INTERVISTA/ Ilir Demalia rrëfen pas 30 vitesh 2 korrikun 1990 dhe kërcënimin e SHBA për Ramizin: Dorëzo pushtetin ose do përfundosh si Çaushesku

Jul 2, 2020 | 15:10
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Ilir Demalia, një nga protagonistët e rebelimit të shqiptarëve që shpërthyen dyert dhe muret e ambasadave perëndimore në Tiranë më 2 korrik 1990, tregon rolin e Ramiz Alisë, por edhe të Sigurimit të Shtetit në këto ngjarje.

Demalia

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, 30 vjet pas ngjarjeve të ambasadave, Demalia flet për manipulimin e bërë historikisht për këto ngjarje si organizim i agjenturave të huaja, por dhe lidhjen e qëllimshme që i bëhet me ngjarjet në Kosovë, kur vendosej Kushtetuta e saj brenda ish-Jugosllavisë.

30 vjet pas rebelimit të shqiptarëve që u dyndën në ambasadat perëndimore, sot mendoni se ajo ishte një lëvizje taktike e Ramiz Alisë në bashkëpunim me Perëndimin, për shkak të rezistencës së fortë të konservatorëve në PPSH, për të lëvizur popullin që do çonte në shpërbërjen e sistemit? Cili ka qenë roli i Sigurimit të Shtetit në ato ngjarje?

Së pari, dua të sqaroj se unë kam shkruar dhe dhënë në TV të ndryshme shumë intervista dhe shkrime për këtë ngjarje gjatë këtyre 30 vjetëve. Në vitin 2015 vendosa që të shkruaj një libër për këtë ngjarje, “Guri i fundit i dominosë”, të cilin pas dy botimeve në 2015 dhe 2017, tashmë vondosa ta hedh me PDF në online dhe mund ta lexojë gjithkush lirisht pa asnjë detyrim financiar. George Orwell na ka mësuar: “Rruga më efektive për të shkatërruar një popull është t’i ndalosh dhe t’i zhdukësh të kuptuarit e historisë për çfarë ka ndodhur me historinë e tyre”.

Për të ardhur te pyetja juaj, ngjarja e ambasadave në korrik të 1990-ës është një ngjarje që pati impakt politik, social dhe rol paraprijës në zhvillimet e mëvonshme. Kjo ngjarje edhe sot vazhdon të interpretohet në mënyra nga më të ndryshmet. Dy janë ato më kryesoret:

1. Veprimtaria e agjenturave të huaja sipas ish-pushtetarëve dhe funksionarëve të regjimit, të cilët janë munduar ta komplikojnë këtë ngjarje me zhvillimet në Kosovë e pikërisht me 2 korrikun e Kosovës, shpalljen e Kosovës Republikë nën Jugosllavi, në një kohë që kishte filluar shpërbërja e Jugosllavisë.

2. Nga analistë dhe një opinion më i gjërë, sikur i hapi shteti shqiptar dhe Sigurimi me Ramiz Alinë. Si edhe për shumë ngjarje të tjera, edhe për 2 korrikun e 1990-ës kanë shkruar e folur, shkruajnë e flasin dhe fatkeqësisht, gjejnë hapësirë në media duke vazhduar të tjerrin gënjeshtrën nëpërmjet manipulimit për të fshehur krimin, ish- pushtetarë, diplomatë, intelektualë që ishin të lidhur me pushtetin e djeshëm dhe të sotmin si vazhdimësi e dje-sotmes, që nuk munguan si tregtarë flamujsh të marrin në duar flamujt “pluralistë” të demo(n)kracisë. Ngjarjet nga janari 1990 deri në dhjetor 1990, e pse jo edhe më pas, nuk mund të kuptohen pa fenomenin e zhvillimit të ngjarjeve në Europën Lindore dhe vetë sistemin komunist, veçanërisht komunizmin shqiptar. Këto ngjarje nuk mund të kuptohen pa analizuar shkurtimisht historinë e Shqipërisë, së paku që nga formimi i gjysmështetit shqiptar, arsyet përse shqiptarët nuk krijuan dot kurrë një tërësi kombëtare dhe një shtet funksional me demokraci liberale, prosperitet ekonomik, zhvillim infrastruktural dhe zhvillim kombëtar që nuk e kanë krijuar ende sot.

Pra, ju pyesni a mund të ishte kjo një lëvizje taktike kundër konservatorëve nga Ramiz Alia? Unë themë që jo. Ramiz Alia, atëherë kur mbahej nga intelegjenca shqiptare si “liberal” për të bërë ndryshimet kozmetike për të realizuar së bashku me këta intelektualë, që më vonë u vunë në krye të “pluralizmit” shqiptar, duke krijuar imazhin e një uljeje të butë të diktaturës në fushën e demo(n)kracisë, bënte thirrje për gjak. Ai deklaronte gjatë kësaj periudhe disa herë, “Pushtetin me gjak e kemi marrë dhe me gjak do ta lëshojmë”. Ai vazhdonte dhunonte të rinjtë që protestonin dhe më e rënda sistematikisht nga janari 1990 deri në dhjetor 1990 dhe atëherë kur ishte shpallur “pluralizmi” me intelektualët e Ramiz Alisë, janë vrarë në tentativa për kalim të kufirit mbi 100 vetë, në një kohë që ligji kishte ndryshuar në kundërvajtje penale. A mund të quhet ky njeri liberal?!! Askush nuk ka mbajtur pëgjegjësi për këto vrasje në kundërshtim edhe me ligjet e kohës.

I vetmi “bashkëpunim” i Perëndimit me Ramiz Alinë ka qënë ajo se Perëndimi e sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vizitën e tij në shtator 1990, ku Ramiz Alia merrte pjesë për herë të parë në OKB, ishte se amerikanët ia bënë të qartë: ose do të dorëzonte pushtetin duke i hapur rrugën pluralizmit politik dhe të tjera të drejta të njeriut, ose do të përfundonte si Çaushesku. Mirëpo, shqiptarët nuk u treguan të aftë për të vendosur drejtësi. Kjo u tregua edhe nga ngjarja e ambasadave, ku ata “gavroshë vagabondë” prej 5800 vetash u lanë vetëm, nuk patën mbështetje as nga intelektualët, as nga artistët, që ishin vënë në shërbim të Alisë për të sjellë dhjetorin 1990. As nga studentët dhe as nga masa e gjerë popullore.

A kishte dorë Sigurimi dhe a kishte njerëz që hynin e dilnin nga ambasadat, veçanërisht ajo gjermane, dhe a ka lidhje me 2 korrikun në Kosovë?

Mund të ngrihen hipoteza të ndryshme, por ende sot nuk kemi një fakt përse ka ndodhur kjo tërheqje e forcave të Policisë nga territoret e ambasadave në ditët e fundit të qershorit 1990 dhe në fillim të korrikut. A mund të ishte një shtrëngim që i bënte Ramiz Alia Perëndimit me valë emigrantësh? Në qoftë kjo, atëherë Ramiz Alia me regjimin e tij kanë bërë autogol, pasi nuk kuptonin se Shqipëria nuk ishte Kina si popullsi, ku mund të dëmtonte Europën me valë emigracioni. A mund të ishte një taktikë për të larguar nga kryeqyteti pjesën më problematike, ku përmblidheshin të gjitha shtresat më problematike? Edhe kjo bie, pasi nuk i interesonte regjimit një largim i tillë nëpërmjet ambasadave në mes të Tiranës, kur aq më shumë ata e dinin se edhe në Lindje ngjarjet e ambasadave çuan në diskreditimin e regjimeve dhe në revolta popullore që përfunduan në rënien e menjëhershme të regjimeve, gjë që nuk ndodhi në Shqipëri me ngjarjen e ambasadave, pasi mungoi mbështetja popullore për ngjarjet në Tiranë. Modeli i Fidel Castros nuk funksiononte as për rrethanat, as për kohën, ku shpesh e përmendin “analistët”. Për sa i përket lidhjes me ngjarjet në Kosovë, askush nuk kishte dijeni në Shqipëri nga njerëzit se çfarë do të ndodhte në Kosovë më 2 korrik, aq më tepër që ngjarja e 2 korrikut në Kosovë ishte një veprim në ilegalitet dhe nuk kishte njoftim as në median e Kosovës, as në atë të Shqipërisë dhe as të Beogradit, se për atë botërore as nuk bëhej fjalë.

Ngrihet pyetja: Kush mund të kishte dijeni përveçse Ramiz Alisë me rrjetet e shërbimit sekret?

Në qoftë kjo, atëherë përse liroi forcimin e ruajtjes së territoreve të ambasadave? Në qoftë se nuk kishte dijeni, përse kërkon ta komplikojë ngjarjen e ambasadave me 2 korrikun? Fatkeqësisht, edhe shumë intelektualë të mirënjohur të regjimit e kanë bërë këtë dhe vazhdojnë ta bëjnë dhe analistët e sotëm të medias, por edhe pse kanë kaluar 25 vjet, nuk kanë sjellë një fakt konkret që t’i lidhin këto hipoteza tepër të vakëta e deri qesharake me të strehuarit në ambasada. Janë munduar ta lidhin ngjarjen e ambasadave me 2 korrikun e Kosovës, si Ramiz Alia, Zylyftar Ramizi, Dilaver Bengasi, Xhelil Gjoni, një armatë e tërë e njerëzve të ish-regjimit, gazetarë, analistë, diplomatë, shkrimtarë, duke bërë shpifje të pabaza, pa fakte, pa dokumente, duke ngritur teori konspirative të papërgjegjshme dhe nuk është e tepërt të thuhet të qëllimshme, për të ngatërruar të dy anët e kombit shqiptar në një moment delikat të historisë. Sipas tyre, ky operacion drejtohej nga agjenturat serbe nëpërmjet ambasadës jugosllave në Tiranë. Një gjë tërësisht e pavërtetë, e pabazë. Takimet e ambasadorëve perëndimorë në këtë kohë janë bërë në ambasadën italiane në lidhje me krizën e ambasadorëve. Ambasadori jugosllav dhe Jugosllavia në këtë kohë po vëzhgoheshin nga Europa Perëndimore dhe organizmat ndërkombëtare si një vend që po shpërbëhej, që do të çonte në luftë midis republikave, duke u krijuar masakra e gjenocid etnik. Pikërisht në këtë kohë, Shqipëria dhe Jugosllavia po ndëshkoheshin me rezoluta nga Perëndimi dhe organizmat ndërkombëtare për shkeljen e të drejtave të njeriut, për dhunën dhe terrorin që përdornin ndaj shqiptarëve në Shqipëri dhe shqiptarëve në Kosovë. Se sa të papërgjegjshëm kanë qenë dhe janë shtetarët tanë në lidhje me një çështje kaq delikate si ajo e agjenturave serbe në Shqipëri, vetëparaqitet edhe nga vetë drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar. Një pyetje drejtuar këtyre që mundohen të lidhin ngjarjet e vitit 1990 e veçanërisht krizën e ambasadave në korrik me agjenturat e huaja. A do të jetonte regjimi komunist në Shqipëri, në qoftë se sipas tyre nuk do të kishin vepruar agjenturat e huaja? Asnjë nga gazetarët deri më sot i mediave shqiptare nuk ia kanë bërë Ramiz Alisë deri sa ishte gjallë dhe njerëzve të regjimit këtë pyetje kaq të thjeshtë. Një tjetër pyetje që na lind nga teoritë konspirative të njerëzve të regjimit komunist për të mbuluar krimet e tyre, si dhe me ngjarjet e ambasadave: Po të mos kishte ndodhur shpallja e Kushtetutës më 2 korrik 1990 në Kosovë, a do të kishte ndodhur ngjarja e ambasadave në Tiranë? Faktet nuk na lënë të vallëzojmë në teori konspirative. Shqipëria kishte filluar mosbindje civile mbas ngjarjeve në Rumani deri në revolta dhe përleshje me shtetin. Kishim raste të kërkimit të strehimit politik në ambasada, kishim shtim të numrit të njerëzve për kalimin e kufirit si asnjëherë më parë si dhe pranohet nga autoritetet shtetërore të asaj kohe, si Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Kufirit, kishim presionin nga jashtë të izolimit total të Shqipërisë si ekonomik dhe politik. Në këtë situatë zhvillimesh, ngjarja e ambasadave është rrjedhë logjike e gjithë zhvillimeve dhe datat 1-2-3 korrik 1990 nuk kanë asnjë rëndësi.

Në lidhje me ngjarjet në Kosovë mendoj se është e pamoralshme dhe e pabazë, dashakeqëse, injorante si njohje e fenomeneve dhe zhvillimeve të tilla sociale, politike, të akuzosh, implikosh të strehuarit në ambasadat e huaja në Tiranë në shkurt-korrik 1990, si të qëllimshme për të tërhequr vëmendjen nga 2 korriku i Kosovës, duke marrë një datë të veçantë. Është një gjykim metafizik, ku analiza është jashtë gjithë rrjedhës se ngjarjeve të zhvillimeve historike në shembjen e regjimeve komuniste në Europën Lindore dhe në Shqipëri.

Ata shqiptarë të Kosovës që anatemonin shqiptarët e Shqipërisë pse ngriheshin kundër regjimit më brutal në botën komuniste, kur shqiptarët e Kosovës, megjithëse nën regjimin serb, gëzonin shumë më të drejta si në lëvizjen e lirë, si në lirinë e ekonomisë private, si në hapësirat e studimeve të literaturave dhe rrymave filozofike, politike, artistike, muzikore të Perëndimit, duhet të pyesnin kur qeveria e Hoxhës dhe ajo e Alisë kishte ngritur zërin në forumet ndërkombëtare për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës që pas Luftës II Botërore e deri në ditët e korrikut 1990, përpos disa artikujve a fjalimeve për konsum propagandistik? Shqiptarët e Kosovës duhet ta dinin mirë devizën e Pashiçit, “Për një Shqipëri sa më të vogël fizikisht, sa më të izoluar politikisht, sa më të varfër ekonomikisht”, gjë që e realizoi Hoxha me regjimin e tij më mirë se vetë Pashiçi. Në këtë aspekt, drama kombëtare ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës rëndohej dyfish. Sikur të mos ishin të mjaftueshme diktaturat komuniste që mbanin në kurriz dy anët e kombit, ata ndaheshin dhe më shumë për Enver Hoxhën dhe regjimin e Tiranës. Kjo u vu re edhe në deklaratat e shumë njerëzve të elitës kosovare dhe intelektualëve të regjimit të Tiranës gjatë korrikut 1990.

Kemi edhe një teori tjetër konspirative për ngjarjet e ambasadave: i krijoi dhe i hapi Sigurimi?

Sigurimi mund dhe duhet të ketë pasur njerëzit e vet në këto ngjarje si informatorë, por jo për të nxitur këto ngjarje, por për të kontrolluar këto ngjarje, për të zbutur revoltën popullore dhe për të përgatitur kontrollin që do të mbanin në ndryshimin e sistemit komunist, ashtu siç edhe bënë në fakt. Siç është shprehur vetë Ramiz Alia, regjimi u gjend para një situate të papritur dhe të papërballueshme. Siç pohojnë dhe vetë zyrtarët dhe analistët edhe sot, kontingjenti i strehuar në ambasada nuk kishte asnjë lidhje me strukturat partiake, politike, intelektuale, të regjimit. Edhe sot, megjithëse kanë kaluar dy dekada e gjysmë, askush nuk është në gjendje të faktojë lidhjet e të strehuarve në ambasada me agjenturat e huaja apo me Sigurimin. Të dyja këto bien ndesh me njëratjetrën. Në qoftë se do të pranojmë që i hapi Sigurimi, duhet të pranojmë që Sigurimi ka qenë në shërbim të agjenturës serbe.

Ju, si e keni jetuar atë periudhë? Çfarë thashethemesh bulevardi qarkullonin dhe si lëvizën njerëzit?

Do ta nis me një mbyllje të një letre që më ka dërguar ambasadori gjerman në 1990 në Tiranë në kohën e krizës se ambasadave, Werner Daum. Kur unë tashmë isha në Amerikë në vitin 1995, ai shkruan: “Shumë njerëz nuk i jetojnë revolucionet apo nuk arrijnë që të marrin pjesë në to. Ju e bëtë. Unë e bëra dhe kam bërë të tjera gjëra përpara dhe më pas, por me një pjesëmarrje të qetë në lëvizjet e ngadalta të njerëzimit. Këto mund të shkojnë përpara me përmirësim apo të shkojnë për më keq dhe kush e di?” Pra, ngjarje të tilla janë të rralla në jetën e një populli dhe sidomos Shqipërisë. Këto lënë shenjë në historinë e një populli, aq më tepër kur je dëshmitar dhe pjesëmarrës në këto vorbulla të historisë. Qysh me fillimin e rënies së njëpasnjëshme të regjimeve komuniste në Europën Lindore dhe veçanërisht pas ngjarjeve të Rumanisë me pushkatimin e çiftit Çaushesku në Rumani, deri ditën e largimit më 15 korrik 1990 kur mbërritëm në Gjermani, ka qenë një jetë më rreziqe, ngarkesë emocionale dhe adrenaline të paparë. Mbas Rumanisë, regjimi i Tiranës kishte marrë një goditje të rëndë, pasi kishte ngelur “Guri i fundit i dominosë” i regjimit komunist në Europën Lindore. Në atë kohë qarkullonin lloj-lloj thashethemesh, të vërteta, të pavërteta, gjysmë të vërteta. Ndihej që shteti ishte tkurrur në pozita mbrojtëse nga ata, ata … shumë pak. Nuk e ndjente këtë pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare, sidomos ajo rurale dhe provincat që ishte më e izoluara, më e varfra dhe më trushpëlara nga propaganda dhe dogmat e pushtetit komunist, por që përbënte maxhorancën e popullsisë mbi 70%, këtë e treguan dhe zgjedhjet e para “pluraliste” në mars ’91, ku Partia e Punës së Shqipërisë fitoi me 70% dhe Ramiz Alia humbi në kryeqytetin e Shqipërisë, në “Shtëpinë ku Lindi Partia”. Nuk e ndjente këtë një pjesë e mirë e qyteteve, përjashto këtu Tiranën, Shkodrën, Kavajën, Durrësin, në këtë aks ishte i gjithë rebelimi kundër pushtetit dhe këto një pakicë. Nuk e ndjenin fare, por fare elita intelektuale e vendit, e cila u vu në shërbim të Ramiz Alisë me gjoja një elitë më liberale, siç pretendohej në atë kohë nga Ramiz Alia. Lëre se ç’flasin sot duke manipuluar dhe falsifikuar çdo gjë për atë kohë, duke dashur të na paraqiten si disidencë e regjimit dhe përmbysës të saj qysh nga dhjetori 1990 dhe vazhdojnë dhe sot. Gjatë janarkorrik të 1990-ës ka pasur ngjarje pararendëse, ku kulmuan me shpërthimin e ambasadave, që në fakt nuk kanë filluar më 2 korrik, por më herët dhe i është mëshuar gjithmonë 2 korrikut me qëllim … por 2 korriku ishte kulmimi dhe përleshja me një demonstrim protestë që filloi nga rruga “Skëndërbeg” dhe përfundoi te monumenti i diktatorit në qendër, me thirrjet: “Enver-Hitler”, “Liri Demokraci”. Për herë të parë që nga 1945, kryeqyteti tronditej nga një protestë të përmasave të tilla kundër regjimit më brutal në Europën Lindore, duke u përleshur me Policinë dhe forcat e oficerëve dhe kadetëve të Shkollës së Bashkuar, ku sot shumë prej tyre i shikon në politikë e media të japin leksione demokracie. Kësaj proteste i kishin paraprirë demonstrata në Shkodër më 13 janar 1990, ku u tentua për të hedhur bustin e Stalinit në qendër. Po atë natë kishte shumë arrestime të shumta, ndërmjet të cilave edhe kleriku i sapoliruar nga kalvari 25-vjeçar i burgjeve komuniste, Dom Simon Jubani, i cili në 11 nëntor 1990 do të mbante meshën e parë në Shkodër, që prej ndalimit dhe shkatërrimit të kulteve fetare në 1967, ku turmat e histerizuara nën mësimet e revolucionit kulturor kinez dogjën dhe shkatërruan 326 kisha të Kishës Romane me qendër në Vatikan. Pushkatuan dhe burgosën përjetësisht klerin katolik. Me pas, “Demonstrata e heshtur” në Tiranë më 28 janar, ku edhe te kjo pati shumë të arrestuar dhe të rrahur barbarisht në Degën e Punëve të Brendshme dhe rajonet e policive. Pastaj kemi protestat në Kavajë, ku u sulmua dhe iu thyen xhamat Rajonit të Policisë në Kavajë dhe u arrestuan mjaft njerëz. Nismëtarët e modelit të hapjes së ambasadave nuk janë djemtë e 2 korrikut apo dhe ata individë dhe grupe të vogla nga shkurti deri në korrik, ata që “thyen” të parët muret e ambasadave janë familja Popa, që hynë dhe kërkuan strehim politik në ambasadën italiane në dhjetor 1985.

Çfarë roli ka pasur Xhelil Gjoni, një dorë e fortë në parti, në krah të Nexhmije Hoxhës? Menjëherë pas krizës së ambasadave, si një kundërvënie u zhvillua një miting në Tiranë, drejtuar nga Xhelil Gjoni, për të treguar se partia ishte e fortë. Si e përjetuat atë miting, në një kohë që ju me 5800 vetë kishit mbërritur në Brindisi?

Xhelil Gjonin e pruri në Tiranë në verën e 1990, Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Dibrës, Ramiz Alia, si dorë të fortë. Pra, njeriu që pretendohej nga intelektualët si liberal solli numrin 2 në krye të partisë, njeriun më brutal dhe më konservativ, Xhelilin. Ish- kryeredaktor i “Zërit të popullit” në vitet më të errëta të regjimit. Sekretar i Komitetit të Partisë në Tiranë, Sekretar i Parë në Krujë dhe më pas në Dibër. Kunati i Hysni Kapos, a e ka sjellë në krah të Nexhmijes? Nga të gjithë të dhënat që kemi këta 30 vjet postkomunizëm, këta kanë qenë bashkë dhe kanë vepruar bashkë si të dalin sa më mirë duke mbajtur lidhjet dhe fuqinë në postkomunizëm. Në lidhje me mitingun në sheshin “Skënderbej” kur ne ishim larguar nga Shqipëria, po e përshkruaj ashtu siç e kam në librin tim “Guri i fundit i dominosë”, për të kuptuar kohën dhe pse jemi kështu sot. “Ndërsa ne kishim mbërritur në Bazel të Zvicrës nga Brindisi për të vazhduar rrugën në Gjermani, në Tiranë po kryhej mitingu për dënimin e refugjatëve në sheshin “Skëndërbej”. Ky miting turpi do të mbahet mend jo vetëm për shtetarët që e organizuan, jo vetëm për organizmat ndihmëse të shtetit në mënyrë të veçantë ajo e rinisë, jo vetëm për “intelektualët” që morën pjesë e folën në atë MORT, por edhe për ata intelektualë që nuk thanë një fjalë të denonconin këtë mort a të përkrahnin aktin e “gavroshëve” në diskreditimin që i bënë regjimit. Ai shesh atë ditë u mbush, nuk ishin pak, rreth 70-80 mijë vetë në një kryeqytet me 200 mijë banorë, minus 5300 të ikur një natë më parë. Më vonë, kur kam pyetur shumë njerëz të artit, kineastë, artistë rreth pjesëmarrjes në atë miting, më janë përgjigjur se ishin të detyruar dhe i kishin marrë firmat duke i kërcënuar se do t’i largonin nga puna ata që nuk merrnin pjesë në miting. Justifikimi i intelektualëve se i kërcënonin me heqjen nga puna, duke u marrë firmat me “zor” dhe pjesëmarrja në atë miting e qytetarëve, pritja me duartrokitje e udhëheqjes së Partisë, tregon qartazi mjerim intelektual, dobësinë shoqërore.

Lind pyetja: Çfarë influence patën intelektualët në këtë moment si rol i ndërgjegjësimit të shoqërisë me pjesëmarrjen e tyre, organizimin për të thënë të vërtetën dhe jo vetëm, por edhe për ta inkurajuar atë në lidhje me denoncimin e krimeve dhe shkatërrimit ekonomik, kulturor, social nga regjimi komunist si pjesë përfaqësuese e strukturave dhe propagandës së regjimit komunist? Ata sot mundohen të “justifikohen”, kjo gjë nuk justifikon qëndrimin e tyre dhe më keq veprimet, as në takimin me Ramiz Alinë tri javë pasi ishin larguar të strehuarit në ambasada. Ata u treguan apatikë, të squllur, pa kurajë, pa vizion, frikacakë se mos humbnin vendin e punës, në një kohë që vendi ishte zhytur në mjerim dhe kishte filluar hemorragjia e ikjes së rinisë shqiptare, si gjendje e padurueshme kundër regjimit. Intelektualët mund të përdorin sot argumente të ndryshme, por qëndrimi i tyre në ato momente pa kurajë për të luajtur rolin që ka intelektuali në shoqëri e në veçanti në momente kryqëzimesh e kthesash historike, është i pajustifikueshëm dhe i pamoralshëm. Shumë prej këtyre intelektualëve, qytetarëve që ishin në përkrahje të regjimit në atë shesh e që dënuan aktin e “gavroshëve”, duke pritur me duartrokitje daljen e Xhelil Gjonit, Kryeministrit Adil Çarçani e gjithë shpurës së sejmenëve të regjimit me përfaqësuesin e rinisë, Lisien Bashkurti, e të tjerë, i gjen sot në tribunat e “demokracisë” duke dhënë leksione për demokracinë në institucionet e shtetit “demokratik”, në organizmat e të drejtave të njeriut, të persekutuarve politikë, ku nuk i gjen e ku nuk i sheh…Ja pra, pse ende edhe sot jemi në rrethin vicioz të manipulim-simulimit politik, historik, kulturor. Shpesh i kam bërë disa pyetje vetes: Po sikur dikush apo disa të bënin thirrje kundër regjimit në atë shesh, a do të ndodhte ajo që ndodhi në Bukuresht me Çausheskun? A do të kishte pasur një përmbysje të regjimit në atë moment? A do të kishte ndodhur gjakderdhje? A do të ishte ndryshe postkomunizmi në Shqipëri? Çfarë do të ndodhte për atë që nuk ndodhi?! Mund të bëjmë spekulime sa të duam, por një gjë e dimë të sigurt: në një kohë që shteti komunist ishte i trembur dhe vetë mosdalja e Ramiz Alisë në atë miting e tregoi këtë, fatkeqësisht populli ishte edhe më i trembur dhe i nënshtruar për të reaguar në një moment kur regjimi tashmë ishte mëse i diskredituar para opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm.

Qeveria u mundua me këtë miting të shuante zjarrin e ndezur nga “gavroshët” e ambasadave të nesërmen e ditës së largimit të tyre. Reaksioni që krijoi kjo ngjarje ishte diskredituese për qeverinë, në këtë mënyrë ata organizuan këtë miting për të treguar forcë nëpërmjet kërcënimit. Jo rastësisht, në krye të këtij mitingu u shfaq Xhelil Gjoni, i ardhur si “dorë e fortë” nga Ramiz Alia. Ai do të deklaronte në këtë miting: “Disa njerëz pa ideale e pa moral, të mashtruar apo naivë, duke shkelur mbi gjakun dhe eshtrat e martirëve, duke njollosur emrin e nderuar të Shqipërisë, me sjelljet e tyre u shërbejnë drejtpërdrejt planeve të armiqve, të cilët duan të na sjellin përsëri borgjezinë dhe bejlerët e përmbysur. Armiqve tanë u themi njëzëri: Shqipërinë dhe pushtetin popullor nuk e tundin jo më disa njerëz të çoroditur që braktisën kusarisht atdheun, por kushdo qoftë. Ata s’janë Shqipëria, ata s’janë populli”. Duke iu kthyer ngjarjes së ambasadave vite më vonë, Xhelil Gjoni, në një intervistë në gazetën “Shqip”, thotë: “Ai miting luajti rol shumë të rëndësishëm, sepse stabilizoi situatën pasi kundërshtarët kishin marrë revansh dhe me atë miting u treguam se nuk ishte aq e lehtë të ecnin në rrugën e menduar, pasi ne ishim ende të fortë”. Xhelil Gjoni dhe e gjithë shpura e sejmenëve intelektualë të Xhelil Gjonit janë ende të fortë e tashmë edhe më të fortë, të fuqishëm ekonomikisht, fëmijët e tyre janë në të gjitha strukturat e shtetit “demokratik”. Djali i Xhelil Gjonit gjatë këtij tranzicioni ka qenë zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme me demokratët e me specializime jashtë, me socialistët ministër i Brendshëm dhe sot (më pas) ambasador i Republikës së Shqipërisë në Zvicër. Kjo është demokracia!/ Panorama.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura