Ilaçet kundër gripit, ja pasojat te të sëmurët me zemër. Flet mjekja kardiologe

Jan 19, 2020 | 9:43
SHPËRNDAJE

Duke qenë persona me imunitet më të ulët në raport me pjesën tjetër të popullatës, të sëmurët me zemër janë më të riskuar për t’u prekur nga gripi.

zemra-ilace-750x500

“Virusi i gripit është shumë i rrezikshëm dhe mund të sjellë komplikacione fatale. Mund të dëmtojë munskulin e zemrës, pra miokardin. Ka pasur raste kur edhe të rinj janë paraqitur në spital pas një episodi virol me muskulin e zemrës shumë të dëmtuar”, thotë mjekja kardiologe Daniela Teferici.

Ndaj është me rëndësi që të merren masat e nevojshme për parandalim e njëkohësisht të mos neglizhohet asnjë simptomë, siç mund të jetë një dhimbje gjoksi, shqetësim në stomak, dobësi apo mungesë oreksi. Kujdes duhet treguar edhe me ilaçet antiinflamatore, siç janë ibuprofeni, voltareni apo kortizonikët.

“Te të sëmurët kardiakë, kur i zë gripi, nëse antiinflamatori merret për një kohë të shkurtër, pra nuk janë mjekime afatgjata, nuk shkakton ndonjë problem. Kur zgjat në kohë dhe ekzagjerohet me dozën, atëherë këto medikikamente sjellin pasoja negative, duke pakësuar sasinë e gjakut në arteriet koronare. Për rastet me insuficiencë kardiake, këto medikamente nuk rekomandohet që të merren”, vë në dukje më tej doktoresha.

I ftohti dhe të sëmurët kardiakë cilësohen një “kombinim i rrezikshëm”. Çfarë pasojash mund të sjellin temperaturat e ulëta?

Stina e dimrit ka një lidhje të drejtpërdrejt me të sëmurët me zemër, kjo sjellë edhe fluks të pacientëve në pavijonet e kardiologjisë. Gjatë kësaj periudhe, rritet sëmundshmëria, por edhe vdekshmëria nga sëmundjet e zemrës. Në temperaturë të ulët, rritet ngarkesa e zemrës, pra zemra duhet të punojë më fort. Rritet frekuenca kardiake, njëkohësisht ngushtohen edhe enët e gjakut për të ruajtur nxehtësinë në trup. Të dy këta faktorë, pra ngushtimi i enëve të gjakut dhe rritja e frekuencës kardiake, vënë në vështirësi zemrën.

Në të ftohtë, çlirohen disa substanca, siç është adrenalina, catecholamine, të cilat rrisin po ashtu punën e zemrës. Probleme apo agravim të sëmundjes gjatë stinës së ftohtë nuk kanë vetëm të sëmurët kardiakë, por edhe ata të cilët nuk janë diagnostikuar. Numri më i madh i infarkteve ndodh gjatë dimrit dhe kryesisht gjatë orëve të para të mëngjesit. Gjithashtu, edhe personat që nuk e dinë që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, mund të përballen me infarkt. Një shenjë klasike e sëmundjeve të arterieve koronare është dhimbja e gjoksit.

1557832434_Sequence07.00182107.Still012

Pra, në qoftë se një persona del në mëngjes dhe përjeton dhimbje gjoksi, atëherë kjo dhimbje është shumë domethënëse për bllokim të enëve të gjakut që ushqejnë zemrën.

Po shenjat tipike, cilat janë?

Dhimbja e gjoksit është tipike dhe lidhet drejtpërdrejt me të ftohtin, me insuficiencën kardiake, dëmtim të muskulit të zemrës. Këta janë persona shumë vulnerabël, delikatë, sepse zemra e tyre, duke qenë e dobësuar si muskul, nuk ka fuqinë të përballojë një ngarkesë të tillë si i ftohti. Kjo çon në dekompesim dhe për pasojë çon në rritje të numrit të hospitalizimeve, shtrimeve.

Shenjat atipike mund të jetë: diskonfort në stomak, kur bën infarkt të murit të poshtëm të zemrës, fillon si shqetësim në stomak dhe jo dhimbje e mirëfilltë zemre. Pacientët ankohen për nauze, dhimbje në stomak. Me një EKG zbulohet se është infarkt inferior, pra nuk është stomaku ai që e ka shkaktuar. Te diabetikët, nuk kemi shenja tipike, siç janë dhimbjet e forta të gjoksit. Ata që vuajnë nga diabeti, mund ta shfaqin me dobësi, një dhimbje të lehtë gjoksi apo me mungesë oreksi.

Jemi në stinën e dimrit dhe rreziku nga gripi është prezent. Çfarë pasojash mund të sjellë te të sëmurët kardiakë?

Pacientët kardiakë kronikë janë persona me imunitet më të ulët, në raport me pjesën tjetër të popullatës, kështu që ata duhet të jenë shumë më të kujdesshëm, duhet patjetër të vaksinohen. Virusi i gripit është shumë i rrezikshëm dhe mund të japë komplikacione fatale. Mund të dëmtojë muskulin e zemrës, pra miokardin. Ka pasur raste kur edhe të rinj janë paraqitur në spital pas një episodi viral me muskulin e zemrës shumë të dëmtuar. Në varësi të prekjes, kemi të bëjmë me situata që mund të rikthehen në gjendjen normale me kalimin e kohës dhe duke marrë mjekimin e duhur. Ndërsa në rastet fatale, prekja ka qenë kulminante dhe e pakthyeshme për rikuperim. Ndaj, nuk duhet neglizhuar asnjë simptomë, duhet parandaluar sa më shumë të jetë e mundur.

Si mund të parandalohet?

Kjo mund të arrihet duke mbajtur nën kontroll faktorët e rrezikut. Si parandalimi primar, që është pa u shfaqur sëmundja, dhe parandalimi sekondar, që është pasi është shfaqur dhe trajtuar sëmundja, janë shumë të rëndësishme. Kjo nënkupton mjekimin e diabetit te personat diabetikë, mjekimin e hipertensionit te personat hipertonik dhe në modifikimin e stilit të jetesës.

Te personat që janë të diagnostikuar, me rëndësi është trajtimi medikamentoz, që shkon paralelisht me modifikimin e stilit të jetesës. E them këtë, sepse një person që ka kaluar infarkt, nuk mund të vazhdojë me karbohidrate, pra duke konsumuar ushqim jo të shëndetshëm, përfshirë edhe ëmbëlsirat. Sa më shumë aktivitet fizik, sa më pak mish, yndyrna shtazore dhe jo duhan.

Po ashtu, duhet të evitohen daljet herët në mëngjes apo edhe vonë në mbrëmje, të shmanget ekspozimi në grupe të mëdha njerëzish, po ashtu edhe siç e përmenda më sipër, duhet të kryhet vaksina.

Sa e rëndësishme është marrja e mjekimit gjatë kësaj periudhe?

Dua të vë në dukje po ashtu se në stinën e dimrit ka një fluks të jashtëzakonshëm njerëzish, që vijnë me tension të lartë. Si personat që nuk janë trajtuar me tension, ashtu edhe ata që kanë pasur një stabilitet me një dozë të caktuar medikamentesh. Në këto ditë të ftohta dimri, jemi detyruar të shtojmë dozën e ilaçeve.

Pse ndodh rritja e presionit arterial?

Rritja e presionit arterial ndodh për shkak të çlirimit të katolaminës, që çon në ngushtimin e enëve të gjakut. Në verë, nga nxehtësia ndodh zgjerimi i enëve të gjakut, ndërsa në stinën e dimrit ndodh e kundërta, rritet tensioni, shtohet doza e medikamenteve etj.

Çfarë iu këshillohet këtyre pacientëve, pra, si duhet të reagojnë kur përballen me vlera të larta të presionit arterial?

Të paraqiten menjëherë te mjeku, nëse kanë shqetësime. Një reagim i menjëhershëm do të ishte marrja e një adalati nën gjuhë, ose një tabletë trinitrin.

Sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës, ilaçet antiinflamatore apo ilaçet që përdoren kundër gripit, dëmtojnë zemrën. Pse ndodh kjo?

Antiinflamatorët jo steroid, si ibuprofenë, voltaren dhe ata steroid, që janë kortizonikët, dihet që rrisin tensionin e gjakut, pra çojnë në hipertension arterial. Një person që mjekohet për sëmundjet reumatizmale, pra që mjekohen kundër këtyre sëmundjeve, duhet të marrë edhe medikamente antihipertensive. Te të sëmurët kardiakë, kur i zë gripi, nëse antiinflamatori merret për një kohë të shkurtër, pra nuk janë mjekime afatgjata, nuk shkakton ndonjë problem. Kur zgjat në kohë dhe ekzagjerohet me dozën, atëherë këto medikikamente sjellin pasoja negative, duke pakësuar sasinë e gjakut në arteriet koronare. Për rastet me insuficiencë kardiake, këto medikamente nuk rekomandohet që të merren. Por për ta qartësuar, dy apo tri tableta nuk kanë asnjë ndikim negativ, efektet negative ndodhin atëherë kur përdoren për një kohë të gjatë. Zakonisht, këta pacientë mund të marrin paracetamol. Ndaj është me rëndësi të ndërmerren masat e nevojshme për parandalim, dhe kryesisht për ato tipe virusesh që godasin zemrën, tiroiden. Pra, me rëndësi është që të shmanget prekja e organeve të rëndësishme nga virusi.

Shqetësimet që shfaqen gjatë periudhës së ftohtë…

Ankesa kryesore, sipas mjekes kardiologe Daniela Teferici, është dhimbja dhe kjo ndodh sepse në të ftohtë, sistemi arterial i trupit pëson ngushtim. “Ngushtohet për të ruajtur furnizimin me gjak të organeve vitale siç është zemra, truri.

Gjithashtu, gjatë stinës së ftohtë, në mënyrë që të shpërndahet sa më shumë gjak në tru, zemra rrit edhe hedhjen e gjakut. Njëkohësisht ndodh edhe ngushtimi i enëve të gjakut për të ruajtur këtë shpërndarje të gjakut nëpër trup dhe në organet vitale. Zemra ushqen të gjithë organizimin me gjak, nga ana tjetër ushqen edhe veten e vet me gjak.

Ato që ushqejnë zemrën me gjak janë arteriet koronare, që kur bllokohen, ndodh infarkti i miokardit”. Po ashtu, doktoresha vë në dukje se gjatë kësaj periudhe, te pacientët vërehet edhe rritje e presionit arterial.

“Pacientët që marrin mjekim dhe që kanë qenë të stabilizuar në stinën e verës, kanë rritje të tensionit arterial. Ne mundohemi që të shtojmë terapinë. Ose pacientët që mund të kenë një hipertension të stadit të parë dhe nuk e kanë kuptuar, sepse nuk i ka dhënë shenja bëjnë kriza hipertensive, që shkon 100 me 200”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura