Ilir Kupa do vuajë në Shqipëri dënimin grek

Apr 8, 2014 | 13:51
SHPËRNDAJE

Ilir Kupa në Gjykatë
TIRANE – Ilir Kupa, 27-vjeçari i arrestuar në Tiranë dhjetë muaj pasi u arratis nga burgu i Trikallas në Greqi, i shpëtoi ekstradimit në vendin fqinj. Gjykata e Tiranës njohu dje vendimin penal të dënimit me 10 muaj burg, të dhënë nga drejtësia greke për Kupën. Në vendimin e shpallur nga gjyqtarja Migena Laska, masa e vendimit ndaj Kupës u konvertua në 8 muaj burg. Kërkesa e përfaqësuesit të Prokurorisë për njohjen e vendimit penal u kundërshtua nga avokati i Kupës, i cili e cilësoi këtë kërkesë si antikushtetuese. Edhe vetë Kupa nga kafazi i sallës së gjyqit kërkoi të mos njihej ky vendim. “Nuk e pranoj atë dënim. Kur jam dënuar për këtë vepër penale, unë kam qenë në burg”, u shpreh Kupa. Me herët, përfaqësuesi i Prokurorisë në seancë tha se kërkesa për njohjen e vendimit penal ishte përcjellë me letërporosi nga autoritetet greke në 4.03.2014. “Kupa është dënuar me një vendim të shpallur në 23.02.2009 të Gjykatës së Athinës me 10 muaj burg për ‘mospagim detyrimesh’ ndaj shtetit grek. Në Athinë, në harkun kohor 2004-2007, Kupa ka qenë debitor ndaj shtetit me paramendim. Ilir Kupa ka refuzuar pagimin e një shume, që kapte 10 mijë euro”, u shpreh prokurori. Në pritje të nisjes së seancës, i pyetur nga gazetarët, Kupa tha se e njihte Ilia Karelin, shqiptarin e masakruar nga dhuna e gardianëve grekë në Nigrita. “Kemi qenë në të njëjtin burg, Kordhalo, për dy-tre muaj”, tha Kupa. Ilir Kupa u arrestua në ditët e fundit të janarit 2014, dhjetë muaj pasi ishte arratisur nga burgu i sigurisë së lartë të Trikallës, në Greqi. Ai ishte duke udhëtuar në një automjet, në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, që nuk iu bind sinjalit “stop” të një patrulle policie. Pasi u ndoq nga policia, ai u arrestua pak kilometra me tej, ku edhe iu gjetën me vete dy armë. Një nga kërkesat e tij primare pas arrestimit ishte mosekstradimi në Greqi.          ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura