Incidentet në sfidën ndaj Polonisë, Shqipëria rrezikon finalen e madhe të Ligës së Konferencës

Oct 15, 2021 | 8:48
SHPËRNDAJE

Incidenti në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Polonisë i ka vënë në lëvizje organet e UEFA-s të cilat do të dërgojnë një grup ekspertësh për të ndjekur me vëmendje çdo ndeshje që do të zhvillohet në “Air Albania”, duke qenë se aty është përcaktuar se do të luhet ndeshja finale e Ligës së Konferencës, që është një eveniment i rrallë për Shqipërinë, gjithashtu është edhe një reklamë e madhe për ne. Duke qenë se është aktivitet i UEFA-s, ajo do që aty të mos ndodhë asnjë lloj incidenti.

inc

Ajo që ndodhi ndaj Polonisë ka tërhequr vëmendjen e shtëpisë europiane të futbollit dhe tani rrezikojmë shumë sepse në rast se do të përsëriteshin të tilla skena në të ardhmen, pra, deri në maj kur do të luhet edhe finalja, duke filluar që me ndeshjet tona derbi, por edhe ato të rëndësishme, ndoshta edhe me ndeshjet e ekipit tonë kombëtar, nuk është çudi që UEFA të ndryshojë stadiumin.

Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë përgjegjësitë dhe gjithashtu ka reaguar për incidentet e ndodhura në sfidën Shqipëri-Poloni, të martën në mbrëmje në stadiumin “Air Albania” ku një pjesë e tifozërisë shqiptare goditi me sende futbollistët polakë.

Qeveria e futbollit shqiptar ka reaguar me anë të një komunikate zyrtare duke deklaruar se incidentet e ndodhura ndaj polakëve nuk na nderojnë, por ato kanë ndodhur edhe nga një provokim i vazhdueshëm nga tifozët miq për gati dy orë në tribuna.

REAGIMI I FSHF-SË

FSHF-ja ishte duke punuar prej muajsh me UEFA-n në lidhje me një aktivitet të rëndësishëm për sa i përket sigurisë në stadiume, edhe në kuadër të finales së Conference League që do të organizojë në 25 maj 2022. Pas ngjarjeve në ndeshjen me Poloninë ky aktivitet bëhet edhe më emergjent, në mënyrë që të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë në të tilla çështje të bëjnë më të mirën për organizimin e një ndeshjeje.

“Ne jemi të vetëdijshëm se incidentet e së martës në mbrëmje nuk na nderojnë. Duhet të nxjerrim të gjithë mësime për sa na përket si organizatorë. Kishim 22 mijë tifozë të shkëlqyer dhe vetëm dhjetëra individë na njollosin gjithçka të mirë që skuadra ka bërë deri më tani.

Ngjarjet e djeshme (të së martës) janë pasojë e një provokimi të vazhdueshëm dhe një sjelljeje shumë agresive nga ana e tifozëve polakë që kanë goditur për gati 2 orë tifozët tanë në dy tribuna. Tifozët polakë njihen për të tilla sjellje dhe prej ditësh të gjitha autoritetet e përfshira në ndeshje kanë bërë maksimumin për të parandaluar ngjarje më të rënda.

Nuk duhet të harrojmë se në të njëjtën orë me ndeshjen tonë në stadiumin ‘Air Albania’, tifozët polakë që kanë qenë në ‘Wembley’ në ndeshjen Angli-Hungari kanë pasur përplasje të shumta me tifozët vendës dhe policinë vendëse. Ne nuk u shmangemi përgjegjësive tona, i njohim ato, por duhet të jemi gjithmonë pranë së vërtetës, sepse vetëm ajo na shërben për të ecur para.

Në asnjë moment, askush nuk duhet të drejtojë gishtin e akuzës dhe të shpallë fajtorë, por së bashku duhet të reflektojmë dhe të përmirësojmë punën tonë”, ka deklaruar FSHF.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura