Ilir Demalia rrëfen 2 korrikun 1990: Si ndodhi shpërthimi i ambasadave

Jul 2, 2018 | 15:15
SHPËRNDAJE

ILIR DEMALIA/ Më 2 korrik 1990, kalendari i Kampionatit Botëror të Futbollit kishte pushim. Mos ndoshta edhe FIFA kishte dorë si “agjenturë” e huaj, ku me qëllim kishte lënë 2 korrikun 1990 si ditë pushimi sipas logjikës së Alisë, Bengasit, Gjonit, zyrtarëve, analistëve, si shërbim agjenturash për të kombinuar me 2 korrikun e Kosovës, kur ky kalendar ishte përcaktuar para se të binin regjimet e Lindjes?! Rreth orës 8:00, u nisa për në punë për te stacioni i Bankës së Shtetit në këmbë, nga ku merrja autobusin për të shkuar në Kinostudio.

Ilir-Demaliaj-SHBA

Te ambasada turke shikoj policë, civilë dhe një kamion plehrash, i cili futur brenda portës pjesën e parme të kamionit. Katër vetë kishin shpërthyer portën duke thyer xhamin e përparmë dhe ishin strehuar në ambasadë.

“Skoda” e Ylli Bodinakut në momentin që çau murin e Ambasadës Gjermane
“Skoda” e Ylli Bodinakut në momentin që çau murin e Ambasadës Gjermane

Në Kinostudio, si zakonisht, shkova të pi kafen aty ku mblidheshim çdo mëngjes, kur vjen lajmi tjetër; një kamion tip “Tatra” kishte shpërthyer kangjellat e mbrapme të ambasadës italiane. Ishim Shkëlqim Daja, Armandi, Artani, Jamarbëri (Madu), Reizi, Leci e të tjerë. Drejt nesh po vinte Namik Prizreni, sekretari i Partisë së degës së prodhimit. I drejtohem Duhijes, banakieres së kafes:

– Duhije, një aranxhatë të ftohtë për shokun Namik, se po na merr flakë partia nga temperaturat e larta! Namik Prizreni u përgjigj:

– Me këto temperatura që ka marrë kjo kohë, më duket se po na djeg për së gjalli. Filloi e qeshura, e folura ishte tashmë pa fre. Armand Xhuli, pas dy ditësh, do të hynte në ambasadën italiane. Shkëlqim Daja ishte ai që mbas ikjes sonë do të përplasej haptas me Xhelil Gjonin e Foto Çamin në mbledhjet e Kinostudios.

ambasada-1

Zbrita nga Kinostudio te stacioni i Bankës së Shtetit në qendër. Tashmë, hapur shihje të rinj me biçikleta, me vrap e me nxitim.

Disa shkonin nga Rruga e Kavajës, disa merrnin bulevardin për nga Rruga e Elbasanit, pyesnin njëri-tjetrin: “O me, si ishte anej ka italjonja, a bohet gjo?”.

Tjetri: “Jo, me pri anej po vij, ja pallarim (shkojmë) kënej ka rruga e ambasadave mo mirë!”. Mora Rrugën e Kavajës, shkova te miqtë e mi Dindajt, që jetonin në rrugën në zonën e ambasadave.

Shtyva portën e hekurit, përballë ishte Leonardi dhe i vëllai Bardhyli. Po në këtë natë, Bardhylit do t’i hynin dy djemtë në ambasada, Titi dhe Marko, me gjithë nipin e Bardhylit, djalin e vëllait tjetër, Grigorin. Marko dhe Grigori ishin me grupin e parë që goditën me tulla dhe gurë policinë. Bardhyli do të hynte në ambasadën greke së bashku me të shoqen, Niqin, dhe mbesën, Irmën, motrën e Grigorit.

Kopertina e librit të Ilir Demalisë
Kopertina e librit të Ilir Demalisë

Babai i Dindajve, Grigor Dindi, kishte emigruar në Amerikë në fillim të viteve 1900, ishte nga ata që kishin sjellë flamurin shqiptar nga Amerika për pavarësinë, pjesëmarrës me fonde financiare dhe luftëtar në Kryengritjen e Malësisë së Madhe më 1911. Kur ishte kthyer nga Amerika për pushime, në vitet ’30, në Përmet, i kishte rënë priftit me shpullë pse këndoi psalmin në greqisht.

Sot e kemi kryepeshkopin Janullatus, që psalmin greqisht e këndon në mes të Tiranës dhe në mbarë Shqipërinë. Bardhyli vetë, në moshën 17-vjeçare, kishte shkuar si anëtar i Ballit Kombëtar për të luftuar në Kosovë më 1944 së bashku me djalin e hallës së tij, Napolon Tasi, djali i Koço Tasit, deputet i Parlamentit 1920-1924, një nga përfaqësuesit e mendimit filozofik të kohës.

I shkolluar në Romë për drejtësi, njohës i idealizmit platonik dhe shkollën e mesme e kishte mbaruar në Athinë së bashku me të vëllain e tij, Arqile Tasi, i cili kishte studiuar për avokat në Boston. Të dy u dënuan më 1945. Arqileja vdiq në burg, ndërsa Koço u largua nga jeta më 1966, pak muaj pas daljes nga burgu, pasi kishte kryer 21 vjet si i burgosur politik.

ambasadat-hapja

Qëndrova pak duke biseduar me vëllezërit Dindi dhe u largova. Ishte ora rreth 15:00. Rruga “Skënderbej” dukej e qetë. Rreth kësaj ore nuk dukej ndonjë ngarkesë e forcave të rendit. Pasi pushova për rreth dy orë në shtëpi, mbasdite rreth orës 17:00 u nisa te Gavrosh Levonja, aty dëgjonim rregullisht “Meshën” – “Zërin e Amerikës”.

Ishte Gen Nikaj dhe profesor Fatmir Meçule. “VOA” njoftoi për zhvillimet në Kosovë dhe në Shqipëri. Po dëgjonim “Meshën” që vinte përtej Atlantikut. Në këtë kohë dëgjohet zhurmë nga drejtimi i Rrugës së Ambasadave, që nuk ishte më shumë se 300 metra nga shtëpia e Levonjës. Dalim te kryet e rrugicës së Levonjës, në Rrugën e Kavajës, shikojmë makina të policisë drejt Rrugës së Ambasadave.

Nisem për atje, shoh që rrugët nuk ishin bllokuar, njerëzit qarkullonin lirisht. Ishte shpërthyer me kamion tip “Skoda”, muri i mbrapmë i ambasadës gjermane, nga ku kishin hyrë brenda rreth 30 vetë dhe të tjerë që kishin qenë mbrapa makinës. Me vonë u mor vesh se makina që i kishte rënë murit drejtohej nga Ylli Bodinaku.

Në kamion ishte ngarkuar dhe një qengj si “kurban”… Pjesa nga mbrapa ambasadës gjermane ishte bllokuar, ndërsa rruga “Skënderbej”, ku edhe ishin hyrjet qendrore të ambasadave, ishte e lire. Vihej re dukshëm shtimi i njerëzve në masë në atë rrugë. Qarkullimi në rrugën “Skënderbej” u bë gjithmonë e më i dendur. Filluan kapërcimet e para tek ambasadat çekosllovake, franceze, bullgare, nga rrethimet e kangjellave ballore të ambasadave në rrugën “Skënderbej”.

Mysafirët e shumtë të Rrugës së Ambasadave brohorisnin e duartrokisnin mbas çdo kapërcimi kangjellash. Vazhdoi ky ritual për rreth dy orë pas shembjes së murit të ambasadës gjermane. Policët ishin komplet të tulatur dhe të hutuar, reagonin formalisht. Rreth orës 21:30- 22:00, një shpërthim i fuqishëm u dëgjua në pjesën e mbrapme të ambasadës greke.

Nga rruga “Skënderbej” nga një rrugë e shkurtër anësore e ambasadës greke që e ndante me bullgaren dhe që e lidhte me rrugicat e tjera pas stabilimentit, dallohej një kamion tjetër që kishte shpërthyer murin ngjitur më portën e dytë fundore të ambasadës greke. Shpërthimi ishte shumë i fuqishëm, shoqëruar me thirrje: URRAAAAAA! FITORE! FITORE! U dëgjuan të shtëna armësh. Demonstruesit nuk ndaleshin, filluan të qëllojnë me gurë dhe tulla drejt forcave të policisë.

Ata që ishin në rrugën “Skënderbej” përfituan nga rasti, ngaqë vëmendja u përqendrua në pjesën mbrapa ambasadave greke dhe gjermane, dhe u futën në pjesët e parme të ambasadave. Policia ishte komplet jashtë kontrollit. Filluan thirrjet LIRI-DEMOKRACI! POSHTE DIKTATURA! ENVER-HITLER!

Nga ballkonet e “Pallatit të Diplomatëve” dëgjoheshin thirrjet e familjarëve të diplomatëve: ASSASINO! KILLERS!, klithma, thirrje, ulërima, të shtëna armësh, njerëzit përsëri nuk largoheshin nga rruga “Skënderbej”. Tashmë nga pjesa e mbrapme kishin hyrë rreth 100-140 vetë në territoret e ambasadave greke dhe gjermane pas shpërthimit të dytë të murit të pasmë nga porta jugperëndimore e ambasadës greke.

Nga rruga “Skënderbej” në sallonin e ambasadës gjermane dalloheshin lëvizje të diplomatëve për të ndihmuar të strehuarit. Siç’ morëm vesh, një djalë i ri, në tentativën për të kaluar murin, ishte plagosur rëndë nga një armë zjarri dhe ishte në rrezik për jetën. Duke parë se gjendja e tij ishte e rëndë, diplomatët gjermanë e dërguan në spital duke e ruajtur vetë njerëzit e ambasadës si i strehuar politik.

Lothar Parzeller, punonjës i sigurimit të ambasadës gjermane, në lidhje me vrasjen e 17-vjeçarit Artin Basha, natën e 2 korrikut 1990, më shkruan në një email vite më pas: “Që nga momenti që kamioni hyri në ambasadë, ne kishim një të çarë të madhe në murin e mbrapmë të oborrit. Në anën e jashtme të murit u shfaqën njerëzit e Sigurimit për të ndaluar refugjatët të hynin në territorin e ambasadës. Atë natë, një grup i madh provonte të hynte nga e çara e murit për t’u strehuar në ambasadë.

Sigurimi nuk mundi t’i ndalojë dhe shumë prej tyre hynë brenda. Ne dëgjuam të shtëna përpara murit, por nuk pamë të plagosur. Një djalë i ri nga ky grup u rrëzua përtokë pak metra pasi kishte hyrë në territorin e ambasadës. Ne e ndihmuam atë dhe e ngritëm, duke e mbajtur dhe futur në një dhomë të ambasadës. Kujtoj se ishte shumë i zbehtë. Unë pashë dy vrima të vogla në trupin e tij, një në krahun e djathtë në nivelin e stomakut dhe një në krahun e majtë në nivelin e mushkërisë.

Kur ai mori frymë, poça të vegjël ajri i dolën nga krahu i majtë. Ne vendosëm ta dërgojmë në spital me një makinë të ambasadës. Ndërkohë që ai ishte në operacion, ne shikonim nga dera që të ndalonim Sigurimin që të mos e merrte atë. Më kujtohet shumë mirë që ata erdhën dy herë brenda 24 orëve që ta merrnin atë… Në fund, ne morëm urdhër nga ambasada që të largohemi nga spitali, përndryshe do të jetë me rrezik për ne. Gjatë kohës atje, unë u miqësova me një doktor.

Disa ditë më pas, ai na informoi që disa orë pasi ne u larguam nga spitali, arritën njerëzit e Sigurimit dhe djali vdiq”. Si ka ndodhur realisht? Nuk ka asnjë version zyrtar apo hetim për të vetmen vrasje të ngjarjes së ambasadave deri më sot. Në të kundërt, shteti shqiptar i asaj kohe u mundua ta fshehë këtë vrasje duke mos dhënë asnjë njoftim.

Kjo del edhe nga takimi me intelektualët në gusht 1990, kur Sali Berisha i drejtohet Ramiz Alisë në lidhje me fshehjen e kësaj ngjarjeje. Ramiz Alia, në replikë me Sali Berishën, ndërmjet të tjerave, thotë: Ai djalë u plagos kur hyri makina me vrull, hodhi… domethënë, çau murin e ambasadës dhe një polic qëlloi. Bukur. Qartë. Po ai djalë ka ndenjur tri ditë në ambasadën gjermane dhe pas tri ditësh ka ardhur në spital”.

Nga zbardhja e takimit të Ramiz Alisë me intelektualët në gusht 1990, Ramiz Alia pranon në bazë të informacionit që i është dërguar si kryetar shteti, se polici ka shtënë me armë. Por, në anën tjetër, do të fajësojë personelin e ambasadës për vdekjen e 17-vjeçarit, ku sipas tij, e mbajtën tri ditë në ambasadë dhe më pas e sollën në spital, atëherë kur nuk kishte më shpëtim. Aksidentalisht apo me qëllim, plumbi që mori Artin Basha ka dalë nga pistoleta e policit të shërbimit.

Nga të gjithë dëshmitarët e shërbimit spitalor, nga të strehuarit në ambasadë, nga personeli i ambasadës dhe nga raportet për ngjarjen, Artin Basha është dërguar në spital natën midis 2 dhe 3 korrikut 1990. Artin Basha ka ndërruar jetë më datën 4 korrik 1990. Dilaver Bengasi, drejtor i përgjithshëm i Policisë, në librin e tij “Enigma e 2 korrikut ‘90″, mundohet të manipulojë këtë vrasje duke lënë të kuptohet se Artin Basha është qëlluar nga personeli i ambasadës.

Bengasi shkruan: “Kjo viktimë e vetme e 2 korrikut mban dhe enigmën e vet. Mjaft pyetje profesionale për rrethanat e pafavorshme të asaj ndodhie mbeten pa përgjigje, siç’ mund të jenë: Kur dhe kush e plagosi? Nëse u plagos jashtë rrethimit të ambasadës aq rëndë, sa përfundoi në vdekje, si mundi që të shkojë deri në mjediset e brendshme të ambasadës?” Ambasadori Werner Daum më ka treguar se policët e sigurisë së ambasadës nuk ishin të armatosur.

Natën e 2 korrikut, polici shqiptar ka hyrë me armë në territorin e ambasadës dhe është çarmatosur nga njerëzit e sigurimit të ambasadës dhe është mbajtur në ambasadë për disa orë. Më pas, arma është dorëzuar në Ministrinë e Jashtme nga punonjësit e ambasadës. Përse nuk u bë hetim për këtë ngjarje ku mund të verifikohej fare lehtë plumbi në trupin e Artin Bashës?! Përse nuk u bë ekspertiza e pistoletës së policit, që u mbajt për disa orë nga personeli i sigurimit të ambasadës, kur ky u fut në territorin e saj me pistoletë dhe arma e tij më pas u dorëzua në Ministrinë e Jashtme?!!

Shkurt: Artin Basha ka pësuar vdekjen nga arma e Policisë së Shtetit! Njerëzit nuk largoheshin nga rruga “Skënderbej”. Filluan thirrjet Liri-Demokraci! Enver-Hitler! Vazhdonin tentativat për t’u futur në ambasada. Rruga “Skënderbej” tashmë mund të kishte rreth 1000 vetë plus shumë më shumë në Rrugën e Kavajës, që lidhej me rrugën “Skënderbej”.

Ata që u futën në ambasadën greke, kalonin murin e ambasadës gjermane. Shqiptarët “hoqën vizat” në vendet e BE-së brenda në Tiranë që në korrik 1990. Rreth orës 23:30, nga drejtimi i Rrugës së Durrësit u vunë re lëvizje të rinjsh në drejtim për nga Rruga e Kavajës apo “Konferenca e Pezës”.. Ata thërrisnin: “Erdhën, erdhën!”. Në fillim nuk po merrej vesh, pastaj u panë kamionët “IFA” të Repartit 326 të sampistëve, nga ku zbritnin me lopata xheniere në duar, ata filluan pastrimin e rrugës “Skënderbej”.

Filluan thirrje, klithma, trupa që përplaseshin si thasë dhe mundoheshin të ngriheshin, rrëzoheshin përsëri nga goditja tjetër e lopatës xheniere të sampistit, mundoheshin të largoheshin dhe shkelnin njëri-tjetrin. Turma e demonstruesve që ishte në rrugën “Skënderbej” u drejtua për nga Rruga e Kavajës. U grumbulluan aty ku ishte kinema “Rinia”, sot Kisha Katolike. Sampistët bllokuan rrugën e pastruar “Skënderbej”.

Kishin ngelur rreth 500 vetë në Rrugën e Kavajës nga kinema Rinia në trotuarin që ndante Rrugën e Kavajës deri te “Rruga e Bogdanëve”. Përforcime të tjera sampistësh erdhën nga Rruga e Kavajës dhe ndaluan para “Klubit Sportiv të Tironës”, sot Kisha Ortodokse. Kamionë me studentë të Shkollës së Bashkuar “Skënderbeg” thërrisnin: Parti-Enver! Në hyrjen e rrugës “Skënderbej”, ishin Zylyftar Ramizi dhe drejtues të tjerë të Sigurimit dhe Policisë. Pati moment pause e qetësie nga të dyja krahët.

Pas rreth pesë minutash, Zylyftar Ramizi, me megafon u drejtohet demonstruesve të shpërndahen. Përgjigjja ishte breshëri tullash, që i kishin shkulur nga muret përreth, pllakat e shkallëve të kinemasë, thirrjet: Kriminel! Kriminel! Poshtë Diktatura! Enver-Hitler! Sampistët me përforcime dhe nga skënderbegasit – nxënësit ushtarakë të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Skënderbeg”, u lëshuan drejt demonstruesve. Rezistenca ishte e pamundur. Sampistët e Repartit 326 ishin të fuqishëm e të stërvitur. Ata përplasnin në tokë si dengje demonstruesit, i godisnin me shqelma fytyrës e ku të mundnin.

Klithmat, rënkimet, ndiheshin në afshin e nxehtë të natës së 2b korrikut në një ndeshje të pabarabartësh. Turma u drejtua nga qendra për t’u ikur goditjeve, mbërriti mbrapa monumentit të Enver Hoxhës, i cili ishte i rrethuar me ushtarë të armatosur dhe civilë. Turma që mundi t’i shpëtojë, ndaloi mbrapa monumentit, rreth 300-400 vetë të mbetur filluan përsëri thirrjet: Enver-Hitler! Liri- Demokraci! Poshtë Diktatura! Nuk zgjati shumë dhe erdhën “IFAT”, filloi KREHJA.

Përsëri përdorimi i lopatave xheniere, shkelma, përplasje në tokë, brinjë të thyera, turinj të ënjtur e të gjakosur, thirrje për ndihmë që shuheshin nga goditja pasardhëse. Banorët e pallateve në anë të Bankës së Shqipërisë kishin dalë të gjithë në ballkone e dritare. Dëgjoheshin zëra: “Mosni more, se i mbytët, kini mëshirë!” Në anën tjetër, zërat e eprorëve “BjERINI!”. Te pallati anash Bankës, ku ishte një si tunel, aty ku ishte libraria ku dikur ka qenë “Hosteni”, shoh me biçikletë komshiun tim Agim Kubati.

I drejtohem: – Ec të ikim se po vijnë forca të tjera, këta janë tërbuar, sonte duan gjak! Gjeta një biçikletë përtokë, e mora dhe i thashë Kubatit.

– Ikim! Duke u larguar, klithmat, rënkimet, sa vinin e shuheshin… Ishte protesta e parë masive që pas ardhjes së komunistëve më 1945, si përleshje qytetare me regjimin në Tiranë, në mes të Tiranës pas asaj së Postribës që ishte lokale. Por me një ndryshim, atëherë regjimi po ndërtonte themelet me gjak, tani po mbronte shembjen me gjak që vazhdon dhe rrjedh…

U futëm me Kubatin në tunelin e pallatit anash Bankës, kaluam nga mbrapa Postës Qendrore ndërmjet pallateve për të eliminuar rrugët kryesore, dolëm mbrapa Pallateve të Shallvareve, nuk bisedonim. Kaluam Urën e Lanës, vazhduam mbrapa Shallvareve te “Kinema Dajti”, morëm drejtimin nga Fakulteti Ekonomik duke kaluar mbrapa Institutit të Arteve, iu ngjitëm rrugës së Liqenit.

Ndaluam lart te lokali, te çesmja ku dikur kishin qenë “Varrezat e Dëshmorëve të LNÇ”, aty ku sot janë vëllezërit Frashëri dhe Faik Konica.

Kubati m’u drejtua: – Këtu nuk rrihet më!

Unë: – Si t’ia bëjmë?

Kubati: – Të ikim. Ikjen nga vendi e kishim biseduar shumë kohë më parë me Kubatin dhe tim vëlla. Kubati bisedonte më shumë me tim vëlla, pasi ishin dhe më të lidhur me njëritjetrin.

Unë: – Gim, unë dua të shoh fundin e këtyre!

Kubati: – Lëre fundin e fillimin, unë kam një ide!

Unë: – Fol një herë, çfarë ideje paske ti?

Kubati: – Mendoj të futemi tek ambasada italiane. Vëmendja është përqendruar te rruga “Skënderbej”. Kalojmë nga Fakulteti i Gjeologji-Minierave dhe me biçikleta kthehemi me shpejtësi te porta kryesore e ambasadës italiane, e cila është e hapur.

U mendova një çast, iu përgjigja: – Dakord. Morëm biçikletat dhe nga mbrapa Fakultetit të Gjeologjisë dolëm në Rrugën e Elbasanit, përballë Filologjikut, nga ku ambasada nuk ishte as 100 metra. Dritat e ambasadës ishin të gjitha të hapura.

Kur u afruam, dukshëm dallohej shtimi i policëve, sidomos te dera kryesore ku kishim planifikuar të hynim.

– E pamundur – tha Kubati – vazhdojmë drejt.

Ishte ora afër 2:00 e natës, në rrugë nuk shikoje këmbë të gjallë, përpos policëve të objekteve shtetërore. Nga Rruga e Elbasanit u kthyem tek Unaza. Kaluam te parku përballë Dajtit te Tajvani, duke kaluar nga pallatet anash Bankës aty ku ishim nisur. Sheshi përpara Muzeut Kombëtar dhe Bankës, ku gjendej monumenti i Enver Hoxhës, ishte bosh.

U futëm në Rrugën e Durrësit, te “Kafe Flora” shohim tim atë që kishte dalë, ishin bërë merak për vonesën e pasmesnate, për atë çfarë kishte ndodhur atë natë të 2 korrikut në Tiranë. Atë natë në Tiranë dukej se nuk flinte askush. Ishte ora tre e natës. Tirana po priste…

*Marrë nga libri “Guri i fundit i dominojë”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura