Incidenti në fushatën e Dumës, reagon Dako: I sajuar, aktet vandale s’kanë mbështetjen e PS, PD të mos nxisë dhunën

May 3, 2015 | 16:30
SHPËRNDAJE

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane në Durrës, Vangjush Dako ka shprehur në një deklaratë për shtyp indinjatën me incidentin e ndodhur midis disa të rinjve në aktivitetin e rivales së tij në zgjedhjet e 21 qershorit, Grida Dumës, në zonën e Shkozetit.

Sipas Dakos “çdo akt vandal apo incident sporadik nuk ka dhe nuk do të ketë mbështetjen nga asnjë strukturë e PS dhe koalicionit tonë”. Dako hedh dyshime mbi një ngjarje të inskenuar nga demokratë për të akuzuar kundërshtarin, teksa i bën “thirrje PD të mos nxisë dhunën dhe konfrontimet fizike”.

“Në emër të Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe shtabit elektoral të kandidatit të kësaj aleance në qytetin e Durrësit z. Vangjush Dako, shprehim indinjatën tonë të plotë me incidentin e ndodhur midis disa të rinjve.
Ne distancohemi plotësisht nga çdo akt dhune apo çdo gjest që devijon nga filozofia jonë pozitive e fushatës dhe e komunikimit dhe sjelljes elektorale”, thuhet në reagim.

Vangjush Dako

 “Çdo akt vandal apo incident sporadik nuk ka dhe nuk do të ketë mbështetjen nga asnjë strukturë e PS dhe koalicionit tonë. 

Ne besojmë që politika duhet ti bashkojë dhe jo ndajë qytetarët.

Ne besojmë në qytetari dhe sjellje në shërbim të qytetarëve, ndaj, cilido individ që dëshmon për sjellje tjetër nuk do jetë i mirëpritur në familjen tonë politike.

Nëse parti politike përdorin flamujt e fushatave si kamuflazh për veprime të dhunshme e për të akuzuar më pas kundërshtarin, ky nuk është problemi ynë. Ne i dënojmë akte të tilla dhe i bëjmë thirrje PD të mos nxisë dhunën dhe konfrontimet fizike. Fushata zgjedhore për kryetarin e bashkisë së Durrësit është dhe duhet të mbesë një garë ku të mbizotërojë forca e ideve, jo ideja e forcës.

Aleanca e Shqipërisë Europiane do të bëjë një fushatë qytetare për qytetarët që nga fillimi i fushatës dhe deri në shpalljen e rezultatit ndaj presim edhe nga pala tjetër politike të kontribuojë njëlloj me ne, në mënyrë që të vendosim një standart qytetarie ashtu sic e meritojnë qytetarët durrsakë”, thuhet në reagimin e Dakos.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura