidenti në stadiumin e Korçës duhet të jetë një moment emergjent reflektimi për sa i përket sigurisë në stadiume dhe prezencës së policisë së shtetit në to. Tensioni i prodhuar në Korçë nuk mund të përligjë në asnjë moment amendime ligjore të parakohshme dhe që lëkundin sigurinë publike në stadiume.

Një ngjarje e tillë dëshmoi pikërisht që për një çështje të tillë kërkohet një reflektim i menjëhershëm institucional. Nga ana tjetër, FSHF kërkon të risjellë për të disatën herë në vëmendje të klubeve, rritjen e komunikimit të tyre me tifozërite përkatëse, sensibilizimin e vazhdueshëm me grupimet e tifozërive për të garantuar më shumë stabilitet dhe për të shmangur sa më tepër momente të tilla agravuese dhe jashtë kontrollit në shkallët e stadiumit.

Pjesa komunikuese me tifozëritë e tyre është dhe duhet të mbetet një nga prioritetet e domosdoshme. Për incidentin në Korçë gjithçka do të analizohet me detaje referuar raporteve nga zyrtaret e ndeshjes për t’i kaluar më pas edhe komisioneve përkatëse për shqyrtim dhe vendimmarrje. FSHF do të qëndrojë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet përkatëse të rendit dhe me klubet për t’i dhënë një zgjidhje garantuese këtij problemi, me gjithë barrierën ligjore që imponoi një situatë të tillë”.

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.