Imazh, merkato dhe miliona, ja sa vlen Champions-i për Milanin

May 15, 2021 | 16:08
SHPËRNDAJE

Lojtarët po përkëdhelin të kaluarën e po shijojnë të tashmen me idenë se mund të marrin pjesë në Champions pas shtatë vitesh mungesë. Ndërkohë, klubi po përkëdhel të ardhmen sepse nëse Milani mbyll sezonin mes katër të parave, përfitimet do të ishin të shumta e në disa drejtime. Thërrmijat e Ligës së Europës kanë qenë gjithçka skuadra ka shijuar në vitet e fundit e ndonjëherë as ato s’i ka arritur.

Milani festa

Me Ligën e Kampioneve buxheti do të kishte një rritje të ndjeshme e cila u bashkëngjitet kostove gjithmonë në ulje të shoqërisë. Sektori i marketingut do të shijonte gjithashtu benefitet e Kupës me veshë të gjatë, ndërkohë që edhe fanella do të kishte më tepër joshje për ata që mund të jenë objektivat e merkatos. Përmirësimi i imazhit është një tjetër fushë ku Milani pret të shijojë frytet e rezultateve sportive duke u munduar të thyejë murin e 500 milionë tifozëve të shpërndarë në të gjithë globin.

BILANCI – Me ardhjen e “Elliott” në presidencë, objektivi ka qenë dhe mbetet vetëfinancimi. Hyrja në Champions nuk do të thotë që Maldini do të mund të shpenzojë shifra të çmendura. Vlerësimet e drejtuesve bëjnë që ekipi të synojë majat në 2-3 vite, gjithmonë nëse gjërat shkojnë sipas planit. Kjo, sepse arkat vazhdojnë të shënojnë humbje. Në 2019-ën humbjet ishin në masën 194.6 milionë euro, ndërsa në 2020-ën prekën 145.9. Më 30 qershor Gazidhis synon të ketë një bilanc me humbje nën 100 milionë euro, por lajmi i mirë është se nuk do të jetë nevoja për kredi apo shitje aksionesh siç ndodh me klubet e tjera italiane.

PËRJASHTIME – Praktikisht, nuk do të ketë emra bombastikë si përforcime për ekipin e Piolit sepse edhe përfitimet nuk do të jenë edhe aq shumë. Hyrja në Champions do të vlente 50-60 milionë euro të cilat mund të shtohen nëse kuqezinjtë kapërcejnë fazën e grupeve. Si shembull mjafton të përmendim Juventusin që në sezonet e fundit ka marrë nga Liga e Kampioneve përfitime që kanë përbërë 25 për qind të të ardhurave totale të klubit. Në anën tjetër, krerët e “Djallit” po punojnë për të zvogëluar borderonë. Kufiri i pagave prej 4 milionë eurosh mund të kapërcehet për raste të veçanta siç ndodhi me Ibrën apo siç mund të jetë Donaruma.

Asnjë lojtar tjetër nuk do të paguhet më shumë dhe këtë e vërtetojnë bisedimet për rinovimin e Çalhanoglusë që pretendon 5 milionë euro në vit, ndërkohë që klubi është gati ta humbë edhe pa përfituar vetëm që të mos i plotësojë dëshirën. Në terma afrimesh, shembulli i shpenzimeve që do të kryejë Milani është Fikajo Tomori. 28 milionë eurot për anglezin përbëjnë një kapital të rëndësishëm të cilin Maldini do të mundohet ta ulë përpara se ta dorëzojë pa kushte në arkat e Çelsit.

Huazimet si Diaz do të jenë një tjetër mënyrë pune e kuqezinjve të cilët do të kërkojnë edhe një zgjidhje për të vënë në dispozicion të Piolit një zëvendës për Ibrën. Vlahoviç dhe Skamaka janë emrat në krye të listës së dëshirave, megjithatë vlera e tyre bën që te Milani të studiojnë edhe alternativa me kosto më të përmbajtur.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura