Ilir Kerni sjell “Arrëthyesin” për Shën Valentin

Feb 9, 2016 | 14:42
SHPËRNDAJE

Edhe pse e kemi lënë pas periudhën festive të Krishtlindjes, atë na e rikthen Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit.

“Arrëthyesi”, një nga veprat koreografike më popullore në botë, me muzikë nga Pyotr Ilyich Tchaikovsky, ngjitet në skenë nën koreografinë e Ilir Kernit dhe interpretimin e trupës së baletit të TKOB.

Vepra do të shfaqet përgjatë katër netëve, duke filluar që nga dita e Shën Valentinit, në datën 14 shkurt, për të vijuar në datat 15, 20 dhe 21 shkurt. Kjo vepër nuk është e panjohur për publikun shqiptar.

Nga një prej shfaqjeve të baletit në Teatrin Kombëtar
Nga një prej shfaqjeve të
baletit në Teatrin Kombëtar

Hera e fundit që është ngjitur në skenën e TKOB-it ka qenë në vitin 2009, po nga Ilir Kerni, i cili, edhe pse prej më shumë se dy vjetësh është në postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nuk ka “hequr dorë” nga profesioni i tij parësor. Gjatë kësaj periudhe, ai ka marrë përsipër të drejtojë koreografitë e baleteve klasike “Balloja e diplomës”, “La Sylphide”, “Coppelia” dhe tashmë risjell “Arrëthyesin”.

Ilir Kerni
Ilir Kerni

Për këtë të fundit, koreografi është mbështetur në koreografinë origjinale të autorëve Marius Petipa dhe Lev Ivanov. Orkestra Simfonike e TKOBit do të drejtohet nga dirigjenti Manuel Busto. Skenografia dhe ndriçimi mban firmën e Zorz Drausnik, ndërsa kostumet janë realizuar nga Elva Bella.

Duke qenë e mbështetur mbi një subjekt përrallor me zana, ushtarë të drunjtë që kthehen në princër të kaltër, vende ëmbëlsirash, vepra në dy akte, ofron një atmosferë të këndshme, plot ritëm e ngjyra, që bën për vete publikun e çdo moshe.

VEPRA

“Arrëthyesi” është kompozuar në vitet 1891-1892 nga kompozitori i madh rus Pyotr Ilyich Tchaikovsky, mbështetur mbi përrallën “Arrëthyesi dhe Mbreti i minjve” nga Erenst Theodor Amadeus Hoffmann.

Posteri i shfaqjes “Arrëthyesi”
Posteri i shfaqjes “Arrëthyesi”

Bashkë me “Liqenin e mjellmave”, ai është një prej simboleve të baletit klasik. Vepra pati premierën në Teatrin Imperial të Rusisë në vitin 1892, nën drejtimin e vetë kompozitorit, por pa ndonjë sukses të madh. Kritika ishte e ndarë më dysh, kush i lëvdonte, kush i shante balerinët.

Koreografia u konsiderua “konfuze” dhe “amatoreske”. Kritika pati edhe për libretin, duke akuzuar për devijim nga vepra e Hoffmannit. Në të kundërt, kritika ngriti lart veprën e kompozitorit dhe vepra u bë e njohur falë suitës 20-minutëshe të nxjerrë nga baleti.

Me kalimin e viteve, sidomos pas viteve ’60 të shekullit të kaluar, jo vetëm në Rusi, por edhe në gjithë botën, “Arrëthyesi” u bë ndoshta baleti më popullor, sidomos në periudhën e Krishtlindjeve, duke qenë që historia e thyesit të arrave, në trajtën e një kukulle druri, nisi pikërisht në vigjilje të vestës, nën një pemë të zbukuruar.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura