Importi i energjisë, pengues i zhvillimit

Dec 1, 2015 | 11:50
SHPËRNDAJE

SAMI HAXHAJA

Si asnjëra nga llojet e tjera të energjisë që njerëzimi ka shpikur për dobinë e vet, energjia elektrike është përcaktuese për cilësinë e jetës dhe shkallën e zhvillimit të një vendi. Shprehja slogane për energjinë industriale , që “në princip është gjithçka e mundshme, por në fakt pa rrymë elektrike nuk funksionon asgjë” paraqet shumë qartë rolin mjaft të rëndë- sishëm të energjisë elektrike.

Si rezultat i cilësive të veçanta që zotëron energjia elektrike, ajo është me rëndësi të madhe për furnizimin me energji të njerëzimit. Energjia elektrike predominon mbi të gjitha format e tjera të energjive për shpenzimet e saj më të ulëta, ajo mund të transportohet relativisht thjesht, pa humbje dhe mund të shndërrohet në energji të tjera me një rendiment të lartë. Pa energji elektrike, nuk mund të ekzistojë teknika dhe teknologjia moderne komanduese e automatizuese, si dhe nuk mund të ketë një standard të lartë jetese të një shoqërie.

Prandaj sigurimi në vend i energjisë elektrike është një detyrë thelbë- sore për ekonominë kombëtare të çdo vendi. Pyetja për çështjen e energjisë në përgjithësi e në veçanti për sigurimin në vend të prodhimit të energjisë elektrike për furnizimin pa ndërprerje të konsumatorëve, ka qenë pyetja më e rëndësishme gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit XX për të gjitha vendet e Europës. Po në vendin tonë a është shtruar ndopak për diskutim një pyetje e tillë? Jo – përkundrazi, burimet prodhuese të energjisë elektrike në shfrytëzim në vendin tonë, në vend që të rriten për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje të vazhdueshme të nevojave të konsumatorit për energji elektrike, u pakësuan në mënyrë të dukshme gjatë dekadave të fundit.

Çfarë ndikimi pozitiv apo negativ kanë luajtur politikat e ndjekura nga qeveritë tona në këto dy dekadat e fundit për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike në vend, për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje të konsumatorit? Përgjigja del plotë- sisht e qartë, po t’u hedhim një shikim problematikave e krizave, ndërprerjeve të energjisë elektrike për konsumatorin që ka kaluar e po kalon sektori i energjetikës. Edhe rritja e importit të energjisë elektrike si rezultat i thatësirës është një problem i mprehtë për ekonominë e vendit në përgjithësi e në veçanti për sektorin e energjetikës.

Cilat janë arsyet dhe përse ne duhet të importojmë sasi kaq të konsiderueshme të energjisë elektrike? Fillimisht duhet sqaruar përse ne importojmë vazhdimisht energji elektrike? Kjo vjen ngaqë fuqia e instaluar prodhuese e energjisë elektrike në vendin tonë realizohet aktualisht vetëm nëpërmjet hidrocentraleve dhe ku kapaciteti prodhues i tyre është i lidhur ngushtë me motin, si dhe sasinë e reshjeve. Një fuqi e konsiderueshme e instaluar e energjisë elektrike është hequr nga puna.

Disa termocentrale, me një kapacitet të konsiderueshëm, që kanë qenë në gatishmëri pune, për arsye subjektive janë eliminuar plotësisht. Termocentrali i ri, i ndërtuar dhe i instaluar në Vlorë, me kapacitet 97 MW, investim ky pa efektivitet me miliona euro shpenzime, megjithëse kanë kaluar rreth 8 vjet, nuk duket asnjë shenjë për vënien në funksionim të tij. Nëse janë bërë gabime, nuk duhet harruar kostoja dhe dëmet ekonomike që rriten nga viti në vit e në veçanti furnizimi i konsumatorit pa ndërprerje me energji elektrike që vihet në pikëpyetje.

Për këtë problem të rëndësishëm duhet e mund të jepet një zgjidhje e studiuar tekniko-profesionale. Njëkohësisht, në të ardhmen, qeveria nuk duhet të vendosë për projekte dhe investime të tilla të mëdha vetëm nëpërmjet militantëve të vet partiakë të emëruar në detyra të rëndësishme drejtuese, por duhet që të aktivizojë në radhë të parë specialistë e akademikë me përvojë të vendit tonë, të cilët janë abandonuar plotësisht deri tani. Rritja e importit të energjisë elektrike nga viti në vit, sidomos gjatë muajve të fundit të këtij viti, është shoqëruar me miliona euro shpenzime.

Deri kur do të të importojë Shqipëria energji elektrike? Nuk është aspak normale që vendi ynë, kaq i pasur me burime energjetike të rinovueshme, të shpenzojë qindra miliona euro për blerjen e energjisë elektrike, në vend që këto vlera të konsiderueshme monetare të përdoren si investime për rritjen e kapaciteteve të burimeve të reja gjeneruese, gjë që ka qenë dhe është plotësisht e arritshme. Një element thelbësor frenues për zhvillimin e energjetikës ka qenë dhe mbetet paaftësia e drejtuesve të energjetikës, duke filluar që nga drejtuesit e Ministrisë së Energjetikës.

Me drejtues të paaftë e militantë partiakë nuk mund të pritet zhvillim i shpejtë dhe i qëndrueshëm i energjetikës në vendin tonë. Në artikullin e datës 16 prill 2015, që botova në gazetën “Panorama”, me titull “Një histori si paralajmërim”, kam theksuar se nga pasojat e shkeljeve të shumta të kryera ndaj ligjeve të natyrës në territorin e vendit tonë, si rezultat i reaksioneve të natyrës ndaj këtyre shkeljeve, nuk përjashtohet mundësia që të kemi mot të thatë me afat më të zgjatur e të përsëritur. Kjo situatë sjell uljen edhe më tepër të prodhimit vendas të energjisë elektrike dhe rritjen e importit të saj. Prandaj, në këtë gjendje emergjente, mendoj të fillohet të aplikohen menjëherë dy strategji paralelisht:

1. Strategjia e parë konsiston në shfrytëzimin në shkallë të gjerë të resurseve energjetike të rinovueshme, kjo për faktin pasi në vendin tonë ekzistojnë kapacitete të konsiderueshme energjetike të pashfrytëzuara. Para së gjithash, strategjia duhet të parashikohet e pranueshme e plotësisht e realizueshme në afatin sa më të shkurtër, me pikësynim që të arrihet sigurimi i prodhimit në vend të energjisë elektrike. Në fazën e parë duhet të mbulohen nevojat e konsumatorit tonë plotësisht, kurse në fazën e dytë duhet të arrihet eksportimi i energjisë elektrike për gjatë gjithë vitit.

Realizimi me sukses i kësaj strategjie kërkon vënien në funksionim me eficiencë të plotë të strukturave profesionalo-teknike të vendit, për të transformuar sistemin energjetik, duke siguruar furnizim 100% të konsumatorëve me energji të rinovueshme të prodhuar në vend, gjë që është plotësisht e mundur.

2. Strategjia e dytë, e cila është më e lehtë për zbatim, konsiston në shfrytëzimin racional të energjisë elektrike. Aplikimi i kësaj strategjie është plotësisht i realizueshëm dhe i domosdoshëm në kushtet e vështira që po kalon sektori i energjetikës në vendin tonë, ku prej gjatë disa muajve radhazi është rritur konsiderueshëm importi i energjisë elektrike. Zbatimi i kësaj strategjie, që është i shpejtë në kohë dhe me pak investime, kërkon drejtues të kualifikuar me përvojë e eksperiencë praktiko-teorike në organizimin teknik të punës, si në Ministrinë e Energjetikës e në veçanti në KESH – Transmetim – Shpërndarje.

KESH-i, së bashku me transmetimin e shpërndarjen, mund ta konsiderojmë aktualisht të vetmin “Koncern” në vendin tonë me rreth 8.000 punonjës, i cili po të ketë në krye drejtues të aftë dhe me anë të një organizimi të përsosur teknik, arrin jo vetëm të rrisë sigurinë e furnizimit pa ndërprerje të konsumatorit, por dhe të rrisë të ardhurat, ku fitimi i ekonomisë së vendit, sipas llogaritjeve të përafërta të bëra, mund të shkojë deri në rreth 1 miliard dollarë në vit. Kjo strategji është marrë nga literatura amerikane e gjermane, shtete të cilat në vitet 1992 – 1993 e aplikuan me sukses atë, duke i sjellë ekonomisë së vendeve të tyre fitime të konsiderueshme.

Zbatimi i kësaj strategjie është i domosdoshëm për shkak të uljes së theksuar të prodhimit vendas të energjisë elektrike. Nga llogaritjet e kryera, rezulton se që në vitin e parë mund të arrihet fitimi i një kapaciteti të energjisë elektrike të përafërt me një central të ri të ndërtuar, aq sa është kapaciteti i hidrocentralit të Vaut të Dejës.

Është e rëndësishme të kuptohet e të zbatohet saktë demokratizimi e decentralizimi në sektorin e energjetikës dhe të akceptohet drejt nga politika e shoqëria, për të dhënë sinjalin pozitiv transformues në këtë sektor të rëndësishëm e jetik për ekonominë e zhvillimin e vendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura