Impakti i auditimit dhe mbikëqyrjes në rritjen e besimit të investitorëve

Mar 1, 2021 | 9:28
SHPËRNDAJE

DRITAN FINO

Auditimi është një e mirë publike, që siguron palët e interesuara për integritetin dhe cilësinë e informacionit financiar, si dhe formon bazën për vendimmarrjen për investime. Auditimi ofron siguri të arsyeshme për drejtuesit e kompanisë dhe palët e tjera të interesuara për integritetin e kompanisë.

Një kompani e drejtuar mirë, transparente dhe e përgjegjshme, jo vetëm që gjeneron kapital për të financuar më shumë investime, por gjithashtu i jep besim stafit se puna e tyre është e sigurt dhe furnitorët do të paguhen në kohë. Nëse audituesit nuk mund të demonstrojnë pavarësinë dhe profesionalizmin e tyre, ata nuk mund të adresojnë perceptimin, që kanë disa palë të interesuara, se audituesit janë më shumë të nxitur nga konsideratat e tyre tregtare dhe shitja e shërbimeve joaudituese, sesa janë duke vepruar në interesin publik.

Ndërkohë, nevoja për cilësi më të lartë të auditimit është gjithmonë në rritje, edhe për shkak të nivelit më të lartë të pritshmërive të vetë biznesit. Si rezultat, në shumë vende, akte rregullatore e metodologji të reja janë miratuar dhe zbatuar për të përmirësuar e mbështetur cilësinë e lartë dhe praktikat më të mira të standardeve të auditimit, si dhe për të mbrojtur audituesin në pavarësinë dhe në parandalimin e konfliktit të interesit, që mund të ekzistojë nëse një auditues është i angazhuar në ofrimin e shërbimeve joaudituese për një njësi ekonomike të audituar.

Në këtë kuadër, bazuar dhe në Direktivën Nr. 2014/56 të Bashkimit Europian, është konsideruar shumë e nevojshme ngritja e një sistemi efektiv të mbikëqyrjes publike për audituesit ligjorë dhe firmat e auditimit, duke caktuar kështu një autoritet kompetent me përgjegjësinë përfundimtare për mbikëqyrjen e miratimit dhe regjistrimit të audituesve, miratimin e standardeve për etikën profesionale, kontrollin e brendshëm të cilësisë së firmave të auditimit dhe audituesve, edukimit të vijueshëm profesional si dhe sistemet e dhënies së sigurisë.

Megjithatë, mbikëqyrja publike e audituesve është vetëm një pjesë e mozaikut të mbikëqyrjes, që potencialisht kërkon veprim të koordinuar ndërmjet mbikëqyrësve të audituesve dhe atyre të informacionit financiar. Mjafton të përmendim skandalin e kohëve të fundit të kompanisë Ëirecard, si ofrues i shërbimeve financiare dhe procesues pagesash, i cili ngre shumë pikëpyetje në lidhje me besueshmërinë e llogarive financiare të audituara nga auditues ligjorë, në lidhje me fushën e auditimit si dhe efektivitetin e organeve të vetërregullimit të auditimit në Bashkimin Europian (BE).

Pavarësisht përpjekjeve të mëdha dhe progresit të konsiderueshëm të realizuar gjatë dy dekadave të fundit për të zhvilluar dhe harmonizuar sistemin e mbikëqyrjes së auditimit ligjor në BE, duke përmirësuar pa dyshim cilësinë e përgjithshme të mbikëqyrjes së këtij profesioni në BE, sistemi ende mbetet i fragmentuar dhe tepër kompleks, duke u karakterizuar nga transparenca e ulët, angazhimi dhe bashkëpunimi i kufizuar i palëve të interesit, organizatave profesionale me profesionin në promovimin e praktikave më të mira të auditimit, veprimi i ngadaltë dhe reagimi i kufizuar ndaj sinjalizimeve dhe flamujve të kuq “red flags”, apo dhe mungesa e harmonizimit dhe niveli i lartë i heterogjenitetit ndërmjet sistemeve të sigurimit të cilësisë dhe inspektimeve dhe sistemeve të investigimit dhe marrjes së sanksioneve. Në këtë kuadër, edhe në vendin tonë janë bërë shumë përpjekje dhe është realizuar një progres i kënaqshëm në përmirësimin e shërbimeve të auditimit dhe në sistemin mbikëqyrës së tij.

Gjatë viteve të fundit, falë edhe mbështetjes së organizmave ndërkombëtare, qeveria shqiptare ndërmori hapat e nevojshëm me qëllim rritjen dhe forcimin e kapaciteteve të mbikëqyrjes së profesionistëve kontabël. Ndryshimet e bëra me ligjin nr. 47/2016 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 091, datë 5.3.2009, Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe kontabilistit të miratuar”, përmirësuan ndjeshëm rolin e Bordit të Mbikëqyrjes Publike (BMP) duke pasqyruar vizionin e institucioneve homologe të Bashkimit Evropian dhe kërkesat e Direktivës përkatëse të BEsë. BMP ka si qëllim kryesor mbikëqyrjen publike dhe të sigurojë që audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit të jenë subjekt i një sistemi që jep siguri për cilësinë, në funksionin të mbrojtjes së interesit publik.

Në zbatimin e funksionit rregullator dhe mbikëqyrës, BMP udhëhiqet nga parimet dhe normat e pavarësisë, transparencës dhe integritetit. Në këtë kontekst, për të forcuar integritetin e profesionit dhe mbikëqyrjen e tij, nga BMP janë ndërmarrë një sërë aktivitetesh në fushë. Kështu, BMP është fokusuar në krijimin e kuadrit të nevojshëm rregullator, si kërkesë e parashikimeve ligjore, duke hartuar dhe miratuar një sërë rregulloresh që lidhen me funksionimin e strukturës së tij mbështetëse, mbledhjen e të ardhurave, investigimin dhe disiplinën.

BMP ka realizuar, për herë të parë, një proces mbikëqyrjeje, që mbështetet mbi një analizë risku dhe një metodologji të mirëfilltë në kryerjen e kontrollit të cilësisë ndaj auditimeve ligjore. Si rrjedhojë, vihet re dhe një rritje e ndërgjegjësimit të audituesve lidhur me nevojën për të garantuar shërbime auditimi cilësore. Ky institucion, edhe pse në hapat e para, jo vetëm ka bërë të mundur rritjen e kontrollit të cilësisë së veprimtarisë së audituesve ligjorë dhe shoqërive të auditimit, por gjithashtu ka ndikuar në përmirësimin e cilësisë së raportimit financiar nëpërmjet ndërmarrjes së reformës mbi procesin e verifikimit të ligjshmërisë së veprimtarisë së Kontabilistëve të Miratuar që ushtrojnë profesionin e tyre në vendin tonë.

Ky proces ka rëndësi thelbësore në formalizimin e tregut të shërbimeve të kontabilistëve të miratuar, duke garantuar një edukim të vijueshëm, konsekuent dhe shërbime profesionale të mbikëqyrura përmes organizatave profesionale dhe BMP, duke përkuar edhe me veprimtarinë e Qeverisë Shqiptare në tërësi për reduktimin e informalitetit, ku roli profesional i Kontabilistëve të Miratuar është i domosdoshëm dhe mjaft i rëndësishëm. Gjithashtu, në mbështetje të realizimit të objektivave të veprimtarisë së tij, BMP ka ndërmarrë dhe një sërë sanksionesh disiplinore, që variojnë nga gjoba deri në pezullim të ushtrimit të aktivitetit për një periudhë kohore të caktuar, për ata profesionistë kontabël, për të cilët është evidentuar që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me përcaktimet ligjore apo rregullatore të fushës. Mbi sa më sipër, me gjithë zhvillimet e deritanishme, mbetet ende shumë për të bërë. Nga kontrollet e cilësisë së deritanishme janë konstatuar gabime dhe mangësi të shpeshta në prezantimin e raporteve të audituesve, pasqyrave financiare dhe shënimeve shpjeguese të pasqyrave financiare.

Këto mangësi pasqyrojnë kontroll të dobët të cilësisë si nga audituesi, ashtu edhe nga përgatitësi i pasqyrave financiare. Në këtë kuadër, ajo që është e nevojshme në të ardhmen, nuk është vetëm siguria që auditimet ligjore të kryhen në një mjedis transparent, të kontrolluar dhe të kujdesshëm, por ndër të tjera edhe rritja e bashkëpunimit rajonal me synim shfrytëzimin me efikasitet të burimeve të kufizuara, si dhe krijimi i një sistemi kualifikimi rajonal, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira të raportimit financiar. Përpjekjet dhe sfidat e trajtuara për të përmirësuar dhe rritur këtë profesion nuk duhet të ndalen. Puna duhet të përqendrohet në drejtimin e duhur duke marrë parasysh institucionet homologe, të cilat kanë përvojën e duhur dhe janë përballur me sfida të ngjashme gjatë zbatimit të këtyre reformave në vendet e tyre.

Raportimi financiar me cilësi të lartë është themeli i një ekonomie tregu që funksionon mirë dhe baza e një sistemi të fortë financiar, i cili rezulton në reduktimin e riskut të krizave në tregun financiar dhe ndikimeve të tyre negative ekonomike, ofrimin e kontributit në investimet e huaja direkte dhe në portofolin e investimeve, duke ndihmuar në shfrytëzimin e kursimeve vendase, lehtësimin e aksesit nga shoqëritë e vogla huamarrëse për kredi nga sektori financiar formal nëpërmjet zvogëlimit të kostove të larta të informacionit dhe huamarrjes, lejimin e investitorëve të bëjnë vlerësimet e duhura duke marrë vendime të mirinformuara për investimet, duke rezultuar në një kosto më të ulët të kapitalit dhe në një shpërndarje më të mirë të burimeve, lejimin e aksionerëve dhe publikut të gjerë të vlerësojnë performancën e menaxhimit të një kompanie, duke nxitur zhvillimin aktiv të tregjeve kapitale, krijimin e besueshmërisë dhe sigurisë së informacionit financiar i cili në vetvete përmirëson kapacitetin gjenerues të taksave të ekonomisë, krijimin e rrethanave që mundësojnë mobilizimin dhe rritjen e të ardhurave lokale dhe stabilizimin e mëtejshëm të ekonomisë si dhe mundësimin e hapjes së ekonomisë në tregjet e jashtme, që çon në flukse më të mëdha të kapitalit duke mbështetur integrimin ekonomik, si në nivel rajonal, ashtu edhe në nivel global.

*Kryetar i Bordit të Mbikëqyrjes Publike

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura