ILDKP gjobit 13 zyrtarë, padi zyrtares që s’justifikon 1.5 milionë USD

Apr 29, 2015 | 6:38
SHPËRNDAJE

Inspektorati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka kallëzuar penalisht dhe ka gjobitur dje 13 zyrtarë të lartë të administratës shtetërore.

Kreu i ILDKP, Shkëlqim Ganaj

Zyrtarët akuzohen për “mosdeklarim të pasurisë”, “tentativë për fshehje të të ardhurave” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Në listën e zyrtarëve të paditur, ILDKP-ja veçon rastin e ish- kryetares së Degës Doganore të Sarandës, Lina Vaso, e cila në deklaratën e pasurisë nuk ka arritur të justifikojë me dokumentacion shumën prej 1.5 milionë dollarësh. Sipas ILDKP-së, Prokuroria për këtë rast duhet të hetojë për vepra të tjera penale, veç asaj të fshehjes së pasurisë.

“Në veçanti për subjektin Lina Vaso, e cila ka ushtruar funksionin e kryetares së Degës Doganore Sarandë, pasuria e pajustifikuar me burime të ligjshme e së cilës shkon rreth 1.5 milionë dollarë, i është kërkuar Prokurorisë të hetojë edhe për ekzistencën e veprave të tjera penale të lidhura me nenin 257/2 të Kodit Penal”, thuhet në deklaratën e ILDKP.

Institucioni i drejtuar nga Shkëlqim Ganaj ka bërë me dije se për secilin nga zyrtarët që janë paditur, është njoftuar dhe kreu i institucionit epror për të marrë masa disiplinore ndaj personave që kanë fshehur pasuritë.

ZYRTARËT

Në listën e personave të paditur nga ILDKP janë dy gjyqtarët, Besnik Qira, që ushtron detyrën në Gjykatën e rrethit Kurbin dhe Tomorr Kulllo, gjyqtar në Gjykatën e Elbasanit. I paditur nga ILDKP është dhe Afrim Bakaj, i cili ushtron detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar Ushqimor (AKU). Po ashtu dhe Dritan Manaj, i cili ushtron funksionin e drejtorit në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Tregtisë. Për fshehje pasurie akuzohet dhe Halit Xhafa, i cili është anëtar i Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë. Për ndjekje penale janë dërguar dhe pesë inspektorë të Tatim- Taksave, Aleks Neçaj, Albër Mihaj, Afrim Çupi, Admir Behari dhe Alfred Tusha. Po ashtu ILDKP ka dërguar për ndjekje penale dhe kryetarin e komunës Novoselë, Kanan Shakaj.


Fation Binjaku 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura