Impakti i krizës greke në Europën Juglindore

Aug 29, 2015 | 14:08
SHPËRNDAJE

valbona-zeneli1DR. VALBONA ZENELI

Gjatë negociatave për gjetjen e zgjidhjes për borxhin grek, debati ka qenë kryesisht i dominuar nga pikëpyetjet në lidhje me impaktin e kësaj krize për Eurozonën. Pak diskutime janë fokusuar në pasojat e mundshme ekonomike dhe politike që kjo krizë përbën për vendet e Europës Juglindore.
Në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, aftësia e Greqisë për të mbyllur një marrëveshje me kreditorët e saj në Eurozonë është lajm i mirë për të gjithë. Sidomos për vendet e Europës Juglindore.

Marrëveshja e fundit e shpëtimit, e cila parashikon një shumë prej afro 80 miliardë eurosh, ka gjeneruar një lloj optimizmi, megjithëse shumë detaje të marrëveshjes mbeten ende sot të paqarta. Dhe risqet nuk janë zhdukur ende.
Përtej Greqisë, rreziku i instabilitetit ekonomik në Europën Juglindore është i vërtetë. Situata ekonomike e fqinjëve të Greqisë mbetet e brishtë, edhe për shkak të efekteve të vazhdueshme negative të krizës financiare europiane.

Banka Botërore vëren se ky rajon i Europës Juglindore ka vuajtur një recesion ekonomik të dyfishtë gjatë viteve të fundit, me një kontraksion të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) me 5.9% në vitin 2009, dhe një tjetër prej 1,2% në vitin 2012.
Varësia serioze e rajonit nga tregjet europiane ka rezultuar në disa efekte përçuese negative si në tregti, ashtu edhe në financë. Megjithëse këto vende të vogla përpiqen të rikthehen te zhvillimi i shpejtë ekonomik, në fakt ato vazhdojnë të vuajnë rritje ekonomike të avashtë, si edhe besimi të ulët të tregjeve dhe investitorëve.

Trazirat ekonomike në Greqi vetëm kanë nxjerrë në pah dobësitë dhe sfidat ekonomike të rajonit. Janë pikërisht inbalancat makroekonomike të këtyre vendeve që i bëjnë ato të dobëta ndaj rreziqeve përçuese të ekonomisë greke.
Efektet direkte dhe indirekte të krizës greke prekin në veçanti sektorin bankar, tregtinë, investimet e huaja direkte dhe remitancat e emigrantëve.

Gjatë dy dekadave të fundit, bankat greke kanë ngritur një numër të konsiderueshëm degësh në vendet e Europës Juglindore. Bankat greke përfaqësojnë pothuajse 20% të tregut financiar dhe bankar të rajonit. Ato luajnë një rol të rëndësishëm sidomos në Bullgari (20%), Maqedoni (20%), Shqipëri (16%), Serbi (14%) dhe Rumani(12%).
Kur kriza greke filloi të shpalosej, autoritetet e Bankave Qendrore të Europës Juglindore u duk se filluan të marrin masa për të izoluar degët e bankave greke nga një kontaminim i mundshëm nga institucionet mëmë.

Në të vërtetë, në pjesën më të madhe të vendeve të rajonit, degët e këtyre bankave nuk mbajnë tituj sigurie (security titles) të qeverisë greke, dhe duken se kanë kapital të mjaftueshëm dhe nivele normale likuiditeti.
Për këtë arsye janë marrë disa masa për të rritur indeksin e garancisë së depozitave për të mbrojtur depozituesit dhe për të siguruar stabilitetin e sistemit financiar.
Gjithsesi, pyetja është nëse një kolaps i mundshëm i sistemit bankar në Greqi do të afektonte direkt edhe konsumatorët në Europën Juglindore, duke përhapur infektimin në formën e panikut dhe të tërheqjes së depozitave nga bankat. Mbetet e paqartë nëse një falimentim i sistemit bankar grek dhe rikapitalizim i tyre do të prekte edhe degët e tyre jashtë vendit.

Edhe nëse nuk do të ndikoheshin direkt nga procesi i rikapitalizimit, ky proces me shumë gjasa do t’i detyronte këto degë të ndërprisnin dhënien e kredive.
Çdo panik në treg do të zvogëlonte nivelin e kredidhënies edhe te bankat e tjera europiane, me një ekspozim të rëndësishëm te borxhi grek. Europa Juglindore është edhe më vulnerabël se zonat e tjera, sepse sistemi bankar është në pronësi të bankave të huaja, në nivel deri në 80 për qind. Nëse këtu llogarisim edhe tregun shumë të ulët të kredidhënies, situata bëhet edhe më e zymtë.

Megjithatë ka disa lajme potencialisht pozitive për sektorin bankar mbas marrëveshjes së tretë të shpëtimit për Greqinë. Sipas të dhënave të kësaj marrëveshjeje, një fond shpëtimi (trust fund) prej 50 miliardë eurosh të aseteve greke do të krijohet dhe gjysma e këtij fondi do të përdoret për rikapitalizimin e bankave. Në teori, kjo do të shmangë një “rënie” të sistemit bankar në Greqi, duke sjellë lajme pozitive edhe për degët e tyre.
Nëse diskutojmë për tregtinë midis Europës Juglindore dhe Greqisë, ajo ka rënë gjatë viteve të fundit, dhe Greqia nuk është më midis destinacioneve kryesore për eksportet e rajonit. Megjithatë, Greqia mbetet importuesi i dytë në vendet e rajonit. Kjo ka përkeqësuar edhe më tej bilancin tregtar të vendeve.

Recensioni ekonomik në Greqi ka pasur një impakt negativ edhe te dërgesat e emigrantëve drejt vendeve të rajonit, duke prekur sidomos Shqipërinë, Bullgarinë dhe Serbinë. Për më tepër, rikthimi i emigrantëve ekonomikë në vendet e tyre të origjinës është një tjetër risk, që shton presionin ndaj ekonomive të varfra të rajonit.
Në të shkuarën, Greqia ka qenë një nga investitoret e mëdha në Europën Juglindore. Në vitin 2009, stoku i investimeve greke në rajon ishte 10.5 miliardë dollarë, duke përbërë kështu 27% të totalit të investimeve të huaja. Tashmë, investimet greke kanë humbur rëndësinë e mëparshme në rajon.

Gjithsesi, për Greqinë, Europa Juglindore mbetet një treg i rëndësishëm. Në fakt, nëse vlerësohen investimet e huaja drejt Greqisë, stoku i këtyre investimeve për frymë nga viti 2009 deri në vitin 2013 është zvogëluar me 35 për qind. Ndërsa, për sa u përket investimeve greke ndaj vendeve të tjera, ky stok ka pësuar një rritje të lehtë, duke shkuar nga 3,555 dollarë për frymë në vitin 2009, në 4,165 dollarë në vitin 2013.

Si përfundim, por jo më pak e rëndësishme, një pasojë tjetër negative është ajo politike. Situata e tanishme në Greqi pa dyshim ka ardhur si pasojë e vëmendjes së dobët për të ndjekur rregullat dhe implementuar në mënyrë të shëndoshë standardet e menaxhimit fiskal. Dhe kërkesa e llogarisë nga institucionet europiane ka qenë e pamjaftueshme. Ky është një mësim i marrë tashmë për Bashkimin Europian.

Për Europën Juglindore, kriza greke do të ndikojë në prospektet dhe kohëzgjatjen e integrimit të vendeve aspirante në Bashkimin Europian, dhe madje mund ta vërë atë edhe në dyshim.
Drita e gjelbër për integrimin europian Europës Juglindore i është premtuar në Samitin e Selanikut, në vitin 2003. Do të ishte ironike nëse kriza greke do të çonte në një proces më të gjatë integrimi për vendet aspirante të rajonit të vogël.
Publikuar në “Modern Diplomacy”.

(*)Autorja është Profesore dhe Drejtore e Programit të Detit të Zi dhe Euroazisë në George C. Marshall, Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë. Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të Qendrës Marshall, Departamentit të Mbrojtjes apo të Qeverisë të SHBA.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura